Home KRYESORE Blendi Fevziu i shkruan hapur Edi Rames

Blendi Fevziu i shkruan hapur Edi Rames

I nderuar zoti Kryeministër,

Po ju drejtohem Ju, duke cituar një thënie të një politikani që ju nuk besoj se e vlerësoni shumë, por që në historinë politike botërore ka lënë shumë gjurmë. Në një nga fjalimet e tij, Çurçilli thotë:

“Nëse godet me gur çdo qen që të leh rrugës, nuk ke për të arritur kurrë atje për ku je nisur!”

Ndaj duke mos dashur t’i përgjigjem çdo koneje të kopesë tënde politike dhe duke vënë në provë vërtetësinë e premtimeve të tua, po ju drejtohem direkt. Keni thënë që Ju dhe forca politike që drejtoni do t’u japë fund akuzave abuzive, retorikës boshe dhe do të mbështetet vetëm tek faktet.

Jeni shprehur në studion time se: Nuk jemi të gjithë njësoj, por dyshoj. Në fakt, ose Ju gënjeni dhe keni dy standarte, ose keni dështuar ta impononi këtë filozofi.

Pak ditë më parë, një shkrim që sqaronte se shumë politikanë kanë dhe manifestojnë një kamje të pajustifikuar ngjalli reagimin e ashpër të nja dy  deputetëve të forcës politike që Ju drejtoni. Nuk e di se përse kjo gjë ju dogji kaq shumë juve, sepse disa ditë më parë, kur në një organizim të opozitës deklarova se kamja (edhe e atyre) ishte një problem për besueshmërinë e opozitës nuk reagoi kush. Madje as kontestuan shprehjen time: “Se opozita nuk bëhet me makina luksoze Mercedes dhe as me marka celebritetesh”. Shpresoj që ata të reflektojnë sepse do të ishte mirë për këtë vend. Por ky është problemi i tyre. Problemi juaj ishte tjetër. Ishte përgjigjia me një ditiramb akuzash, asnjë fakt dhe me një stil që Ju e njihni mirë dhe keni thënë se e dënoni. Në fakt deri tani s’e keni bërë, madje po e stimuloni.

Po ju them dy fjalë për veten meqenëse Ju jeni sot Kryeministër i këtij vendi dhe jo publicist. Dhe keni përgjegjësi për të gjithë.

Në Janar mbush plot 25 vjet si gazetar profesionist. Që nga viti 1992 nuk jam paguar kurrë nga shteti dhe as nga taksat e qytetarëve. Për 23 vjet jam paguar me rroga nga më të lartat që jepen në Shqipëri. Të gjitha rrogat e mia kanë qenë të deklaruara. Paguhen me bankë dhe mbahen edhe taksat atje. Kam trashëguar nga familja disa prona, një pjesë fare e vogël e asaj që regjimi komunist na konfiskoi. Për të tjerat po vijojmë betejën ligjore në Gjykatat Ndërkombëtare. Mjafton t’ju them se nuk kemi marrë asnjë përfitim nga qindra mijera metra katrorë që vetë shteti na i ka njohur në vitin 1994 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit dhe që sot i administron një kompani gjermane. Por edhe shumë të tjera. Kjo nuk ka rëndësi. Eshtë pjesë e një drame që u luajt dhe po luhet në shpatullat e gjithë ish-pronarëve. Pasi ime më ndërroi jetë, këto kaluan me akt trashëgimie në emër të time motra dhe timen. Veç atyre që ende janë nën administrimin e tim eti. Të gjitha veprimet e pronave kryhen në studio ligjore të mirënjohura dhe çdo pagesë për to bëhet përmes bankës.

Jam një njeri me fat në këtë drejtim dhe jetoj mirë. Besoj se do jetoja po kaq mirë edhe po të kisha më pak prona. Sepse jetesa është dije dhe jo thjeshtë mirëqënie. Por meqenëse ju e keqkuptoni, po vijoj.

Jam njeri me profil publik, por fati nuk më ka bërë të trokas për ndonjë nder të veçantë në dyert tuaja. Kam pasur raporte të mira e të këqija me Kryeministra, por nuk besoj se ndonjëri prej tyre më ka favorizuar për ndonjë gjë. Që prej ditës që jeni në detyrë për shembull, nuk kam shkelur kurrë në zyrën tuaj. Dhe Ju jeni dëshmitar për këtë. Nuk kam shkelur as në zyra ministrash për të kërkuar ndonjë favor. Shumë prej ministrave të tu majde nuk i kam takuar kurrë.

Meqenëse deputetë të partisë suaj bëjnë akuza të përgjithshme, po ju sfidoj. Përdorni gjithë instrumentat që keni në dorë: Tatime, polici, meteorologji, peshkim a ku di unë dhe verifikoni të ardhurat e mia.

Përtej kësaj sfide, ka edhe një tjetër personale. Një nga deputëtët e tu, bën aluzione për një pronë të madhe, në qendër të Tiranës, ku ime më, ishte pronarë e thuajse 1.8 % të sipërfaqes. Meqenëse ajo ka firmosur një kontratë sipërmarrje në vitin 1999 me 374 bashkëpronarë të tjerë, zotëria lë të kuptohet se aty janë bërë favore të pamerituara. Po, aty i është dhënë një grupi biznesmenësh leja për të ndërtuar një qendër tregtare. Lejen e keni firmosur Ju në vitin 2008 dhe pas jush i ndjeri Olldashi në 2009. Nuk kam pasur asnjë komunikim me Ju në atë kohë dhe jeni përpara sfidës.

Nëse Ju keni dhënë leje të parregullt dhe keni favorizuar 373 pronarë që t’ju bëje nder të 374 atëherë Ju keni shkelur ligjin. Unë nuk mbaj mend t’i kem dhënë ndonjëherë lekë dikujt në jetën time sepse s’më është dashur.

Nëse Ju keni marrë lekë për atë firmë, atëherë Ju jeni hajdut! Nëse jo, nëse gjithçka ka qenë e rregullt dhe brenda llogjikave normale se si është ndërtuar gjithë Tirana, atëherë konet e grupit tënd politik gënjejnë dhe mashtrojnë. Jepini përgjigje kësaj sfide po qe se ke kurajo qytetare.

Tani kthehem edhe një herë aty ku nisa. Përse Ju djeg kaq shumë njerëzve të partisë suaj akuza ndaj politikanëve që nuk e justifikojnë dot kamjen e tyre? Sepse zoti Kryeministër i kanë para të vjedhura.

Sepse zoti Kryeministër, i kanë para që i nxjerrin nga nënshtretrit e tyre.

Unë kam të ardhura mjaft të mira dhe shumë herë shokohem nga makinat që parkojnë deputetët e tuaj, mu para Kuvendit, mu përpara kamerave. Unë e njoh shumë mirë industrinë e modës, por shokohem kur shoh deputetë me çanta 5 ”“ 6000 Euro, me celularë 25 mijë Euro. Dhe nuk po flas për ata që i kanë fituar duke shfrytëzuar prostituta apo duke vjedhur vila në Itali sepse ata edhe i kuptoj, siç nuk kuptoj se 甘duan në Parlament. Jo, i kanë deputetë që gjithë jetën kanë marrë një rrogë prej maksimumi 1 000 Euro dhe u duhet të harxhojnë rrogën e 20 viteve vetëm për të justifikuar Range Rover-it e tyre.

I keni parë zoti Kryeministër?! Shkoni në apartamentet e tyre dhe hapini përpara mediave siç bëri në vitet ’60 Adnan Menderesi në Turqi. Hapini t’i shohin shqiptarët se kush i vjedh dhe kush banon në apartamente nga 500 metra katrorë dhe vila nga 900 metra katrorë me një rrogë prej 1 milion e 200 mijë lekësh (të vjetra) në muaj. Këta janë hajdutët zoti Kryeministër! Me këta duhet të merret Drejtësia. Ajo Drejtësi që keni frikë ta ndërroni.

Jo zoti Kryeministër, kjo nuk është betejë kundër pasurisë, kjo është betejë kundër të korruptuarve.

Ndaj po i rikthehem edhe një herë asaj që thashë në fillim. Keni deklaruar se nuk do merreni me akuza pa bazë; as me pështyrje dhe as me bërje pis. Mjaftoi një shkrim kundër të korruptuarve në politikë, që t’ju shthuri vathën zoti Kryeministër. Dhe t’ju nxjerri nga premtimet tuaja. Por nuk është premtimi i vetëm që harruat në fakt.

Sot nuk mund të shkruaj më gjatë se më duhet të nisem për emisionin tim të rradhës. Nesër do merrem prapë me këtë çështje. Nuk do ti përgjigjem asnjë koneje, por Ju, Metës dhe Bashës, direkt. Nuk do ndaloj asnjë moment së foluri për këtë çështje. Dhe ju siguroj që sa herë të hap këtë temë më shumë veta do të reagojnë. Listoni, për të kuptuar se kush ka frikë nga antikorrupsioni!

Blendi Fevziu, Opinion.Al

Share: