Fiks Fare ka arritur të zgjidhë problemin e një invalidi të cilit i është mohuar KEMP-i për faj të vonesës në administratën shtetërore.
27-vjeçari Nikollë Kola nga Berisha e Pukës, në moshën 12-vjeçare është aksidentuar nga një granatë shpërthyese. Kjo ngjarje asokohe i kushtoi jo pak qytetarit, pasi ai dëmtoi të dyja duart. Kola humbi pëllëmbën e dorës së djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë. Sot këtij invalidi i mohohet e drejta e KEMP-it. Nga janari i këtij viti pagesa i është ndërprerë pasi kanë ndryshuar procedura e dorëzimit të dokumentacionit.
“Në vitin 2007 jam aksidentuar me një bombë dhe kam humbur pëllëmbët e duarve dhe gjithë këto vite kam përfituar KEMP deri në fund te vitit 2017. Nga janari e këtej nuk marr më, sepse punonjësi i Njësisë Administrative Iballë nuk ka sjellë dokumentet në KMCAP Shkodër në kohën e duhur. Nuk më sqarojnë për këtë problem. Jetoj me gruan, nënën dhe djalin e vogël 2 vjeç. Jetojmë me asistencë, marrim vetëm 5600 lekë”, shprehet Kola. S
Shtëpia ku qytetari banon është në një zonë të thellë të Fushë-Arrëzit dhe për vite me radhë punonjësit e ish-komunës i çonin dokumentacionin në komisionin epror në Shkodër. Gjithçka shkonte mirë dhe qytetari asnjëherë nuk është orvatur nëpër institucione. Me daljen e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 813 të vitit 2017 kjo procedurë ka ndryshuar. Sipas VKM, duhet që dy muaj përpara se të mbarojë e drejta e KEMP-it, njësia administrative ose bashkia të çojë në komisionin epror dosjet e personave që kërkojnë ritrajtim me KEMP. Kjo për z. Kola nuk ka ndodhur sepse punonjësi i Njësisë Administrative Iballë, Bylbyl Gjini ka lajmëruar qytetarin në datën 5 prill të këtij viti dhe në datën 25 prill i ka dërguar në Shkodër në komisionin epror.
Afatet e përcaktuara nga vendimet e qeverisë janë shkelur. Sipas tyre brenda tre muajve duhet që personi i interesuar të dal në KEMP, duke bërë të pavlefshme të gjithë procedurat shkresore. Fiks Fare iu drejtua Shërbimit Social në Shkodër. Mjeku Bari Çuka shpjegoi se janë kaluar afatet e dorëzimit.” Në bazë të VKM nr 813 dosja duhet të vijë dy muaj përpara, me dokumentacionin e duhur. Dosja ka ardhur, por pa dokumentacion e duhur.
Është kthyer dosja në njësinë administrative që të pajiset me epikrizë për rikomisionimin e radhës. Nëse kalojnë tre muaj është e drejta për rikomisionim ose për arsye shëndetësore duhet bërë dhe një herë dokumentet për t’u rifutur në KEMP, gjë që i takon ortopedisë. Ne nuk mund të veprojmë dot se janë tejkaluar afatet” u shpreh Çuka. Fiks Fare iu drejtua Njësisë Administrative Iballë. Askush nuk pranoi të fliste përpara kamerës, por në një lidhje telefonike Bylbyl Gjini nëpunës i institucionit pranoi se dokumentet janë çuar me vonesë dhe jo të plota. Qytetari i gjendur në një situatë të tillë të krijuar jo për faj të tij, por të institucioneve iu drejtua emisionit Fiks Fare. Gazetarët bënë të mundur që qytetari t’i kapërcejë këto vështirësi dhe të marrë më në fund KEMP-in./T.Ch/