Në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, kryetari i PD, Lulzim Basha ka folur sërish për rritjen e influencës kriminale në vend.
Basha ka rideklaruar se përgjegjës për këtë hov të kriminalitetit shqiptar, që sipas tij është zgjeruar ndjeshëm në Europë, është vetëm kryeministri Rama.
Në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së ekstradimit me Mbretërinë e Bashkuar, Basha ka përfituar për të theksuar se Shqipëria është kthyer në një strehë kriminelësh.
“Është një kërkesë domethënëse e Britanisë që kërkon të çojë para drejtësisë kriminelët shqiptarë. Por dua ta paralajmëroj se kjo marrëveshje do të mbetet një copë letër përsa kohë Rama do të jetë kryeministër. Sepse Rama s’ka asnjë problem me krimin, sepse e futi në Parlament. S’ka asnjë problem me drogën, sepse në 4 vjet Shqipëria u kthye në ekonominë e drogës, prodhimi kryesor i saj u bë droga, eksporti kryesor u bënë droga dhe krimi. Funksioni kryesor i sistemit financiar u bë pastrimi i parave të pista të drogës. Kështu, Shqipëria kapi në 4 vite të gjitha rekordet e zeza të krimit”, ka thënë Basha.
Sipas Bashës, i ndodhur përballë kësaj situate që e bën të pamundur integrimin e vendit në Europë, kryeministri Rama ua hedh fajin europianëve.
“Tani. kur të gjithë janë alarmuar, kryeministri po përpiqet të ndezë ndjesi dhe ndjeshmëri anti-europiane mes shqiptarëve, duke u thënë atyre se europianët janë racistë dhe se nuk i duan shqiptarët. Është kjo streha e maskarallëkut ku është strehuar Edi Rama, streha e patriotizmit të rremë”, ka thënë Basha.
Teksa e ka akuzuar kreun e qeverisë se e përfshiu me vetëdije krimin në politikë, kreu i PD i ka bërë thirrje atij që të shkarkojë zyrtarët sipas tij të lidhur me krimin.
“Në krye të Kuvendit është ai që partnerët strategjikë i mohuan vizën. Ministër i Brendshëm është një person vëllai i të cilit kërkohet nga ndërkombëtarët për trafik droge. Ndërsa shefi i policisë përgjon kundërshtarët politikë. Shkarko Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn dhe Qazim Sejdinin”, ka apeluar Basha.
Kreu i opozitës është shprehur më tej se, ndërsa qeveria Rama shpenzon shumë të mëdha për “sharës publikë”, ajo nuk u jep fonde institucioneve të drejtësisë.
“Në këto kushte integrimi europian është i bllokuar. Shqipëria nuk do të marrë ftesë për hapjen e negociatave nëse nuk sulmon krimin dhe drogën dhe lidhjen me politikën”, ka vijuar Basha, i cili ka komentuar edhe ngjarjen e Elbasanit.
“Policia nuk e kaloi atë rrethim sepse ajo magazinë është kështjella e Edi Ramës, e krimit, e bandës dhe ka imunitet, gëzon mbështetje dhe mbrojtje qeveritare”, ka shtuar Basha.
Rama: PD, lobim për krimin. Pengon integrimin
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si deklarata që vijnë nga dëshpërimi akuzat e PD dhe kryetarit të saj për lidhje të qeverisë me krimin.
“Po ia hiqni tullat partisë tuaj një e nga një dhe këtë nuk e them unë por rezultati që ju ka sjellë këtu. Dhe do të vazhdoni t’ia hiqni nëse nuk e kuptoni se cili është roli juaj në këtë skemë”, ka deklaruar Rama.
Rama e ka cilësuar si të papranueshëm përdorimin e termit “krimi etnik shqiptar”, një term sipas tij i promovuar nga nacionalistët në qarqet europiane.
“Ky term të çon tek një pyetje, po ju politikanët etnikë shqiptarë çfarë jeni, kur nuk dini të ndani politikën tuaj me racizmin europian në Europën e sotme, që synojnë kundërvënien ndaj projektit të Europës së bashkuar për të cilën jemi të angazhuar të gjithë?”, ka thënë Rama.
Për Ramën, krimi etnik shqiptar është një shprehje raciste që duhet ta neverisin të gjithë, “ndërsa ju takoheni me ata që e përdorin dhe kjo më nxorri këtu”, ka vijuar Rama.
“Të bësh politikë me krimin është të bësh lobim për krimin. Dhe ju këtë keni 4 vjet e kusur që bëni dhe për këtë arsye jeni në këtë gjendje. Mbyllni çadrat”, ka shtuar Rama.
Basha: S’kam fuqi t’i bllokoj negociatat. I bllokon ti me krimin
Nga ana e tij, Basha është përgjigjur duke hedhur poshtë akuzat e kryeministrit, të cilat sipas tij aludojnë se opozita me deklaratat e saj po pengon integrimin.
Duke rimarrë fjalën në seancë, Basha i ka përsëritur rivalit politik përgjegjësitë e tij në krye të ekzekutivit.
“Dakord, ti hyre në Lazarat dhe për këtë pate mbështetjen time. Po ku janë bandat e Lazaratit? Nuk janë bandat sepse ti ktheve në Lazarat gjithë Shqipërinë. Nuk kam unë fuqi t’i bllokoj negociatat. Ti i ke bllokuar negociatat, sepse ti qeveris me krimin”, është përgjigjur Basha.
Në vijim të reagimit të tij ai ka shtuar se, “çadra (e protestës) do vazhdojë dhe çadër do të bëhet gjithë Shqipëria”.
/ Top Channel