Home KRYESORE Ndikimi rus në Shqipëri? Nishani: Rama e ka ekzagjeruar!

Ndikimi rus në Shqipëri? Nishani: Rama e ka ekzagjeruar!

Ish-Presidenti Bujar Nishani theksoi se Shqipëria ka shanset më të mëdha që t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian.

Por Nishani tha se fatkeqësisht ka një koncept të gabuar. “Nuk mund të bëjmë ne presione për hapjen e negociatave, apo sulme ndaj deputetëve dhe eurodeputetëve. Përkundrazi ne duhet të demostrojmë arritje. Ka një kontest politik që është në avantazhin tonë, që janë zhvillimet në Rajon, ripërsëritja e ftesës së Komisioni Europian, kemi avantazhin e kohës”, tha ish-Presidenti.

Referuar shqetësimeve të ngritura nga Gjermania, Nishani thekson se qëndrojnë, veccanërisht ato që kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Besoj se në qershor do të kemi një vendim në favor të hapjes së negociatave”, tha Nishani.

I pyetur për ndikimin rus në Shqipëri, ish-Presidenti tha se ne jemi vendi me rrezikun më të ulët porsa i takon këtij rreziku, për shkak se s’kemi qenë pjesë e aleancave me të.

“Rusët kanë bërë zgjedhjen e tyre ku Shqipëria nuk përfshihet. Mendoj se Rama ka ekzagjeruar situatën me rrezikun rus, gjë që nuk mendoj se qëndron dhe nuk duhej të bëhej. Rinia shqiptare është më e prirur më shumë të bëjë një xhiro me një mercedez, sesa të mbajë një kallashnikov në dorë. Mendoj se deklarata të tilla nuk e nderojnë Kryeministrin”, tha Nishani.

Sipas tij, në Shqipëri mungon një debat nga elita intelektuale lidhur me procesin e integrimit evropian.

“Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE-së brenda 10 vitesh pasi kemi dallime të mëdha në kulturë, mentalitetin e shoqërisë dhe në ekonomi”, tha Nishani.

Share: