Nga Mevi RAFUNA
Z. Kivilcim Kiliç shqiptarët e kanë zakon ta presin dhe respektojnë në mënyrën më të mirë, mikun në shtëpi. Kështu krijojnë besë ndaj tij,duke mos e gjykuar asnjëherë. Por shpesh kjo qasje e jona është keqpërdorur.
E shoh që keni një vëmendje të tepruar ndaj nesh, një kujdes dhe dashuri të çuditshme. Agjenda juaj duket mjaftë aktive në Republikën tonë. Sinqerisht do më vinte mirë, sikur puna juaj e zellshme të ketë fryte pozitive në vendin ku jetoj. Por më duket që gjithë rezultatet shkojnë në favorin tuaj. Shpesh njeriun di ta tradhtojë mimika e tij /saj e fytyrës, apo gjestet dhe atëherë kur ai/ajo pretendon se po kryen një veprim madhor.
Dje shikova në lajme, defilimin e disa fëmijëve në sheshet e Prizrenit, të cilët ishin bërë synet. Shumë mirë, nuk kam asgjë kundër ritit.Por më pengon propaganda. Këtu ka ende njerëz barkthatë, dhe dikush di ta shfrytëzojë këtë situatë. E barkthati kot lutet në tempujt e bëra nga investimet turke. Për hir të dashurisë suaj të çuditshme që shfaqni ndaj nesh, do të ishte i mirëseardhur ndërtimi i ndojë fabrike, që të mund të punonin barkthatit, njejtë sikur ato që po i investoni në Serbi. Eh si ndryshojnë kohërat z.Kivilcim Kiliç!
Dikur osmanët nuk lejonin që të ndërtohet një shkollë në gjuhën shqipe. Ndërsa sot po zhvillohet konkurrencë se cila nga shkollat turke të dominojë në vendin tim. Nuk është mirë që në shtëpinë e mikut t’i bartësh problemet e tua, – thonë. Dhe ne si shtet mik i juaji nuk mundemi të infiltrohemi në problemet tuaja të brendshme. Ne si popull mikpritës që jemi, lejuam shkollat në gjuhën e juaj, por arnautët në Turqi nuk di t’kenë patur ndonjë shkollë në gjuhën shqipe; tash e sa shekuj jetojnë atje.
Veç tjerash shkollat në të cilat nxiten ideologjitë ekstreme,nuk i shkojnë për shtati shtetit tim që ka për synim integrimin në BE. E mos të harroj: në luftën e fundit ne përjetuam gjenocid me urdhërin e diktatorit Millosheviç, i cili na shpalli terroristë para botës. Të ta rikujtojë. Ky popull që të pret ty si mike,nuk ka shtypur askë, në historinë njerëzimit dhe është i etur për lirinë e mohuar ndër shekuj. Ky shtet nuk i rrështohet s’ë keqes sepse e ka të qartë rrugën e tij. Njashtu si ju z.Kiliç që punoni për interesin shtetëror tuajin, edhe mua më takon si bijë e këtij vendi, të reagoj, ndaj kafshimeve tinzare dhe ekspansionit të hapun që vijnë në adresë të atdheut tim.