Një barazim të vyer ka mundur të rrëmbejë Shqipëria në fushën e vështirë të Strumicës ndaj maqedonasve, pavarësisht se ishin kuqezinjtë tanë që kaluan të parët në avantazh.
Pas një pjese të parë të dominuar nga Maqedonia, por që u mbyll me rrjeta të paprekura, u dëshën vetëm 8 minuta nga pjesa e dytë, që ata pak tifozë kuqezinj të pranishëm në stadiumin “Mladost” të kalonin në delirë, pas golit të Odise Roshit me kokë nga e djathta, i asistuar nga një kros perfekt i Sadikut nga e majta.
Edhe pse ishin maqedonasit ata që e kërkuan më shumë golin, pas avantazhit që do t’i mbyllte përfundimisht diskutimet për vendin e tretë në grup, pas Spanjës e Italisë, kombëtarja kuqezi u duk se u tërhoq në mbrojtje të rezultatit.
Futbollistët e maqedonisë, që nuk kishin më se çfarë të humbisnin, u hodhën në sulm duke rrezikuar disa herë portën kuqezi, por Berisha mbeti i pathyeshëm, deri në minutën e 77, kur një krosim nga e majta e maqedonasve përfundoi në dorën e Odise Roshit, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, por arbitri suedez Ericsson akordoi 11-metërsh për vendasit.
Nga penalltia, Trajkovski nuk gaboi, duke e hedhur në krah të kundërt portierin Berisha dhe duke barazuar shifrat në 1-1, rezultat me të cilin mbyllet krejt takimi. Minutat e fundit ishin drithëruese për kuqezinjtë, që mbrojtën me të gjitha forcat rezultatin, që gjithsesi konsiderohet pozitiv, pasi në një fushatë kaq të vështirë kualifikuesesh, arrijmë të mbajmë vendin e tretë në grup me 4 pikë më shumë se Izraeli i vendit të katërt, që humbi me Italinë./dita.al