Në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan, të enjten, kryeministri Edi Rama ka treguar arsyen pse Shqipëria ka çmimin e naftës më të shtrenjtë në rajon.
Rama u shpreh se kur u vendos taksa e karburantit, ishin momente ku paraardhësi i tij përsëriste pa pushim, se na pret fati i Greqisë, pasi ai e dinte se çfarë grope kishte lënë.
Kryeministri tregoi se Shqipëria e vitit 2013 rrezikonte të mos jepte rrogat dhe pensionet, për këtë arsye, u thirr FMN-ja për të marrë frenat e ekonomisë.
“FMN na tha duhet të ulni rrogat dhe pensionet, ne u thamë kjo nuk bëhet. FMN na tha duhet të rrisni taksat, sepse ku do i gjejmë lekët. Duke i parë me kujdes të gjitha ato mundësi që kishim dhe duke përfituar nga fillimi i rënies së çmimit të naftës, ne e pamë më të arsyeshme që të taksojmë ata që duke qenë përdorues makinash dhe ndotës më të mëdhenj, mund të merrnin më shumë barrë”, tha Rama duke shpjeguar se taksa e qarkullimit nuk kishte lidhje direkte dhe vetëm me mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe me mbylljen e gropës në buxhet, që sipas tij kishte lënë qeveria e mëparshme.
“Jam shumë dakord, sot nafta në Shqipëri ka një çmim që është më i lartë se në vendet e rajonit, ka dy arsye: e para sepse ose do të taksojmë atje, ose diku tjetër. Ne nuk kemi dashur të taksojmë diku tjetër dhe kemi ulur taksat për 97 për qind të shqiptarëve, i kemi ulur taksat dhe nga ana tjetër nafta në fillim të vitit 2013 ka qenë 1920 lekë, sot varion 1700-1750.”
Rama më herët deklaroi se vazhdojnë negociatat me kompaninë për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për banorët, por ai shtoi se niuk ka asnjë mundësi që kalimi të jetë falas për banorët e zonës.
“Fjala “fare” nuk ekziston. Se sa do të paguajnë do të dalë nga llogaritë. Se nëse bëhet falas ajo mund të keqpërdoret. Dikush që ka një makinë nga banorët e zonës e jep me qera për të gjithë aty për të kaluar falas.
Për banorët e zonës, të gjithë ata që kanë autoveturë do të paguajnë. Kush është i varfër le të marrë autobusin dhe nuk do të paguajë asgjë” – tha Rama.