Home KRYESORE Rruga Tiranë-Elbasan/ Vihet në pranga Dashamir Xhika, ish-drejtori i Rrugëve

Rruga Tiranë-Elbasan/ Vihet në pranga Dashamir Xhika, ish-drejtori i Rrugëve

Është shoqëruar mbrëmjen e djeshme, ish-drejtori i Rrugëve në qeverinë Rama 1, Dashamir Xhika. Lajmi konfirmohet nga burime për Opinion.al. Xhika ishte i emëruar nga LSI në postin e rëndësishëm, në kohën kur Ministria e Transporteve drejtohej nga Haxhinasto.

Xhika u kallëzua penalisht pak kohë më parë nga ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës në qeverinë Rama 2, Damian Gjiknuri.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte bërë një kontroll pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë së Elbasanit në ngarkim të shtetasve:

Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.

Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.

Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.

Sipas Gjiknurit, abuzimet në këtë aks kanë shkaktuar pasoja të rënda për interesat e buxhetit të shtetit. Personat e kallzuar, të cilët kanë ushtruar apo ushtrojnë funksione publike, me veprimtarinë e tyre, krijojnë bindjen e arsyeshme se me veprimet e mosveprimet, kanë patur edhe qëllime korruptive dhe duhet të jenë rezultat i pranimit të ofertave apo i premtimeve për përfitime të parregullta nga vet personat e kallëzuar.

Dyshohet se dëmi ekonomik kap vlerën e 53,983,340 USD. Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.

Share: