Pas presionit disavjeçar, Soros mbyll selinë në Hungari dhe zhvendosen në Berlin. 85 punonjësit e parë nisin nga puna në shtator në Berlin. Ata u kundërvihen deklarimeve të populistit të djathtë nga SHBA, Steve Bannon.
Nga Frank Hofmann*
Në fundjavë Steve Bannon, ish-shefi i këshilltarëve të presidentit të SHBA-së Donald Trump, i deklaroi fondacionet e Open-Society të George Soros-it sërish si shembull e njëkohësisht edhe si armik. Populisti i djathtë në një intervistë me portalin e internetit “The Daily Beast” bëri bujë në Europën politike duke deklaruar, se do të themelojë një fondacion të ri populist të djathtë: “Lëvizja” me seli qendrore në Bruksel. Qëllimi është një revolucion në Bashkimin Europian para zgjedhjeve të BE-së më 2019. Një front populist duhet ta ndalë mekanizmin e Bashkimit Europian. Shembulli i tij janë fondacionet Open-Society të miliarderit nga SHBA-ja George Soros. Por këto nga ana e tyre synojnë pikërisht të kundërtën e botës nacionaliste të Bannonit: pluralizmin dhe shoqërinë e hapur.
Fondacionet Soros kundërshtojnë Bannonin
Përkatësisht po kaq qartë u kundërvihen fondacionet deklaratave të Bannonit. Një zëdhënës i tha DW-së, se “Bannon e përshkruan në mënyrë jo korrekte punën e fondacioneve Open-Society. Ne as nuk financojmë, as mbështesim dhe as nuk këshillojmë parti politike.” Fondacionet Soros mbështesin “një filozofi të thjeshtë, që demokracitë në lulëzim kanë nevojë për debate të hapura, që bazohen tek arsyet dhe shkaqet dhe respektojnë secilin”. Kjo ide do t’i rezistojë populizmit të Bannonit.
Fondacionet Open-Society financojnë organizata jo qeveritare, që trajtojnë çështje të ndryshme: Në Europën Lindore ato p.sh. mbështesin pjesëtarët e përndjekur të pakicës rome. Në kohën e luftërave në Jugosllavi në vitet 1990 mediet e fundit të pavarura, që i kundërviheshin furisë nacionaliste, mbijetuan me mbështetjen e parave nga Soros.
Themelimi në atdheun e George Soros
Qysh në vitin 1984 miliarderi i bursës pati hapur zyrën e fondacioneve në qytetin e tij Budapest. Atje pas rënies së perdes së hekurt u krijua edhe Central European University, që shumë shpejt u kthye në një qendër për formimin e elitave për demokracitë e reja në Europën Lindore. Asokohe dukej sikur ideja e shoqërisë së hapur e propaganduar prej fondacioneve Soros po avanconte përpara. Por me kthimin e nacionalistit të djathtë Viktor Orbán para tetë vjetësh në pushtet për fondacionet po rritej një kundërshtar gjithnjë e më me influencë. Hungarezi qysh në janar pas rizgjedhjes propagandoi të kundërtën e George Soros: Orbán do të shohë shoqëri “iliberale” në Europë dhe ta kthejë pas vrullin liberal në kontinet që ka nisur qysh pas rënies së perdes së hekurt. Orbán është gjithashtu për aleancë me populistët e SHBA-së si Steve Bannon. Fondacionet Soros janë armiku i përbashkët i tyre.
Viktor Orban iu kundërvu për vite me radhë me masa e ligje të reja fondacioneve Soros, në Budapest, gjë që dha efekt. Madje në luftën elektorale themeluesi i fondacioneve Soros u piketua si armiku kryesor duke u damkosur përmes pllakatave në mbarë vendin.
