Home KRYESORE Deputeti më i ri i parlamentit, çami që i hyri stadiumit me...

Deputeti më i ri i parlamentit, çami që i hyri stadiumit me makinë për të shkelur arbitrin

Dritan Bici ka gjasë të ulet në parlament, nëse KQZ vendos ti heqë mandatin Aqif Rakipit, deputetit të PDIU-së për qarkun e Elbasanit. Por Dritan Bici nuk është krejtësisht i panjohur, ai ka aderuar në PS deri para dy vitesh dhe ka mbajtur detyra të rëndësishme si kryetar bashkie dhe n/prefekt. Tashmë është me PDIU dhe i listuar në qarkun e Elbasanit, si përfaqësues i Gramshit. Gjithashtu do të mbahet mend si i vetmi kryetar bashkie që i hyri fushës së sportit me makinë për të rrahur arbitrin.

Pak histori

Dritan Bici në mars të vitit 2013 kur ishte kryebashkiak i Gramshit, hyri me makinë në stadium për të rrahur arbitrin e ndeshjes, pasi ishte i pakënaqur me vendimet për ndeshjen.

Ngjarja skandaloze tërhoqi vëmendjen edhe të mediave të huaja. “Elf Voetbal”, revista më e madhe për futbollin në Holandë, ishte një nga mediat e huaja që e ka pasqyruar ngjarjen. Asokohe kryebashkiaku u dënua për të mos hyrë në stadium deri në fund të sezonit futbollistik. Për atë ngjarje ai kërkoi falje publikisht, duke shpjeguar edhe arsyet përse e shtynë të futej në stadium me makinë për të dhunuar arbitrin.

Lidhja e tij me partinë e Shpëtim Idrizit është e re, pasi që prej vitit 1992, Bici ka qenë pjesë e strukturave të PS-së dhe kryebashkiak i kësaj force politike për vite me radhë. Përplasjet me PS-në nisën në vitin 2015. Kur e kuptoi se Rama nuk do ta rikandidonte më në zgjedhjet lokale, ai nisi sulmet publike ndaj Damian Gjiknurit, i dërguari i Ramës si koordinator për qarkun Elbasan.

Gjiknuri nga ana tjetër përmes ILDKPI i bëri kallëzim për fshehje të pasurisë Dritan Bicit. Megjithatë ai rikandidoi për Bashkinë Gramsh me ‘Frontin e Majtë’, duke humbur përballë Luljeta Dollanit të PS-së.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, Dritan Bici nisi përplasjet edhe me Anastas Angjelin, i dërguari i PS-së në Gramsh.

Dritan Bici figuron gjithashtu edhe i dënuar me vendim gjykate. Sipas asaj që ai shkruan në formularin e vetëdeklarimit, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në shtator 2013 për incidentin që ndodhi në stadium. Ish-kryebashkiaku është dënuar me 60 orë punë të detyruara për interes publik. Dënimi në këtë formë ka zgjatur rreth 5 muaj. Nuk dihet nëse ky dënim mund t’i rrezikojë atij sërish mandatin që pritet të marrë, gjithmonë po që se KQZ-ja do të votojë kundër Aqif Rakipit.

Në formularin e vetëdeklarimit, Dritan Bici shkruan ndër të tjera se ka qenë edhe emigrant i paligjshëm në Greqi në vitet 1993-1995./opinion.al

Share: