Artistët e Teatrit Kombëtar janë në protestë, dhe mes aktorëve është dhe Robert Ndrenika i cili i ktheu sot përgjigje letrës së ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Ai thotë se, ministrja nuk ishte e drejpërdrejtë dhe iu përgjigj me kunja thirrjes së tij, për të ndalur ndërtimin e një kulle, aty ku sot është Teatri Kombëtar.
Letra: E dashur Mirela!
Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta. Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.
Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira. Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën. “Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.
Me respekt
Roberti