Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 27-vjeçaren Enertila Beqja, nga fshati Manzë i Durrësit, e arrestuar tri ditë më parë nën akuzën e mashtrimit. Ndërsa vetë e pandehura ka deklaruar para togave të zeza se nuk ka lidhje me këtë histori.
“Nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje. Unë jam e pafajshme. Kërkoj të jem afër nënës time që e kam të sëmurë”, është shprehur ajo.
Sa i përket sendeve që Prokuroria sekuestroi në banesën e tyre (televizorë, lavatriçe, sende të tjera elektro-shtëpiake, bizhuteri, varëse, ora, vëthë, si dhe disa mobilie), 27-vjeçarja tha se i kanë blerë me të ardhurat e tyre, si dhe përmes ndihmës financiare që i kanë dhënë disa të afërm.
Ndërkohë, mësohet edhe emri i profilit të “Facebook”-ut me të cilin dyshohet se ajo ka mashtruar Barush Ahmetin, duke i zhvatur në një periudhë prej gati 3 vitesh, shumën e 60 milionë lekëve të vjetër. Emri i profilit ka qenë Elona Gjoka, megjithata e pandehura këmbënguli që është e pafajshme.
HISTORIA
Një histori e padëgjuar më parë, as nga prokuroria e as nga policia është regjistruar në Durrës, ku objekt është dashuria e 30-vjeçarit Barush Ahmeti, nga fshati Kullë i Durrësit me 27-vjeçaren Enertila Beqja nga fshati Manëz, pak km larg njëri-tjetrit. Për tre vjet ata kanë qenë të dashur virtual, por asnjeherë nuk e kanë konsumuar aktin fizik ndërmjet tyre. 30-vjeçari më 22 shtator e ka denoncuar në polici të dashurën e presupozuar prej tij, pasi për tre vjet me radhë vajza i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 60 milionë lekë. Policia bëri me dije se Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen: Enertila Beqja 27 vjeçe, banuese në Manëz të Durrësit. Ndaj saj, më 22 shtator ka bërë kallëzim shtetasi Barush Ahmeti 30 vjeç, i dashuri i saj, të lidhur në rrjetin social të “Facebook”-ut.
Vëllezërit e 30-vjeçarit me detyrë drejtor i Postës në Manëz, gjatë tre viteve të fundit kishin dërguar një shumë prej 60 mijë eurosh në banesë. Vëllai i tyre u kishte thënë se nëna është pa qejf, e për pasojë ata dërgonin lekë vazhdimisht. Kur emigrantët erdhën në shtëpi dhe nuk gjetën asnjë lekë në arkën e kursimit “shtrënguan” vëllanë e tyre i cili u tregoi se ja kishte dhënë vajzës me të cilën do të martohej. Vëllai u tregoi se vajza që ai dashuronte ia kishte marrë borxh, dhe do ia kthente në një të ardhme të afërt. 30-vjeçari kontaktoi vajzën nëpëmjet FB, dhe i kërkoi lekët që i kishte dhënë borxh, por ajo i bëri block, dhe u largua nga shoqëria me të.
I plagosur keq nga dashuria, i riu me origjinë nga Hasi, por edhe i zënë ngushtë nga vëllezërit e tij emigrantë në Angli prej shumë vitesh, iu drejtua policisë së Durrësit ku edhe bëri denoncimin./portali DurresLajm/