Dje dy burra shqiptarë vranë dy gratë e radhës. Në fakt të vrarat nga burrat dje ishin katër , por në dallim nga dy të parat këto dy te dytat burri që i vrau nuk i njihte. Ishte fati i tyre i keq që u gjenden në vendin e gabuar kur një idioti të pajisur me patentë,( nga ata që gëlojne me shumicë në këtë vend) nga shpejtësia e tepërt i doli makina jashtë kontrollit dhe bëri atë që bëri. Veshi me të zeza dy familje.
Kurse dy të tjerat u vranë nga ata që duhej t’i mbronin. Nga ata me të cilët ndanin jetën, nga ata që duhej t’i përkëdhelnin , që duhej t’i dashuronin, nga ata që ato i kishin falur gjithshka, U vranë nga ata të cilëve u kishin dhënë shpirtin.
Njëri nga ata kishte braktisur gruan e tij me të cilën kishte një djalë një vjeç dhe ishte lidhur me një vajzë të cilën pretendonte se e dashuronte. Por si shumë e shumë të tjerë të këtij vendi që nuk u ndreq kurrë, ai atë vajzën 19 vjecare që mund të ishte edhe vajza ime, nuk e dashuronte si grua, si femër , por si pronë.Dhe me pronën mund të bësh çfarë duash.Madje edhe ta vrasësh.
Ndërsa tjetri kishte gjashtë fëmijë me gruan që vrau. Dhe megjithëse fëmijet donin të ushqeheshin , nuk punonte. Punonte ajo.Ajo ishte kafsha e punës që duhet të punonte sa të mos drejtonte dot trupin. Ajo duhet të ushqente atë dhe fëmijët.Dhe nëse ajo vonohej për t’i plotësuar çdo tekë dhe dëshirë atij lloj burri, duhej ndëshkuar.Dhe ajo dje e lodhur nga puna në lavanderi u vonua për t’i hapur derën montsrës dhe ai e vrau.
Duhen ndalur! Nuk duhet ndenjur më duarkryq.Nuk duhet lënë më kjo punë në duart e disa shoqatave fantazëm që bëjnë sikur ngrenë zërin aq sa për të marrë ca fonde e donacione që askush nuk i di se ku shkojnë. Nuk duhet lënë më në duart e OJF-ve dhe OJQ-ve.Duhet të fillojmë të ndryshojmë këtë mjedis patriarkal , ose përndryshe do të vazhdojmë të numërojmë shifrat e këtyre statistikave të frikshme.
Shqiptarë! Burrëria nuk tregohet duke i trashur zërin një gruaje, as duke abuzuar me të dhe aq më shumë duke e vrarë .