Home KRYESORE Lufta e madhe te dera, shqiptarët të përçarë… Nga Artur Zheji

Lufta e madhe te dera, shqiptarët të përçarë… Nga Artur Zheji

Paralajmërimet e Vladimir Putinit u anashkaluan. Aleanca Perëndimore, e goditi Asadin, mik të Rusisë dhe kasapin e popullit të vet.

Tani Lufta e Ftohtë e perëndimit me Federatën Ruse, të paktën në truallin sirian, po bëhet një luftë e nxehtë. Raketat kundërajrore të prodhimit të fundit rus, të instaluara në Siri, u treguan të pafuqishme ndaj bombardimit raketor amerikan dhe anglo-francez.

Pritet reagimi rus. Priten diversione reaguese në reze 360grade, të të gjitha strukturave inteligjente Ruse, në të gjithë Rajonet, përfshirë edhe Ballkanin.

Shqipëria dhe Kosova, mund të jenë target, kjo nuk përjashtohet.

Po ku gjindet sot “Atdheu i Shqiponjave” nga pikëpamja politike dhe ushtarake, apo nga pikëpamja e sigurisë kombëtare?

Sigurisht shumë më dobët dhe më e çorganizuar se sa përpara viteve ’90.

Pa shërbime inteligjente efektive, shkak politika dhe shpërdorimi i parave publike, që ka sjellë në shkallmimin e shtetit dhe në grabitjen e burimeve financiare, të nevojshme për ditët e sotme.

Politikisht e ndarë në barrikada, në një guerrilje “për jetë a vdekje”, për llokmën e pushtetit, por edhe në vetë mbrojtje nga një kryeministër kryeneç, që luan me pushtetin në mënyrë tekanjoze dhe agresive.

Ushtarakisht, përveçse jemi anëtarë të NATO-s, nuk bëjmë dot në këmbë as edhe një Divizion, që të jetë i denjë për këtë kategori ushtarake. Një shtet që nuk ka një avion luftarak të vetëm dhe që nuk i del nafta për dy tre anije ushtarake patrullimi, që të paktën të bëjnë ndonjë xhiro patrulluese në ujrat tona territoriale, nga Vlora më Shëngjin.

Shtet mjeran me pak fjalë…

Shkak, hajdutëria dhe mospërgjegjshmëria ndaj Vendit, që dikur krenohej se e kishte të gjithë “Popullin Ushtar!”, ndërsa sot rreshtohet pa dinjitet, në një luftë të ftohtë dhe të nxehtë, që do të na përfshijë, në një mënyrë ose tjetër.

Një pyetje: A do të shpikë kryeministri ndonjë konçesion të ri, 10, 20 apo 30 vjeçar, për të marrë peng buxhetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për dekadat e ardhshme?/360grade.al/

Share: