Gazeta greke “To Vima”, intervistoi Presidentin Ilir Meta dhe, më pas, publikoi me theks vijat e kuqe të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.
Ditë më parë, pati edhe një takim të ambasadores së Greqisë me Presidentin Meta.
Prilli po vjen dhe, mesa duket, nuk do të jetë “Prilli i thyer” i vitit 2018!
Sidoqoftë, edhe pse jam përpjekur, me modesti, të jap informacion që do të vlente sadopak për publikun e më gjërë, po i rikthehem krizës greke të vitit 2008 e këtej.
Në fillim të vitit 2010 qeveria e kryeministrit Papandreu rezultoi me një borxh me vlerë 482 miliard US$ (që konsiderohej më i larti që nga koha e restaurimit të demokracisë në vitin 1974), me një defiçit buxhetor 12.7 për qind të PBB – së (ose më shumë se katër herë përtej pragut 3 për qind sipas standartit të çdo vendi anëtar të BE – së), me një borxh publik 113 për qind të PBB – së (që në vitin 2010 parashikohej të arrinte në 120 për qind të PBB – së), me një papunësi në masën 9.1 për qind (papunësia e të rinjve të aftë për punë 25.7 për qind) dhe me një evazion tatimor tejet të madh (të vlerësuar në masën 30 miliard euro/vit).
Qeveria greke u propozoi vendeve anëtare të BE – së një plan për të strukturuar defiçitin gjigant të vendit, me një plan trevjeçar, që përfshinte masat për shkurtimin e më shumë se 14.4 miliard US$ (10 miliard euro) të defiçitit për vitin 2010, si dhe premtimet për ta çuar defiçitin në masën 3 për qind në vitin 2012.
Por, tregjet financiare dhe shumë zyrtarë të BE – së nuk besuan se mund të arrihej ajo që bazohej në planet e buxhetit që kishte shpallur Greqia duke i bërë presion qeverisë së Papandreut që të bëjë shkurtime më të thella.
BE – ja, nga ana e saj, në mënyrë diplomatike, i referohej “parregullsive statistikore”; për shembull, planet e qeverisë greke sugjeronin se defiçiti mund të shkurtohet gjatë viteve 2010 – 2011, ndërkohë që kishte parashikuar se ekonomia greke do të vazhdonte të rritej.
Duke mos ndërmarrë veprime të ngutura për të shkurtuar shpenzimet dhe duke rritur të ardhurat, qeveria greke rrezikoi të ndëshkohej me sanksione të kushtueshme nga ana e BE – së dhe degradime të mëtejshme nga agjensitë e ndryshme të kreditimit, që mund t’i rrisnin shpejt kostot e huamarrjes dhe kështu ta thellonin rënien e saj ekonomike.
Jean Claud Trichet, atëkohë Guvernator i Bankës Qendrore Europiane nuk ishte optimist se Greqia do të kishte ndonjë trajtim të veçantë, por nuk ishte surprizë që edhe Greqia të përfitonte atë që përfituan Italia, Portugalia, Spanja dhe Irlanda, të cilat kanë bënë shkurtime të mëdha të shpenzimeve për të zvogëluar defiçitin e tyre.
Vendet anëtare të BE – së nuk e shihnin me optimizëm faktin që Greqia të shpëtohej me kuletat e tyre, dhe kjo, sipas analistëve, ishte arsyeja që mund ta shtynte BE – në t’i kërkonte me forcë Greqisë të depozitonte shuma tejet të mëdha të parimbursueshme për Komisionin Europian.
Por kjo mund të zvogëlonte besimin e tregut dhe të shumëfishonte, siç edhe i shumfishoi ditët e para të majit 2010, turbullirat shoqërore të Greqisë.
Por edhe përpjekja e BE – së për ta nxjerrë nga kriza Greqinë nuk ishte përgjigja e duhur, sepse fatkeqësisht, për shkak të ekspozimit që kishin në Greqi bankat franceze dhe gjermane, si dhe në pjesën tjetër të Europës së Jugut, prospekti real i rënies në kolaps i tërësisë së sistemit bankar botëror, sipas ekspertëve, ishte i vogël, me një rrezik të pallogaritshëm për ekonominë botërore.
Ekzistonte dyshimi i rrezikut të përhapjes së një “infektimi” në qoftë se Greqia falimentonte, sepse Bashkimi Europian, me të cilin u bashkua në vitin 1981, Greqia e kishte parë si një financues ideal për fantazitë dembele të qeverive greke.
Në këtë mënyrë, nxjerrja e Greqisë nga kriza do të çonte në një sjellje të keqe fiskale midis një përpjestimi shumë të madh të BE – së që, në mënyrë sistematike, do ta bënte të pamundur shpëtimin e së ardhmes.
Megjithëatë, shpëtimi i Greqisë, mendohej se do të sillte rreziqe afatgjatë, në qoftë se konsiderohej prirja e natyrshme e shpenzimeve në lidhje me elementë më pak përgjegjës të së majtës europiane dhe “afatgjatë” do të thotë më shumë se katër deri në pesë vjet, situatë paradoksale që vazhdon për borxhin e Greqisë.
Diktatura në Greqi zgjati vetëm shtatë vjet, nuk ishte stabël dhe, në pjesën më të madhe, e gjeti veten në korrupsion, me shpenzime ushtarake dhe me “vringëllimin e shpatës” në Qipro.
Në vitin 1975, Greqia ishte një rast total i shportës (përveç lulëzimit të flotës detare dhe mospagimit të tatimeve). Pas vitit 1975, Greqia, e cila e kishte në ekzil mbretin e saj Konstandinin e II – të, zgjodhi socialistin e majtë Andreas Papandreu dhe më 1981 u bashkua me BE – në, ku u bë mjeshtre në artin e korrupsionit të subvencionit.
Në fund të fundit, Greqia ishte vendi më i varfër i BE – së në atë kohë.
Edhe pse të ardhurat për frymë në vitet e fillimit të krizës i kishte 32 100 US$, ajo rradhitej si një nga vendet me konkurrueshmëri të ulët.
Greqia, së fundi, kishte një defiçit buxhetor për mbi 12 për qind që duhet të financohej. Huamarrja totale e Greqisë, kohët e fundit, ishte rreth 270 miliard euro (346.5 miliard US$) dhe parashikohej të rritej në rreth 340 miliard euro (436.4 miliard US$, ose 150 për qind e PBB – së) në vitin 2014.
Kështu, me të gjithë mundësitë, Greqisë do t’i nevojiteshin 30 deri 50 miliard euro (38.5 deri në 64.2 miliard US$) për secilin vit për pesë vite të ardhshëm për të plotësuar detyrimet e maturuara.
Ekspertët theksonin se problemet e Greqisë ishin shumë të vështira për t’u zgjidhur, për arsye se kushtëzimi i saj financiar ishte fundor dhe sepse financimi i emergjencës së përkohëshme mund të ndihmonte për të plotësuar nevojat e menjëhershme të likuiditetit, por nuk zgjidhte problemet themelore të borxhit të tejkaluar dhe të një ekonomie të dobët.
Greqia kishte mundësi të kufizuara për t’u rritur dhe për ta nxjerrë veten e saj jashtë nga ky problem dhe, pa aftësinë për të zhvlerësuar monedhën, Greqia nuk mund ta adresonte mungesën themelore të saj të konkurrueshmërisë me shpejtësi, për arsye se baza e ngushtë ekonomike, mbi të gjitha, bujqësia, turizmi dhe ndërtimi, i kufizonin më tej opsionet.
Hapsira e korigjimit po tronditej dhe Greqia duhet ta shkurtonte defiçitin buxhetor prej nivelit të athershëm prej 12 – 13 për qind në rreth 3 për qind gjatë viteve që pasonin.
Kishte dështuar shteti grek dhe biznesi grek.
Greqia, në historinë e krizave bankare dhe më pas atyre financiare dhe ekonomike botërore, sipas librit të Carmen Reinhart dhe Keneth Rogof “Tetë shekuj të marrëzisë financiare”, rezulton në statistikat botërore që prej vitit 1929 (pak vite pas pavarësisë).
E gjithë kjo histori vërteton katërcipërisht pikpamjen se pas krizave rritet fryma e populizmit dhe kjo ngritje e populizmit solli në fuqi qeverinë e sotme greke me Tzisprias dhe … Kotzias.
Janë në hall, me të vërtetë, por nuk mund t’i zgjidhin hallet e tyre mbi kurrizin tonë.
Vijat e kuqe të Gjykatës Kushtetuese të kujton shprehjen popullore:
Secili për vete e Mete!
Kasem Seferi – ekonomist