Home KRYESORE Botohet libri “Territori i luftës së heshtur “ i gazetarit Selim Ibraimi

Botohet libri “Territori i luftës së heshtur “ i gazetarit Selim Ibraimi

Doli nga shtypi libri “Territori i luftës së heshtur”-(Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Europën Juglindore) i gazetarit dhe ekspertit shqiptaro-amerikan Selim Ibraimi.

Redaktori amerikan i librit dhe profesori nga Webster University Scott Air Force Base, Illinois David Ratliff, në lidhje me botimin thotë se në fillim të shekullit të kaluar, Ballkani ishte shkëndija që ndezi flakët e tmerrshme të Luftës së Parë Botërore.

Selimi i shqyrton gjurmët e zgjatura të konflikteve të kaluara dhe armiqësitë e mbetura që qëndrojnë pezull mbi rajon si një errësirë ​​e thellë.

Ndërkaq recenzenti dhe publicisti Emin Azemi në kritikën e tij thekson se me librin e tij të radhës ‘’Territori i luftës së heshtur’’studiuesi Selim Ibraimi thellon observimin e tij, duke risjellë në vëmendjen e lexuesit të gjitha faktet që e bëjnë rajonin e Ballkanit dhe Europën Juglindore përgjithësisht, një zonë mjaft aktive që vazhdon të prodhojë gjeopolitikë dhe beteja të heshtura financiare.

“Si një njohës i mirë i historisë së formimit të shteteve dhe popujve, autori me guximin e një studiuesi modern përdor metoda mjaft të avancuara në përkufizimin e faktorëve që ndikojnë në prishjen e balancave gjeostrategjike, siç mund të jenë resurset natyrore, si dhe hapësirat etnike që jo gjithmonë korrespondojnë me hapësirat shtetërore”- thotë më tej Azemi.

Historiani dhe njëkohësisht recenzenti i librit, prof dr. Fehari Ramadani, në vështrimin e tij shkruan se ”sipas autorit faktori i jashtëm ishte përcaktues në krijimin e shtet-kombeve në Ballkan. Asnjëri nga popujt e Ballkanit, nuk mund të fitonte pavarësi, pa siguruar paraprakisht mbështetjen e ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha”.

Dr. Ramadani thekson: “Sipas autorit Republika e Maqedonisë u krijua, nga Tito, për të balancuar interesat greke dhe bullgare. Por, ky shtet i ri në kuadër të ish-RSFJ-së, iu dorëzua ekskluzivisht popullit maqedonas, duke përjashtuar nga pushteti shqiptarët”.

“E njëjta politikë vazhdoi edhe pas pavarësimit të Maqedonisë, e cila u shpall shtet i popullit maqedonas. Me këto veprime u përjashtua ideja e popujve të ndryshëm, të cilët jetonin në territorin që gjeografikisht quhej Maqedoni për të krijuar një shtet sipas modelit të Zvicrës”.

Sipas prof. dr. Fehari Ramadani libri “TERRITORI I LUFTËS SË HESHTUR” do t’u shërbejë studentëve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare si dhe studiuesve që merren me këtë çështje.

Ndërsa recenzenti tjetër prof.dr. Jusuf Zejneli analizon se autori Selim Ibraimi, në librin e tij “Territori i luftës së heshtur” ka sjellë një përvojë të re lidhur me sistemin politik të Republikës së Maqedonisë, nga këndvështrimi i politikave të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të posaçëm sfidat e shoqërive multietnike, duke përfshirë edhe perspektivat e Ballkanit Perëndimor.

Për më shumë James Pettifer, ekspert për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Oxfordit, nënvizon se botimi i Ibraimit është “një studim i qartë dhe i dobishëm që tregon rëndësinë e vazhdimit të pranisë së Shteteve të Bashkuara në Ballkanin jugor, sidomos të Adriatikut”.

Në hyrjen e librit, Selim Ibraimi shkruan: “U bë një shekull nga Revolucioni Bolshevik i vitit 1917 dhe kujtimet për rivizatimin e kufijve në territorin Euroaziatik po ngjallin ankth të ri në fund dekadës së dytë. Luftërat ballkanike dhe ato botërore në teatrin europian jo vetëm që prodhuan kombe të reja por lanë pas vetes shumë çështje të paszgjidhura të popujve tashmë të emërtuara si pakica kombëtare”.

Sipas tij popujt e rajonit kanë shumë dëshira duke filluar nga anëtarësimi në NATO dhe në BE, por në këtë rrugëtim asgjë nuk është e sigurtë pasi kauzat kombëtare të etnive të mbetura nën shtetet aktuale ende nuk kanë marrë fund.

Libri është i ndarë në pesë kapituj duke filluar me kreun e parë:

“BOTA POST LIBERALE DHE BALLKANI”, “AMERIKANËT ME PLANE TË REJA- ÇËSHTJA E MAQEDONISË, ”ORIGJINA E PROBLEMIT TË MAQEDONISË”, ”HAPËSIRA, TERRITORI DHE SOVRANITETI SHTETËROR” DHE KAPITULLI I FUNDIT TITULLOHET “PROJEKSION PËR TË ARDHMEN E MAQEDONISË DHE BALLKANIT PERËNDIMOR”.

Gjithashtu gazetari Selim Ibraimi është autor i librit “Paqja e Ftohtë” i botuar në vitin 2016 dhe i përkthyer në gjuhën maqedonase në vitin 2017.

Libri është botim i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim –Maqedoni (ISSD).

Share: