Home I pakategorizuar Basha: Xhafajt, 200 mijë euro “Babales” për të përgënjeshtruar dëshminë

Basha: Xhafajt, 200 mijë euro “Babales” për të përgënjeshtruar dëshminë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat nga selia blu, të mërkurën në darkë, denoncoi se dëshmitarit X i janë ofruar 200 mijë euro nga njerëz të Xhafajt për të përgënjeshtruar deklaratat e tij.

“Sot të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit x, Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike“,- u shpreh Basha.

Kreu i opozitës theksoi se çdo përpjekje e ministrit të Brendshëm dhe e kryeministrit për të kërcënuar, intimiduar apo për të blerë ‘dëshmitarin X’, thjesht i zhyt edhe më thellë në skandalin ku janë përfshirë kokë e këmbë.

Deklarata e plotë:

Jam sonte në këtë orë të vonë të mbrëmjes para jush për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt të cilët po përdorin shtetin e kapur dhe kanë hedhur në veprim strukturat e krimit të organizuar nën urdhrat e tyre për të të kërcënuar dhe për ti bërë presion dëshmitarit x, shtetasit Albert Veliu dhe familjarëve të tij.

Sot të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit x, Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike.

Cdo përpjekje e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës për të kërcënuar, intimiduar apo për të blerë dëshmitarin x, thjesht i zhyt edhe më thellë Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën në skandalin ku janë përfshirë kokë e këmbë.

Plani për blerjen, kërcenimet ndaj dëshmitarit, intimidimi dhe sulmet ndaj gazetarit Jetmir Olldashi nxjerrin zbuluar frikën dhe përfshirjen e Fatmir Xhafajt dhe Edi Ramës në këtë veprimtari kriminale për të mbuluar narkoaferën e Agron Xhafajt.

10 ditë më parë, nga kjo sallë paralajmërova se Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, në bashkërendim dhe bashkëveprim me struktura kriminale dhe njerëz të krimit të organizuar, kanë vënë në lëvizje një skenar kriminal.

1. Moho përgjimin.

2. Kap, josh ose likuido dëshmitarin dhe familjen e tij.

3. Shkatërro provat.

4. Akuzo dhe kërcëno opozitën, gazetarët dhe cdo denoncues!

Presioni shtetëror dhe mafioz me paratë e krimit dhe të drogës është prova më e qartë e rënies shtetit dhe e kapjes së qeverisë Rama nga Mafia dhe organizatat kriminale të trafikut të drogës.

Hartimi dhe zbatimi i këtij skenari të presionit shtetëror dhe mafioz është arsyeja e vetme pse Fatmir Xhafaj mbahet me thonj pas karrikes së Ministrit të Brendshëm.

Duke dënuar ashpërsisht këto akte kriminale, dua ti përsëris sot Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës paralajmërimin e prerë se për çdo hap që hedhin për të vënë nën presion Albert Veliun, dëshmitarin e familjes mafioze Xhafaj, si dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi, përgjegjës do të jenë ata dhe do të marrin përgjigjen më të ashpër nga opozita dhe populli!

I paralajmëroj sot Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn para gjithë shqiptarëve dhe para gjithë botës: ndal presionit mafioz ndaj dëshmitarit Veliu dhe gazetarit Olldashi!

Të dashur bashkëqytetarë,

Kërcënimet dhe presionet e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt janë rritur ethshëm pak orë para protestës tonë kombëtare të 26 majit.

Sepse ata kanë frikë.

E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë.

E vetmja forcë që mund ta mposhtë këtë të keqe është bashkimi ynë.

Ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në protestën kombëtare të 26 majit për një Shqipëri të çliruar nga qeveria e lidhur me krimin.

Për një Shqipëri të çliruar nga qeveria anti popullore e Edi Ramës që ka tradhtuar interesat e qytetarëve duke bashkëpunuar haptas me krimin për pushtetin dhe pasurinë e tij.

Për një Shqipëri të çliruar nga qeveria anti-europiane që me rekordet e saj të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin është kthyer në pengesën për ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.

Share: