Nga Mentor Kikia
Pallati i Madh, dhe i vetmi, i kulturës në Tiranë, e ndoshta edhe në gjithë vendin, prej vitesh ishte bërë një qendër biznesi. Kishte mbetur aty vetëm Opera dhe Biblioteka Kombëtare që mezi merrte frymë. Në mënyrë sistematike, qeveritë që ndryshonin ngjyrë por jo mendje, qendrën më të madhe të kulturës në Shqipëri e shndërruan në qendër sipërmarrjesh.
Ka aty zyra agjencishë ajrore, zyra biznesesh, kafene, agjenci këmbimi valutor, zyra bankash, mejhane cfaredo, zyra institucionesh të huaja, me dhe pa lidhje me kulturën… Ndërsa Biblioteka Kombëtar i mban librat nëpër thasë, duke u mykur, sepse nuk ka vend ku të vendosë rafte.
Kryeministri Rama, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e 95 vjetorit të themelit të Bibliotekës Kombëtare, tha se këto mjedise do ti kthehen bibliotekës.
“Cungimi i saj, tkurrja, ndarja e godinës.. ka qenë problem gjatë këtyre viteve duke ja dhënë biznesit. Sot është e detyrueshme që kapacitetet e saj të bëhen të plota. Jemi plotësisht të angazhuar dhe do ja kthejmë bibliotekës. Jo thjesht për bashkim fizik por për të zhvilluar projekt të ri. Do të mbështesim projektin dhe transformimin e tyre, ku të gjitha funksionet e vjetra apo të reja mund të kryhen në mënyrë shumë më cilësore”- kështu tha kryeministri, duke dhënë sinjalin e parë që objekti më i rëndësishëm kulturor në vend, pas 25 vjetësh të fillojë ti shërbëj realisht kulturës sonë.
Shpresoj që ato biznese, që bëjnë sehir nga maja e pallatit të kulturës, të mos kenë kontrata si ato kompanitë e huaja që u kanë vënë tubin puseve të naftës e i thithin duke mos paguar as taksa, pasi kështu e parashikon marrëveshja koncensionare, që prishet vetëm nga gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit.