Kryeministri Edi Rama tha sot se nëse Prokuroria do t’i shkojë deri në fund hetimeve për audiopërgjimin e publikuar nga opozita, në të cilat pretendohet se është kapur vëllai i ministrit të Brendshëm duke folur për trafik droge, “njerëzit do të shikojnë diçka shumë tronditëse”.
Mirela Milori: Mendoni që kanë të bëjnë edhe klanet brenda PS që mund të kenë një përballje me Z. Xhafaj dhe punën e tij?
Edi Rama: Unë nuk e mendoj këtë për arsyen e thjeshtë e se e kam pak a shumë të qartë, le të themi 80 për të pikturës e kam të qartë se si është zhvilluar dhe po ju them se nëse prokuroria do t’i shkojë deri në fund, njerëzit do të shikojnë diçka që vërtetë është shumë tronditëse. Këtu janë përfshirë struktura.
Mirela Milori: A nuk mendoni se mund të intimidoni Prokurorinë?
Edi Rama: Absolutisht jo, sepse nuk bëhet fjalë për një çështje qëndrimi apo opinioni, bëhet fjalë për diçka që është e matematikisht e sigurt. Mjafton që Prokuroria t’i drejtohet kujtdo agjencie ndërkombëtare që ka një laborator shkencor që mund të nxjerrë të vërtetën dhe të marrë përgjigje. S’ka lidhje me si mund të intimidohet, është thjeshtë çështje teknike.
Kryeministri tha se sulmet e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, nëpërmjet vëllait të tij Agron Xhafaj, dhe Policisë së Shtetit, kanë në sfond luftën kundër krimit të organizuar si dhe trafikut të drogës.
“Në Vlorë Dëshmitari X njihet dhe s’ka asnjë të panjohur për Vlorën, njerëzit janë të habitur se si një njeri i marrë fund të rrugët e qytetit të kthehet në një hero mediatik. Të majtë dhe të djathtë janë të skandalizuar.”
Rama hodhi poshtë zërat sipas të cilëve Xhafaj i kishte kërkuar dorëheqjen.
“S’mund të jetë implikim fakti se një vëlla ka një vëlla.”