Home KRYESORE Basha u kërkon kancelerive perendimore: Duam Qeveri AntiMafia, ndryshe destabilitet

Basha u kërkon kancelerive perendimore: Duam Qeveri AntiMafia, ndryshe destabilitet

-Kreu i PD: Lidhja e krimit me politikën nuk garanton zgjedhje normale. Vendi po rrezikohet, po shkohet në përplasje të madhe të popullit me qeverinë e Ramës.

Në qëndrimet e opozitës dhe PD-së, gjithnjë e më tepër, po zë vend një togfjalëshi Qeveri Antimafia. Dje në takimin me drejtuesit e Institutit Demokrat Amerikan (NDI), kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se krijimi i një Qeveria Antimafia është e vetmja mënyrë për të normalizuar situatën në vend dhe për të garantuar procese demokratike. Sipas Bashës, lidhja e krimit me politikën ka krijuar një shtet mafioz dhe struktura që vënë në rrezik gjithë zhvillimet normale të vendit. Basha ka deklaruar para përfaqësuesve amerikanë se pas krijimit të Qeverisë Antimafie mund të vazhdohet me çështjet e tjera, si reforma zgjedhore apo proceset që lidhen me reformat integruese.

Për herë të parë termi Qeveri Antimafia u hodh në diskutimin publik me 18 tetor, gjatë takimit të gjithë partive të Frontit Opozitar. Në deklaratën e përbashkët të partive opozitare, një nga kushtet Frontit kundër qeverisë ishte krijimi i një kabinetit që do të shkëpuste lidhjet e krimit me zyrtarët e lartë të shtetit. Fill pas daljes së dosjes “Habilaj” dhe implikimit të ish-ministrit Saimir Tahiri kjo qeveri, me detyrë gati policore, përmendet nga opozita si e vetmja zgjidhja e problemeve emergjente që ka vendi. Një muaj pasi opozita ka shpallur këtë kërkesë asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e Qeverisë “Rama” ndaj opozitës. Edi Rama është munduar të shmang debatet për krimin dhe ka inauguruar disa aksione të Policisë së Shtetit, me argumentin se qeveria aktuale po e lufton krimin e organizuar. Sipas Ramës, kabineti i tij po e lufton krimin e organizuar.

Por nga ana tjetër, opozita PD-LSI kanë nisur një tjetër strategji. Fillimisht po testojnë ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre ndaj mundësisë për një qeveri të re. Jo rastësisht, Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në disa takime që kanë pasur me ndërkombëtarët këto ditë kanë theksuar faktin se mafia nuk mund të luftohet nga kjo qeveri që akuzohet si pjesë e krimit. Dosja “Habilaj” dhe akuzat e Prokurorisë ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri janë prova më e fortë që opozita paraqet në takimet me ndërkombëtarët. Edhe dje në takimin me zyrtarët e lartë të Institutit Amerikan (NDI) Basha ka theksuar rëndësinë që ka krijimi i një qeverie me mision luftën kundër krimit. Një qeveri e tillë nënkupton detyrimisht që Edi Rama të mos jetë më kryeministër dhe përballë kësaj kërkesë gjithë mazhoranca është vendosur në kundërsulm. Edi Rama po shfrytëzon me mjeshtëri konjukturat ndërkombëtare të BE për rajonin e Ballkanit duke e lidhur ekzistencën e qeverisë së tij si të domosdoshme për integrimin në BE. Në Bruksel, pa u hyrë shumë detajeve dhe akuzave në Tiranë, janë të gatshëm që vitin e ardhshëm t’i japin një shtysë procesit të integrimit për gjithë rajonin. Problemet e Shqipërisë i dinë dhe i njohin mirë, por për shkak se ky është një moment ku Ballkani duhet të ecë para drejt anëtarësimit, ndërkombëtarët i druhen trazimit të situatës politike në Tiranë. Ndaj dhe për shumicën e ankesave të opozitës dhe problemeve në Shqipëri, BE ka heshtur duke vlerësuar me shumë stabilitetin sesa realitetin e zhvillimeve në vend. Stabiliteti nuk ruhet me krimin e organizuar si bashkëdrejtues në qeveri. Ndërkohë, ku ka pasur mundësi kryeministri Rama e ka përjashtuar opozitën nga kontaktet me ndërkombëtarët, siç ishte rasti i fundit i takimit të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Nëse opozita e kundërshton këtë sjellje të qeverisë, Partia Socialiste e ka gati akuzën e radhës duke e etiketuar opozitën si antikombëtare dhe kundërshtare të integrimit. Kjo strategji mund të sjellë stabilitet për qeverinë, por jo normalitet në vend. Ndaj Basha dhe LSI kanë nisur ofensivën ndërkombëtare për sqarimin e pozicionit të tyre lidhur me situatën e krimit në vend dhe Qeverinë Antimafie. Jo rastësish, në retorikën e tij, Basha flet për një ndryshim pa dhunë të qeverisë dhe procese normale. Është mesazhi që u jepet ndërkombëtareve për një tranzicion të butë. Por nëse situata nuk ndryshon, opozita do të detyrohet të vendos ultimatume dhe të nxjerrë popullin në rrugë.

Nëse PD-LSI fillojnë protestat dhe bllokimin e jetës politike, atëhere përplasja do jetë e paparashikuar, këtë radhë. /Kohajone

Share: