Home KRYESORE Nikollë Lesi: Përse Rama e merr frymëzimin nga Erdogani?

Nikollë Lesi: Përse Rama e merr frymëzimin nga Erdogani?

Projekti për shembjen e Teatrit Kombëtar është një nga ngjarjet që e ka nxjerrë zbuluar gjithë mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama. Mënyra sesi po sillet qeveria dhe PS me shkatërrimin e kësaj vlere historike nuk ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve të artistëve për kushte më të mira, por interesat e një grupi qeveritarësh dhe biznesmenësh për të shtuar qindra milionë euro. Nëse ndjek gjithë rrugën ku po ecën qeveria “Rama” me ligjin e Teatrit, mund të thuhet se vetëm brenda një jave kemi parë të ndodhin dy vjedhje dhe një manipulim në sy të gjithë shqiptarëve. Vjedhja e parë është ajo që i bëhet tokës publike të Teatrit. Gjithë ligji është një vendim i pashembullt në një shtet normal, pasi po merret prona publike dhe po i falet privatit me çmim disa herë më të ulët se sa tregu.

Por sikur të mos mjaftonte kjo edhe miratimi i ligjit u bë me vjedhje votash. Procesverbali i votimit të Kuvendit tregoi se për të arritur qëllimin final, mazhoranca nuk e ka problem që të vjedh para dhjetëra kamerave të mediave votën e një deputeti që nuk ishte në sallë në momentin e votimit. Pas vjedhjeve të dokumentjuara, vjen manipulimi i madh i opinionit dhe propaganda. Dje për të mbrojtur nderin pasi u kapën në flagrancë, deputetët e PS thanë se votën nuk e manipuluan ata, por LSI! Logjika në këtë pikë duket se është errësuar, pasi si mundet që një forcë opozitare të vihet në lëvizje për të votuar një deputet që as nuk është i pranishëm në sallë.

Ironia e qëndrimeve të qeverisë “Rama” me këtë ligj vijon edhe më tej, kur pasi e kanë miratuar thonë se do të nisin një seri konsultash për mënyrën sesi do bëhet projekti i Teatrit. Në fakt, kjo është tallja e radhës. Ligji që miratuan zyrtarizon shembjen e godinës historike dhe miratimin direkt të projektit që ishte prej kohësh në sirtarët e qeverisë. Nëse ka diçka që mund të negociojë tani qeveria me artistët është mënyra sesi duhet prishur teatri; me tritol siç ja ka marrë dorën Rilindja apo me fadroma. Me këto qëndrime, nga një parti serioze, PS po kthehet në një karikaturë politike që thotë çdo budallallëk të mundshëm vetëm për të arritur qëllimin. Dhe qëllimi është që ligji për shembjen e Teatrit zbatohet me çdo kusht. Që kullat të ngrihen dhe biznesmenët e politikanët që kanë bërë pazarin ta çojnë deri në fund planin e tyre për 6 kullat e mëdha të ndërtimit. Që Edi Rama më në fund të fitojë betejën e tij 20-vjeçare me artistët që duket se është kthyer në një obsesion të tij prej nga koha që ishte kryebashkiak. Është një sfidë që kryeministri nuk e ka fshehur dhe kur ka pasur mundësi i ka tallur artistët, ka përqeshur kritikët e projektit si dhe ka përbuzur opozitën që është kundër.

Pas gjithë këtyre përplasjeve dhe shkeljeve kaq të hapura ligjore, çështja e Teatrit Kombëtar nuk është më vetëm e artistëve apo një grupimi njerëzish. Edi Rama, me dashje e ka vendosur këtë ndërtesë si kufirin ku do të përcaktohet se në çfarë sistemi ndodhet sot Shqipëria dhe cila është rruga që ai ka zgjedhur për t’u mbajtur mend në histori. Nëse qeveria tërhiqet nga kjo projekt, mund të thuhet se logjika dhe përgjegjshmëria e kryeministrit triumfoi përballë ambicieve personale e interesave të sekserëve që i vijnë vërdallë.

Nëse ndodh e kundërta, që kryeministri t’i vendos kazmën godinës së Teatrit Kombëtar, bashkë me të bie dhe një epokë qeverisje dhe hyjmë në të panjohurat e një pushteti që s’ka më lidhje me demokracinë. Është një periudhë e re, që analisti dhe ish-miku i afërt i Edi Ramës, Fatos Lubonja e krahasoi dje me një monarki të ngjashme me bandat mafioze, që po drejtojnë në Shqipëri.

“Është një projekt-ligj që përbën një moment kyç në historinë e kësaj pseudo-demokracie që kemi ne, qoftë për faktin si është bërë një prolekt-ligj për një kompani private për të grabitur një tokë publike…. Është antikushtetues dhe këtë e kanë shpjeguar juristët, pasi shkel barazinë e konkurrencën, e nëse kalon edhe ky ligj më mirë të iki opozita nga parlamenti të shpallet një lloj monarkie ose një kapobandë në krye të vendit se edhe monarkia absolute nuk vepron kështu, pra opozita të ikin nga parlamenti”,- tha dje Lubonja në një intervistë në “News 24”.

Por më shumë se mbretëritë e dala mode prej kohësh në Europë, Edi Rama po tregon se joshet edhe nga një pushtet më i madh se thjesht një Monarki. Dje Edi Rama ishte i vetmi kryeministër nga Ballkani dhe mes vetëm 20 politikanëve të huaj kryetarë shtetesh që morën pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit turk, Rexhep Tayyp Erdogan. Shumë kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve përendimore e shmangën pjesëmarrjen në këtë ceremoni. Arsyeja lidhet me faktin se gjithë kancelaritë dhe mediat perendimore e quajnë mandatin e ri të Erdogan, si mandatin e një Sulltani.

Me ndryshimet kushtetuese, eliminimin fizik të kundërshtarëve dhe asgjësimin e opozitës, Erdogan tashmë cilësohet vetëm formalisht si president. Pushteti që do të mbaj është i ngjashëm me atë të një Sulltani të ish-perandorisë, Osmane. Edi Rama ishte i ftuari special i Erdogan në këtë ceremoni, pasi njihet miqësia e tyre tashmë e vjetër. Më shumë se miqësi, Edi Rama në disa intervista për median turke e ka cilësuar dhe si model frymëzimi Erdogan. Dhe nëse ndjek rrugëtimin politik të Edi Ramës, në disa pika si grumbullimi i pushtetit dhe sjellja me kundërshtarët, dallohet ndikimi i filozofisë së politikanit turk.

Me vendimet e reja që Edi Rama ka marrë dhe projektet nga të cilat nuk po heq dorë, shumë shpejt i duhet vetëm të zgjedh, nëse duhet të jetë monark apo sulltan.

360grade.al

Share: