Home KRYESORE Duhet vizion tjetër znj. Topalli…

Duhet vizion tjetër znj. Topalli…

Nga Ilir Levonja

A t’i them dy fjalë Jozi. Pasi më është ngulur në kokë një gjë, që… Vendi ynë do ndreqet kur demokrati të merret me demokratin. Dhe socialisti me socialistin. Sidomos kur jemi në pushtet. Përshembull këtë duhet të bëjnë socialistët tani me shtetarët e tyre. Sidomos kur kemi qënë gjatë në pushtet. Dhe ti shyqyr të madhit, nuk ke qëndruar pak. Nga 1996 e këtej. Dhe je akoma aty. Përse e them këtë. Thjesht për të ndryshuar tashmë atë konceptin mbi perceptimin që kemi për njëri-tjetrin. Demokrati karshi demokratit. Dhe demokrati karshi socialistit dhe anasjelltas. Kaq vite demokraci, kaq shumë jemi marrë me njëri-tjetrin sa produkti i urrejtjes sonë ka pjellur me shumicë politikanë të dështuar. Kam parë demokratë provincash me lista parazgjedhore gati. Ashtu siç kam parë socialistë po provincash me lista prerje kokash në administratë. Ashtu siç kam parë barkaliqër të përjetshëm administrash. Të cilët kurrë nuk u hyri gjëmbi në këmbë. Edhe pse në pushtet ishte Enveri.Po kështu dhe kur erdhi Saliu, Nano, ti e me radhë.

Herën e fundit që të dëgjova, qe ajo para pak ditëve. Kur për inat të Taulant Ballës u tregove shqiptarëve për të qindën herë persekutimin tënd, dhjetat, dhe çfarë të them. Respekt për vuajtjet e tua. E sidomos të prindërve. Të familjes tënde. Por nuk bëhet më kështu. Vuajtja nuk është meritë. As dekoratë. Vuajtja është fatkeqësi që të bie për pjesë nga dështakë dhe manjakë regjimesh. Dhe që të mos përsëriten ato. Të mos përsëritet denigrimi, degdisja, përbuzja, racizmi dhe lufta e klasave. Duhet të qeverisim ndryshe. Për hatër të meritës jo të vuajtjes. Faza e parë e demokracisë ishin vuajtjet. Faza e dytë ndërtimi i shtetit të së drejtës mbi bazën e ligjit. Mbi të parën ne ishim shumë bujar karshi njëri-tjetrit. Në dy raste me drama të mëdha shekullore. Atë pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Kur bëm me shumicë qeverisës të të gjitha niveleve nën emrin e shtëpisë bazë. Dhe pas rënies së socializmit. Po ashtu nën emrin e të persekutuarit, të të përndjekurit bëm shumë administratorë, shtetarë. Madje me shumicë, edhe nga rraca e persekutorëve. Madje edhe krushqi. Megjithëse nga foltoret flasim dhe tregojmë me gisht armiqë, persekutorë, sharlatanë.

Fazën e dytë ne dështuam. Nuk e bëm dot shtetin asnjëherë ligjor. Por ca vite të demokratëve dhe ca vite të socialistëve. Ndaj sot është demode të ankohesh më për persekutim. Sidomos pas 8 vitesh qeverisje. Ne dështuam, pasi nuk i hapëm dosjet. Thënë kjo me qindra herë. Në katërvjeçarin e dytë si demokratë, iu gëzuam pushtetit në një aleancë të brishtë. Aspak natyrale. Madje edhe pse goditjet i merrnin brinjëve. Po prej saj. Më shumë na dhëmbi karrika se sa përsosja e shtetit. Po dështojmë duke thënë se na manipuluan zgjedhjet. Kur ishim ne organizatorët. Po vazhdojmë të dështojmë pasi qëllimin e madh, po e minimizojmë në djegie bunkerësh. Qëllimin e madh po minimizojmë tek ankesat personale të një kohe. E cila duam apo nuk duam ne, jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Eshtë kjo arsyeja që nuk ka ndjesë publike ndaj vuajtjeve të familjes tënde. Ashtu sikur është po kjo arsyeja që kurrë edhe si shtet ne nuk morën një herë vendimet e duhura. Në drejtim të ligjbërjes. Të bërjes së shtetit. Nuk mbrohen kauzat e një populli me shokët e djalit apo të vajzës.

Përpjekja për reforma të thella. Përpjekja për të pastruar administratën nga ata që tregon me gisht një ambasador i huaj. Ne dështuam, pasi thelluam dasimin dhe luftën klasore. Madje tipare të qarta të saj, gëlojnë edhe mes demokratëve. Ka aty një kulturë gati absurde të vetflijimit për të qënë në rresht. Që je demokrat apo nuk je, sapo thua diçka ndryshe njëshit. Nuk je demokrat kur të mbron ty në luftën absurde me një absurd si Taulant Balla. Nuk është kjo meritë të të mbash ligjëvënese, qoftë ty. Qoftë deri te vet Sali Berisha etj. Ka një kohë pensionimi për çdo qënie njerëzore, aktive.

Dhe, më vjen keq se ty të ka rënë për pjesë disi më shpejt. Demokratët sot i ngjajnë vëllezërve që shihen në gjyq. Ka një kulturë të dëmshme sidomos kur e mendon vetveten si vlerë e pazëvendësueshme. Kanjë kulturë penguese që i kthehesh kryetarit, kur e kupton që nuk merr një vend në strategjitë e reja. Ka një kulturë dështuese e thirrjeve duam babën. Alla Nano kur u thoshte pesë socialistëve të dehur nga ekstravaganca e tij. Se e di që po më luteni, kthehu baba. Na shpëto. Qoftë ti, por deri edhe tek Sali Berisha. Tashmë i përkisni historisë, me të mirat dhe të këqijat. Dhe si histori duhet të mblidheni në stendat e një muzeu. Në historinë e brishtë të një partie pluraliste. Që në historinë e Shqipërisë nuk është e para.

Duhet një vizion tjetër tashmë Jozefinë. Punuan mjaft për ty demokratët. Një vizion i ri, gjak i ri…

Share: