Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka dërguar në Parlament emrat e dy kandidatëve për ambasadorë për postet e rëndësishme në OSBE dhe në Këshillin e Europës.
Ai ka propozuar Igli Hasanin si kandidat për ambasador në misionin e përhershëm pranë Organizatës për Siguri, Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Vjenë. Hasani do të zëvendësojë në këtë detyrë të ngarkuarën me punë, Ravesa Lleshi.
Kjo e fundit nuk u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani në dhjetor të vitit 2015. Ravesa Lleshi ka qenë këshilltarja e ministrit Bushati dhe ajo u propozua si ambasadore në vend të Spiro Koçit, diplomat karrierë dhe prej shumë vitesh përfaqësonte Shqipërinë në OSBE.
Ndërkohë që kandidatura tjetër është Albana Dautllari, e propozuar si ambasadore në krye të misionit të përhershëm të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, në Strasburg. Dautllari do të zëvendësojë në këtë detyrë Adriana Hobdarin, e cila është emëruar si ambasadore në Greqi.
Të dy kandidatët do t’i nënshtrohen sipas ligjit seancës dëgjimore në Komisionin e Politikës së Jashtme.
Por Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar detyrimin ligjor të seancës dëgjimore për ish-kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika.
Për këtë të fundit, Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta dërgojë si propozim direkt në Presidencë, duke anashkaluar Komisionin e Jashtëm. Visho Ajazi Lika është propozuar si kandidat për ambasador në selinë diplomatike në NATO, si zëvendësues i ish-deputetit të PD-së, Leonard Demi./opinion.al