Pak pas krijimit të qeverisë partia e Orbanit në pushtet miratoi një ligj, i cili ia bën të pamundur punën e mëtejshme në Budapest fondacioneve. Ndër të tjera çdo punonjës i Sorosit dhe çdo shoqatë e mbështetur prej tij duhet të paraqesë hapur një sërë veprimesh, madje duke mos marrë parasysh as cënimin e të drejtave personale. Vetëm një shembull: “Baza ligjore na e ka bërë ne gjithnjë e më të vështirë të vazhdojmë punën në Budapest”, thotë një punonjës, i cili është ngarkuar me mbylljen e zyrës në kryeqytetin hungarez.
Që punonjësit nga Budapesti do të zhvendosen në Berlin, ishte e ditur me kohë. Tani ka një datë fikse dhe është gjetur një imobilje e re. Më 31 gusht ata do të mbyllin portat në Budapest, për të nisur nga puna më 1 shtator, në zemër të Berlinit, në Potsdamer Platz. Një vend historik: Kur ende ishte muri i Berlinit, mes portës së Brandenburgut dhe këtij sheshi ndodhej kanali i mbrojtjes dhe një ugar gjigant i kufizuar me mure.
Nga 150 punonjës 85 do të transferohen në Berlin “fillimisht”, thuhet. Më pas do të vijnë edhe punonjës të tjerë. Brenda një viti duan të gjejnë edhe zyra të tjera që do të jenë selitë afatgjata të fondacioneve. Nga Berlini do të vazhdojnë të mbështeten financiarisht grupet e të drejtave të njeriut në Hungari dhe vendet e tjera të Europës Lindore e Qendrore, thotë punonjësi.
“Programet vazhdojnë.” Kjo tingëllon këmbëngulëse. Faktikisht fondacionet Soros pas viteve të suksesit ndërkohë janë tërhequr fort në defensivë në sfondin e forcimit të qeverive nacional-populiste në Budapest, Varshavë apo Bratislavë. Kur kryeministri hungarez Orbán pas rizgjedhjes konsultohej për ligjin për kufizimin e punës së lirë të fondacioneve Soros, njerëzit e Sorosit për ditë me radhë nuk donin të jepnin intervista – me shpresën, që nuk do të bëhej kaq keq. Por më e keqja ndodhi.
Tërheqje – jo transferim
Transferimi në Berlin duket në aspektin politik më shumë si një tërheqje tek më thelbësorja: George Soros me prejardhje nga një familje hungarezo-hebreje veçse gjatë prezantimit të librave nuk ka qenë vërtetë i pranishëm pas rënies së Murit të Berlinit. Madje edhe pse fundi i pushtetit të byrove politike në Europën Lindore qysh në fillim ka qenë synimi i shpallur i tij, sikurse mendonte idhulli akademik i Sorosit Karl Popper. Parimi i shoqërisë së hapur i filozofit që ishte profesor në Londër ishte modeli i kundërt i komunizmit sovjetik nga Moska deri në Berlinin Lindor.
Tingujt e lirisë të viteve 1990 në Berlinin dikur të ndarë me mur dhe tela me gjemba pas rënies së murit përcaktuan drejtimin për punën e fondacioneve Soros. Një ndër projektet e para të mëdha ishte mbështetja e 3000 studiuesve bërthamorë sovjetikë, në mënyrë që ata – edhe pse në modesti – të mund të mbijetonin e të mos detyroheshin të binin në duart e frocave të errëta, që punonin për ndërtimin e bombës.
Lufta në Ballkan ishte antiteza e lirisë së Berlinit, ku nën ritmin e muzikës elektronike një brez i tërë iu përkushtua dashurisë dhe lirisë absolute. Me qëllim në Beograd dhe në Zagreb u financuan grupe, që ashtu si dikur në Berlin u garantonin strehë mbrojtësve të të drejtave të njeriut, për të kaluar atje kohët e vështira. Kur narkomanët kërkonin në demonstrata në Berlin lirinë e përdorimit të kërpit, Sorosi financonte mjekësinë alternativë të bazuar tek kërpi.
Tani do të shihet, nëse tërheqja e punonjësve të Sorosit në Berlin do të gjejë forcë të re për punën e saj në Europën Lindore të nacional-populistëve.
*DW