Home KRYESORE Video/ Ja ku do të ndërtohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Video/ Ja ku do të ndërtohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Nëntë vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë, NATO do të ketë tashmë bazën e saj në Shqipëri. Këtë gjë e ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama duke dhënë edhe vendin se ku do të jetë baza e Aleancës Atlantike të Veriut. E me sa duket kjo bazë do t’i rikthejë shkëlqimin ish-qytetit Stalin i quajtur sot Kuçovë që prej vitesh ishte një aneks i vogël në Shqipëri për shkak edhe të pozitës gjeografike.

Dikur një nga bazat më strategjike të ushtrisë shqiptare, baza ajrore e Kuçovës ishte jashtë funksioni që prej fillimit të demokracisë, por kur u ndërtua ajo?

Punimet për ndërtimin e bazës Ajrore në Kuçovë, ku NATO pritet të ndërtojë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, filluan rreth vitit 1952.

Reparti Ushtarak 3362 Kuçovë mbante emrin Reparti “23 Peza”. Ai u krijua si formacion i parë i madh luftarak i Forcave Ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore.

Bërthama e parë e këtij regjimenti u krijua me vendim të posaçëm, ku u morën masa për përgatitjen e efektivit pilot e teknik për teknikën e re reaktive me të cilën do të pajisej reparti. Regjimenti u krijua më 15 maj 1955, ndërsa në janar të vitit 1956 në regjiment filloi përgatitja luftarake.

Në 23 prill 1955 në aerodromin e Kuçovës u ulën për herë te parë avioni “Mig 17”, avion i cili sot gjendet në qendër të qytetit, pranë Shtëpisë së Oficerëve. Avioni bombardues JI- 28 u ul për herë të parë në këtë aerodrom në korrik të vitit 1957.

Në vitin 1964 në vartësi të regjimentit u krijuan dy reparte të reja, Batalioni i Shërbimit të Aerodromit dhe Grupi i Radio-Dritës. Në 1995 krijohet Baza e Mbrojtjes Ajrore Kuçovë, ndërsa me urdhër të ministrit të Mbrojtjes në vitin 2001 me strukturën e re organizative të Forcave Ajrore, ky repart kalon në Akademinë e Forcave Ajrore.  Në hyrje të aerodromit gjigant, me një sipërfaqe prej mbi 300 hektarë, janë renditur 200 avionë rusë e kinezë, që shteti shqiptar i merrte me klering duke u dhënë krom shteteve përkatëse. E njohur ndryshe si “Aerodromi i Qytetit Stalin” nuk funksionon më si e tillë.

KËRKESA E MINISTRES SË MBROJTJES
Në prill të këtij vitit Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka pati një vizitë në SHBA ku zhvilloi një takim me sekretarin e Mbrojtjes James Mattis. Gjatë takimit Xhaçka kërkoi nga SHBA që NATO të ndërtojë një bazë ushtarake në Shqipëri për të demonstruar se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët.

Ministrja shqiptare u sugjeroi amerikanëve të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria paraqiti disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare në mënyrë dypalëshe me SHBA ose NATO-n./Opinion.al

Share: