Home KRYESORE Qeveria turke po nxit mentalitetin patriarkal, rritet dhuna ndaj grave

Qeveria turke po nxit mentalitetin patriarkal, rritet dhuna ndaj grave

Një në çdo dy gra të martuara në Turqi, pothuajse është viktimë e dhunës në familje. Një nga shkaqet është mentaliteti patriarkal që po nxitet nga qeveria turke

Birguli ishte një nga rreth 340 viktimat e dhunës në familje në vitin 2017 në Turqi. I shoqi e kishte rrahur rregullisht për 15 vjet me radhë. Edhe pse i qe dashur të shtrohej tri herë në spital me plagosje serioze, ajo nuk e kishte lënë atë nga frika se mund t’u bënte ndonjë gjë dy fëmijëve që kishin. “Birguli gjithmonë thoshte: Çfarë do të ndodhë me fëmijët e mi nëse e lë? Ata kanë nevojë për babanë. Po u ktheva tek ju, do t’i bëj dëm gjithë familjen. Po se do shkonte puna deri tek vrasja, këtë nuk e prisnim.” – tregon kushërira e Birgulit Segega.

Por një ditë vere dhuna arriti kulmin. “Babai e rrahu nënën brutalisht, kështu që ajo mori të ikte nga shtëpia nga paniku. Pas kësaj babai nxori armën e tij nga dollapi dhe i futi një fishek. Unë i dola përpara dhe thashë: të lutem, baba, mos e bëj! Mos na e prish jetën tonë. Ai më rrahu dhe më shtyu mënjanë me armën e tij. Pastaj u largua nga shtëpia duke e ndjekur nënën nga pas.” – tregon djali i Birgulit, Hyseini.

Diskriminim i përgjithshëm ndaj grave

I shoqi e qëlloi Birgulin për vdekje me armë në mes të një rruge në lagjen Kasimpasa të Stambollit. Më vonë ai i tha policisë: Më preku në nder. Avokatja Ipek Bozkurt që përfaqëson familjen e Birgulit në procesin gjyqësor, thotë se dhuna kundër grave në Turqi është rritur vitet e fundit ndjeshëm. “Natyrisht fakti që një burrë e di që nëse vret ose rreh një grua, teorikisht mund të shpëtojë duke marrë një dënim shumë të butë, hap derën për të gjitha llojet e krimit të dhunshëm dhe natyrisht, diskriminimi i përgjithshëm ndaj grave çon gjithashtu në më shumë dhunë ndaj tyre.” – thotë avokatja.

Birguli është një nga rreth 340 gratë që janë vrarë nga burrat e tyre në vitin 2017 në Turqi. Ky është një numër i supozuar, sepse shifra zyrtare nuk ekzistojnë. Motivet e veprimeve janë të ngjashme: kryesisht është xhelozia ose frika se gratë mund të kërkojnë divorcin.

Dhuna, rutinë e përditshme

Organizatat turke për të drejtat e grave ankohen se dhuna ndaj grave është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Madje gratë përjetojnë dhunë edhe në rrugë të hapur, kush dikush nuk është veshur si duhet apo është veshur në mënyrë moderne. Aktivistët e të drejtave të grave bëjnë përgjegjëse për këtë zhvillim qeverinë islame-konservatore turke.

Në shoqëri, dhuna është bërë rutinë e përditshme – dhe gratë po e ndiejnë këtë të parat. Përveç kësaj edhe dënimet për autorët e këtyre veprave janë shpesh shumë të buta. Por shumë gra turke nuk duan ta pranojnë më këtë gjë po organizohen. Dilara Gevrek, nga organizata “Parlamenti i Grave Stamboll” thotë: “Ashtu si pothuajse çdo grua në Turqi edhe mua më kanë ngacmuar verbalisht në rrugë ose kur po shkoja të merrja autobusin apo metronë. Burrat që e bëjnë këtë gjejnë mbështetje tek qeveria. Sepse ajo pothuajse u rreh burrave shpatullat dhe thotë: mirë e bëre, burrat kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

Kjo shoqatë po proteston kundër zbutjes së ligjit 6284. Një ligj që mbron gratë nga dhuna. Gratë kanë frikë se qeveria po forcon të drejtat fetare. Ndërkohë që disa pushtetarë i kanë të drejtat moderne të grave halë në sy./DW

Share: