Home KRYESORE NË MBROJTJE TË TEATRIT, POR EDHE DY FJALË PËR MIQTË E MI...

NË MBROJTJE TË TEATRIT, POR EDHE DY FJALË PËR MIQTË E MI TË DASHUR, ARTISTË!

Nga Edmond Hoxha

Teatri Kombëtar rrezikohet dhe artistët kërkojnë mbështetje që të mbrohet. I dua shumë artistët dhe akoma më shumë i respektoj.
Për të mbrojtur teatrin, dinjitetin e artistëve, artin në përgjithësi, do vimë patjeter, por ka disa çështje që duhen diskutuar:

Së pari artistët e teatrit duhet të unifikojnë qëndrimin e tyre. Kjo do të thotë që ta ndajnë mendjen vetë së pari se çfarë duan. Duan të rikonstruktohet ky teatër? Duan një teatër të ri? Apo…çfarë duan? Pasi ta ndajnë mes tyre këtë çështje dhe ne na kanë mbështetje.

Së dyti, artistë tanë, që i kemi “xhan” duhet të dinë dhe te mos harrojnë, se nuk duhet të ngrihen vetem kur “zjarri” bie në shtëpinë e tyre, por duhet të solidarizohen me çdo problem që ka shoqëria Shqiptare.

Unë shumicën e miqve i kam artistë dhe më kujtohet, me trishtim, koha kur asnjë nga miqtë e mi artistë, me të cilët pija kafe, nuk na mbështeti kur Qeveria nxori një VKM për të marrë godinën e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Përkundrazi, kur studentë e pedagogë të këtij Fakulteti dolën në protestë para Kryeministrisë, dhe kur liderat tanë talleshin dhe shtynin Profesorët tanë të nderuar, asnjë Artist po kaq i nderuar, nuk tha gjysëm fjale. Sa keq dhe sa trishtim!

Por jeta kështu është. Atëhere ne kërkonim mbështetje duke ju thënë, miqve tanë artistë, që rrinin në kafe duke thënë “good qofte, good birrë” se nesër mund të jetë rradha Juaj, prandaj duhet të na bashkoheni për të ndaluar këtë sjellje arrogante, mungesë transparence, që për interesa të vockla prish institucione. Fatkeqësisht edhe pse artistët përveç talentit, krijohen edhe nga shkolla, asnjë prej tyre nuk foli dhe ne ngelëm të vetëm në bulevardin e gjerë por të ngushtë.

Dhe rradha erdhi. Sot rrezikohet Teatri dhe artistët e kuptuan që ashtu si rrezikohen institucionet e arsimit mund të rrezikohen edhe ata. Gjithësesi më mirë vonë se kurrë “OrTungjatjeta”. Ndryshe nga artistët ne inxhinierat, sidomos ata gjeologjisë dhe minierave e shikojmë jetën edhe nga lart edhe nga nëntoka dhe dimë ca gjëra më shumë nga vështirësitë e jetës. Pikërisht për këtë arsye ne nuk do bëjmë atë gabim që bëtë ju, artistë, nuk do tju lemë të vetëm. Unë do vi me ju në mbrojtje të dinjitetit tuaj, të teatrit tonë, jo thjesht të godinës dhe truallit! Por mos harroni, ndajeni mendjen mes jush çfarë kërkoni dhe mos na vendosni edhe në pozicion të paqartë.

Share: