Bizneset e vogla ende nuk duan të besojnë se përfshirja në skemën e TVSH-së nuk është një gënjeshtër për 1 Prill. FMN ka paralajmëruar se përfshirja e biznesit të vogël në skemë do të shpërqendrojë administratën dhe nuk pritet të ndikojë te të ardhurat.
Biznesi i vogël paralajmëron protesta deri në grevë urie.
Ndërsa rritja e çmimeve nuk është zgjidhje për një vend si Shqipëria, që renditet e fundit në Europë për sa i përket fuqisë blerëse. Manovrat për të deklaruar xhiro më të ulët se pragu dhe kalimi i biznesit te familjarët, për ekspertët e fushës nuk janë asgjë më shumë se përpjekjet e fundit e një biznesi përpara se të japë shpirt…
Nga Ledina Loga
Rruga “Muhamet Gjollesha” është një nga më të populluarat në Tiranë me biznese, kryesisht të vogla, me një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë. Me një kërkim të thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në këtë rrugë numërohen rreth 500 biznese. Farmaci, dyqane veshjesh dhe këpucësh, bulmetore; byrektore; minimarkete; agjenci shërbimesh, por edhe bar-kafe (kryesisht biznese të mëdha), kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë rrugë.
Pikërisht prej saj, inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Tiranës, të shoqëruar nga “Monitor”, nisën vizitat e tyre për informimin e bizneseve të vogla, që do të përfshiheshin në skemën e TVSH-së.
Një prej 11,500 bizneseve që do të përfshihet në skemë prej 1 prillit është edhe dyqani i mishit i zotit Lavdim. Biznesi i Lavdimit i takon asaj kategorie që nuk kanë mundësi që të kreditojnë TVSH-në, duke qenë se furnizimet i bën kryesisht nga fermerët me autofaturim. Ai do të duhet të paguajë për çdo 100 lekë shitje në dyqan 20 lekë TVSH në Tatime. Tatimet e kanë vizituar atë për ta informuar mbi përgjegjësitë e reja tatimore.
Për “Monitor”, Lavdimi tha se ndien një lloj pasigurie për vazhdimësinë e biznesit dhe mendon se për t’i bërë ballë detyrimit mund të rrisë çmimet e produkteve që tregton në dyqan, por megjithatë kjo mund të kthehet në penalizim dhe rënie të blerjeve nga klientët. Ai parashikoi se 99% e bizneseve që operojnë si ai do të shkojnë drejt mbylljes.
Edhe për Perianën, biznesi i së cilës qe pjesë e vizitave rutinë të inspektorëve të Tatimeve për informim mbi përgjegjësitë e reja, situata duket njëjtë e vështirë. Periana ka një minimarket ku numëron artikuj të pafund. Asaj i është kërkuar prej Tatimeve që të kryejë inventarin e mallit për 12 muajt e fundit kalendarik, në mënyrë që të ketë mundësi që të kreditojë TVSH-në. Periana ka më pak se dy vite që ka hapur ushqimoren, pranë rrugës “Muhamet Gjollesha”, megjithatë problemet nuk i ka pasur të pakta. Fillimisht u klasifikua gabimisht si biznes i madh me TVSH, ndërsa tani përsëri do të përfshihet në skemë.
Për të mbajtur kontabilitetin e biznesit të saj, Periana ka nënkontraktuar një kontabilist, në pamundësi për t’i mbajtur vetë llogaritë dhe nga frika e plotësimit gabim.
Edhe pse Tatimet paraprakisht kanë përllogaritur se numri i bizneseve që do të përfshihen në TVSH, si biznesi i Lavdimit dhe i Perianës, fillimisht do të jetë 11,500, për Ahmet Gjinishin, ekspert dhe konsulent fiskal, numri i bizneseve që do të kalojnë është më i madh.
Shumë prej subjekteve që marrin shërbime dhe konsulencë prej tij, do të kalojnë si subjekt me TVSH. “Kufiri është ulur aq shumë sa që pothuajse janë përfshirë që të gjithë subjektet. Kjo reformë përfshiu të gjitha bizneset, të të gjitha natyrave të mundshme, nga minimarkete të vogla lagjeje, dyqane çantash, këpucësh, nga serviset e makinave, elektroaute, dyqane kafshësh, dyqane kartëvizitash dhe printimesh etj.”, – tha Gjinishi për “Monitor”.
Përpjekjet e fundit
Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së duket se ka rritur pasigurinë te këta të fundit. Albert Nasta, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël, është i mendimit se përfshirja e biznesit të vogël në skemë TVSH-je do të nxisë më shumë evazionin, korrupsionin dhe përzgjedhjen. Duke qenë se pragu për kapërcim në biznes me TVSH është shumë i vogël, të gjithë bizneset do të tentojnë që të mos i presin kuponët, apo të bëjnë furnizimet pa faturë tatimore. Kjo sipas zotit Nasta do të vendosë biznesin e vogël nën presion të kontrolleve të Tatimeve dhe gjithashtu do të përkeqësojë klimën e të bërit biznes në Shqipëri.
Edhe sipas Ahmet Gjinishi, ekspert dhe konsulent fiskal, ka një sërë biznesesh që po përpiqen të gjejnë rrugë alternative, por që të gjitha janë nisma individuale. Askush nga profesionistët e fushës nuk e sugjeron një rrugë të tillë. “Është përpjekja e fundit e një biznesi para se të ‘japë shpirt’, të përdorë mekanizma për t’ju shmangur vetëvrasjes dhe jo për qëllim kryesor evazionin”, shton Gjinishi.
Për sa i përket kalimit të bizneseve në emër të familjarëve, sipas ekspertit jo domosdoshmërisht kemi të bëjmë me evazion. “Kalimi i biznesit nga i ati te fëmija, duke e parë që një i ri është edhe më i aftë të plotësojë detyrimet ndaj shtetit për deklarimet periodike dhe përditësimin ndaj inovacionit të sistemeve fiskale apo programeve financiare jo domosdoshmërisht është një evazion apo shmangie ndaj kufirit”- argumentoi Gjinishi.
Sipas tij, shteti duhet t’u njohë mundësinë bizneseve të marrin forma të ndryshme dhe të testojnë brenda kuadrit ligjor, duke i mbajtur përgjegjës vetëm për atë që parashikon Ligji Tregtar, pa u marrë me hamendësime apo supozime se dikush që po bën xhiro nën 2 milionë lekë në vit është duke bërë batërdinë në evazion dhe duke e tërhequr të gjithë vëmendjen e fiskut vetëm mbi këta individë.
Për më tepër, skema e TVSH-së ka përfshirë edhe subjekte tregtare që bëjnë shitblerje ku mund të rimbursojnë TVSH-në në blerje. Por ka edhe nga ato biznese që janë shërbime dhe nuk kanë pothuajse fare TVSH në zbritje dhe s’kanë ku ta amortizojnë koston e saj. Dhe për këto biznese është fatal kalimi në TVSH, sepse automatikisht shteti i fut në xhep dhe i merr 20% të xhiros së tij bruto.
Rritja e çmimeve, falimentim dhe jo zgjidhje
Një indeks i GfK, që mat paritetin e fuqisë blerëse, e nxjerr Shqipërinë në vendet me aftësi blerëse më të ulët në të gjithë Europën.
Me vendosjen e TVSH-së, biznesi i vogël do të kërkojë që të përballojë kostot, duke rritur çmimet për produktet dhe shërbimet që ofron. Kjo sipas zotit Albert Nasta, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, do ta çojë biznesin në falimentim, duke qenë se fuqia blerëse është e ulët.
Edhe sipas sondazheve të “Monitor”, në total 1000 telefonata me bizneset që janë çregjistruar, arsye kryesore për mbylljen e aktivitetit jepnin rënien e fuqisë blerëse, rreth 68% e tyre.
Edhe për Ahmet Gjinishin, ekspert dhe konsulent fiskal, rritja e çmimit nuk është zgjidhje. “Rritja e çmimit nuk është më një opsion i biznesit të vogël ku tregjet e ‘rëndomta’ si Tregu Çam apo ai i Medresesë konkurrohet direkt në çmim nga qendrat luksoze të Tiranës, TEG e QTU”, – tha Gjinishi për “Monitor”.
Në rrezik, punësimi
Biznesi i vogël është motori i vetëpunësimit në Shqipëri. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13%, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.
Nga të dhënat e përllogaritura nga “Monitor”, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16%. Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total, i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të punësuar.
“Biznesmenët” të paformuar, nevojë për asistencë
Krahas vizitave në subjekte, Tatimet kanë nisur edhe fushata trajnuese për t’u informuar për procedurën që duhet të ndjekin në përmbushje të detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librave të shitjes dhe blerjes, plotësimin dhe deklarimin e tyre, plotësimin e një fature tatimore.
Mirëpo sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për punësimin, Shqipëria mban rekordin e atyre që janë të vetëpunësuar, por që kanë nivel arsimimi 8-vjeçar. Kurse në rajon, pjesën më të madhe të të vetëpunësuarve e zënë ata që kanë arsim të mesëm. Ahmet Gjinishi, ekspert dhe konsulent fiskal, argumenton se është e pamundur që individët t’i mbajnë vetë deklarimet, si dhe shton se ato biznese që kanë tentuar t’i bëjnë vetë shumë shpejt, kanë kërkuar asistencë profesionale.
“Kemi pasur biznese që kanë tentuar t’i bëjnë vetë deklarimet, por janë kthyer shumë shpejt pranë nesh me gjoba automatike të sistemit, me gjoba për mosnjohjen e procedurave tatimore për deklarimin e punëmarrësve të rinj dhe kategoritë e tyre, të cilat janë rreth 30 të tilla, gjoba për mosdhënie informacioni, pasi nuk arrijnë të dallojnë njoftimet në sistem dhe gjoba të tjera mbi përditësimin apo ndryshimin e vazhdueshëm të detyrimeve dhe procedurave tatimore”,- thotë Gjinishi për “Monitor”.
Sipas Gjinishit, nëse dikush trajnohet, mund të fitojë përvojën e duhur pas 2 apo 3 plotësimeve të deklaratave mujore (duke u fokusuar vetëm në natyrën e biznesit të tij), por askush nga këta individë nuk është një person që merret ekskluzivisht me këtë detyrë, prandaj edhe riskun për deklarim jo në afat apo gabime të tjera gjatë deklarimit nuk duan ta mbajnë vetë.
Nëse një person është i fokusuar gjithë ditën se si të shesë apo të japë shërbime duke u fokusuar në punën profesionale, në rastin më të mirë ka një përqindje gabimi në deklarim të vonuar rreth 10%, që e përkthyer në shifra është rreth 36,000 lekë në vit. (Janë 3 deklarata mujore TVSH, listëpagesa dhe tatimi në burim për 12 muaj ku secila, nëse deklarohet me vonesë, sistemi të përllogarit automatikisht 10.000 lekë gjobë, edhe pse vlerat e deklaratës mund të jenë zero).
Vetë deklarata e TVSH-së është një sfidë më vete, ku shitjet përbëhen nga 9 zëra të ndryshëm dhe blerjet nga 12 të tilla. Prandaj biznesit i duhet një punë autodidakte, ku një trajnim 30 minuta nga tatimet nuk është asnjëherë i mjaftueshëm. “Mendoj se biznesit do t’i duhet kohë relativisht e gjatë për t’u mësuar dhe me gjobat që rrezikojnë, nuk besoj se do ta marrin riskun vetë t’i bëjnë”.
Sot, bizneset e vogla paguajnë për shërbimin e mbajtjes së kontabilitetit 1,000-2,000 lekë në muaj, ndërsa me përfshirjen e TVSH-së, ekonomistët pohojnë se tarifat do të bëhen minimumi 5,000 lekë në muaj dhe deri në 10 mijë lekë për subjektet që kanë shumë veprime, si p.sh., minimarkete. Një tjetër kosto është dhe blerja e programeve financiare për mbajtje kontabiliteti.
Shoqata e Biznesit të Vogël: Protesta, deri në grevë urie kundër TVSH-së
Shoqata e Biznesit të Vogël ka paralajmëruar se do të nisë protestat masive, duke u përshkallëzuar deri në grevë urie në rast se qeveria nuk e tërheq mbrapsht vendimin për të përfshirë në skemën e TVSH-së bizneset që kalojnë xhiron vjetore prej 2 milionë lekësh.
Sipas kryetarit të shoqatës, Albert Nasta, përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së shënon fundin e tyre. Ai tha për “Monitor” se Shoqata, bazuar në sondazhet dhe analizat e saj, parashikon se numri i bizneseve të mbyllura në gjashtëmujorin e parë do të shkojë deri në 50 mijë.
Nasta shton për “Monitor” se vendosja e pragut të TVSH-së do të shtojë korrupsionin dhe evazionin, si dhe do të rrisë përzgjedhjen.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesme po organizohet edhe nëpër rrethe, për të nisur protestat në datën 2 prill. Fillimisht, bizneset e vogla do të mbyllin qepenat e dyqaneve dhe nuk do të operojnë për disa orë. Nasta thotë se do të përdorin çdo formë demokratike, deri në grevë urie, për të kthyer mbrapsht vendimin e qeverisë.
Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël rrit shpenzimet e njësive ekonomike, por edhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Tatimet parashikojnë që fillimisht, në skemë do të përfshihen rreth 11,300 biznese të vogla, por sipas përfaqësuesve të shoqatës, në rast se tatimet do të monitorojnë bizneset, të gjithë përfshihen në skemë dhe e kalojnë pragun prej 2 milionë lekësh, i cili sipas tyre është lehtësisht i kapërcyeshëm prej bizneseve të vogla. Biznesi i vogël ka një marzh të ulët fitimi, nga 2 deri në 10% e xhiros.
Shoqata e Biznesit të Vogël ka rreth 22 mijë anëtarë të regjistruar në të gjithë vendin, të cilët po organizohen për të kundërshtuar vendimin e qeverisë.