Home KRYESORE Një kujtesë për të paditurit e shkencës dhe praktikës ekonomike

Një kujtesë për të paditurit e shkencës dhe praktikës ekonomike

Nga Kasem Seferi

Më duhet të bëj të ditur për të gjithë ata që shfaqen ekraneve të TV – ve si ekspertë, apo nuk e di se çfarë, por janë të paditur (t’u thuash injorantë iu duket sikur i shan nga nëna) në lidhje me atë çfarë po ndodh në ekonominë botërore, rajonale dhe vendore.

Kriza e fundit financiare dhe ekonomike si dhe pasojat e saj, vërtetoi se asnjë vend nuk ishte i imunizuar nga ndikimi i saj dhe kjo bëri që politikanët, menaxherët dhe ekspertët të jenë më pak të sigurtë nga sa ishin më parë në lidhje me atë çfarë ata kishin nënkuptuar me “institucione të mira” dhe “politika të mira”.

Viktima të pafajshme të krizës financiare financiare dhe botërore ranë, veçanërisht, vendet në tranzicion, nëpërmjet ndikimit të efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve dhe dërgesave.

Në vende më pak të integruar siç është Shqipëria, shkalla e ndikimit të krizës qe e ndryshme krahasuar me vendet me sufiçit buxhetor, me rrjete më të mira sigurie dhe në ato vende me sisteme më të rregulluara, të cilat arritën t’i bëjnë ballë më mirë krizës financiare.

Njihet mirë rëndësia që kanë veprimet e qeverisë për korigjimin e zhbalancimeve botërore, edhe pse këto të fundit nuk qenë përgjegjëse për krizën financiare dhe ekonomike botërore, por kjo nuk përjashton mundësinë që veprime të tilla të mund të shkaktojnë një krizë tjetër vendore.

Në këtë kohë, kërkohet gjetja e balancës së përshtatshme ndërmjet tregut dhe shtetit dhe, natyrisht, nga një vend në tjetrin dhe, nga koha në kohë, balancat do të jenë të ndryshme.

Qeveria duhet të luajë rolin e saj jo vetëm për të “parandaluar aksidentet”, por gjithashtu në çuarjen përpara të ideve dhe propozimeve të mira për politikat fiskale dhe monetare, si dhe harmonizimin e tyre.

Politikat që nxiti dhe po nxit Qeveria Rama po shkaktojnë krizë dhe po e acarojnë shkallën e klimës së biznesit me pasojë rënien ekonomike, si dhe kontributin në përhapjen e shpejtë të mosbesimit te qytetarët.

Në këtë mënyrë këto politika kanë minuar autoritetin e institucioneve dhe individëve që i nxitën këto politika.

Kjo është arsyeja kryesore përse nevojitet që qeveria të luajë një rol të rëndësishëm në përfshirjen e politikave të të mësuarit, të politikave fiskale, monetare dhe asaj të teknologjive të reja dhe moderne, duke njohur se çfarë e ndan Shqipërinë nga vendet e tjera të rajonit dhe nga vendet anëtare të KE – së, pra për të mbushur boshllëkun në dije (sepse politika të tilla janë tejet të rëndësishme, veçanërisht, për zhvillimin e bujqësisë).

Kuptohet se financat duhet të jenë një instrument kyç, gjë që nënkupton se tregjet financiare private të mos fokusohen shumë në aspektin afatshkurtër, prandaj nuk duhen miratuar politika liberale për tregjet financiare dhe ato të kapitalit.

Toka është një çështje kyç për zhvillimin e vendit për shkak të zvogëlimit të dukshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore, si dhe acarimit që vazhdon të shkaktojë veprimi erodues i lumejve jo vetëm në gërryerjen, por dhe në kënetizimin e tokës, si në brendësi të vendit ashtu dhe në ultësirën perëndimore, ku ujrat e detit erodojnë tokat dhe kërcënojnë kripëzimin e burimeve të ujit të pijshëm.

Ka pak ndryshime institucionale që dëshmojnë se kanë ndryshuar mënyrat për t’i shmangur këto pasoja.

Shqipëria, gradualisht, po bëhet një vend më pak i pasur në burime, ndërkohë që ka një popullsi të varfër, gjë që tregon se shfrytëzimi i burimeve nuk ka sjellë rritjen e punësimit, për shkak të teknologjive të vjetra dhe dijeve të varfëra, gjë që e ka kufizuar rritjen ekonomike, duke treguar se pasuria e nëntokës nuk është më kryesuese, por duhet riinvestuar mbi tokë me qëllim që vendi të mos bëhet më i varfër.

Kriza financiare dhe ekonomike botërore vërtetoi se pa ndërhyrjen e qeverive bota do të ishte në një depresion madhor, gjë që shpjegon përse duhen forcuar kapacitetet politiko – administrative për të gjetur një balancë më të mirë ndërmjet tregut dhe shtetit.

Ja përse duhen hartuar politika më të përshtatshme fiskale dhe monetare, përsa i përket shënjestrimit të inflacionit ashtu dhe stabilitetit të rritjes ekonomike, si dhe për të siguruar stabilizatorë automatikë dhe sisteme fleksibël të mbrojtjes shoqërore.

Përfundimisht, kriza financiare dhe ekonomike botërore tregoi se politika të tilla që fokusohen më shumë mbi stabilitetin dhe tejet pak mbi rritjen ekonomike, në fund të fundit nuk sjellin si rezultat as rritje ekonomike dhe as stabilitet, sepse edhe rritja ekonomike tregoi se nuk ishte e qendrueshme.

Roli dhe reputacioni i politikanit dhe politikës në botën e ditëve tona, varen nga kontributi që do të japë secili për ngritjen e shpresës te popujt te njerëzimi për një jetë më të mirë.

Kapërcimi i krizës aktuale të ekonomisë shqiptare është një kërkesë për një zgjedhje të rradhës, ndërsa parandalimi i krizave ekonomike në të ardhmen do të kërkojë gjithnjë e më shumë zhvillimin dhe përsosjen e institucioneve të ekonomisë, për të ngritur nivelin e jetesës anekënd vendit tonë.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: