Partia Demokratike ka përfunduar procesin e analizës së zgjedhjeve, 6 muaj pas humbjes së rëndë që mori në zgjedhjet e 25 qershorit.
Më 7 tetor, kreu i PD, Lulzim Basha, pasi deklaroi se mban përgjegjësitë kryesore për humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit, kërkoi të analizojë çdo faktor, që e thelloi edhe më tej disfatën e demokratëve.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se pjesa më e madhe e të deleguarve në degë kanë paraqitur te Basha raportet konfidenciale, që evidentojnë shkaqet e humbjes, bashkangjitur me to edhe rekomandimet që përfaqësuesit në degë kanë bërë për ndryshime në statutin e Partisë Demokratike.
Pritet që në muajin shkurt, Lulzim Basha të firmosë një udhëzim për riorganizimin e forcës së tij politike. Burime nga PD bëjnë me dije se janë dy variante se si mund të realizohet riorganizimi i strukturave të Partisë Demokratike. Mundësia e parë është që pasi Basha të jetë njohur me procesin e analizës, ta fusë të gjithë forcën e tij politike në zgjedhje.
Ndërkohë që varianti i dytë, është që në zgjedhje të futen vetëm ato degë, kryetarët e të cilave i ka mbaruar mandati. Në të dyja rastet, vendimi i Bashës do të jetë i ndikuar nga performancat dhe kontributet e dhëna nga kryetarët e zgjedhur rishtas në krye të degëve lokale të PD.
Do të jetë udhëzimi i kreut të PD-së, ai që do të përcaktojë se cilat degë do të hyjnë në zgjedhje dhe çfarë kriteresh do të ketë për ata që do të zgjidhen. Në këtë udhëzim, Basha pritet të caktojë sërish të deleguar në të gjitha degët e PD.
Burime nga selia blu konfirmojnë se Basha do ta çojë procesin e riorganizimit të forcës së tij politike deri në fund, pavarësisht aksionit politik të opozitës. Të deleguarit e Bashës në degë kanë sjellë një sërë rekomandimesh, që strukturat i sugjerojnë kreut të PD-së për zgjedhjet e brendshme në parti apo edhe për ndryshimet në statut.
Të njëjtat burime sqarojnë se, disa degë kanë kërkuar që kryetarët e degëve lokale të zgjidhen përmes parimit një anëtar, një votë, model ky i ndjekur edhe për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe kreut të FRPD-së. Gjithashtu, ka pasur rekomandime që kandidatët për kryetarë bashkish t’i zgjedhin degët dhe jo kryesia e PD-së në Tiranë.
Të gjitha këto rekomandime do të duhet të analizohen fillimisht nga Basha dhe lidershipi i tij e më pas, të pasqyrohen në udhëzimin që do të tregojë modelin e riorganizimit të partisë. Procesi i zgjedhjeve në seksione, grupseksione dhe degë parashikohet të zgjasë jo më pas se 3 muaj, duke u përmbyllur në muajin prill.
Në përfundim të këtyre zgjedhjeve do të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili parashikohet të mblidhet në muajin maj. Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë Këshillin e Ri Kombëtar dhe Kryesinë e Re të Partisë Demokratike.panorama/