Home Gjeo-Ekonomia Koncesionet që po e çojnë Shqipërinë drejt kaosit dhe anarkisë! Nga Dr....

Koncesionet që po e çojnë Shqipërinë drejt kaosit dhe anarkisë! Nga Dr. Enriko Ceko

Marrëveshjet e koncesionit janë kontrata të negociuara midis qeverisë dhe subjekteve juridike private, marrëveshje që i japin subjektit juridik privat të drejtën për të ushtruar një biznes specifik brenda juridiksionit të qeverisë, në varësi të kushteve të caktuara (specifike).

Koncesion apo marrëvshje koncesioni është edhe dhënia e një apo disa të drejtave, tokës ose pronës nga ana e qeverisë qendore dhe autoriteteve vendore, korporatave, individëve ose subjekteve të tjera juridike.

Disa shërbime publike mund që edhe të operojnë si koncesion. Në këtë rast, qeveria lidh marrëveshje me një apo disa subjekte juridike private për t’ju dhënë këtyre të fundit të drejtën ekskluzive për të operuar, mirëmbajtur dhe kryer investime në një apo disa ndërmarrje publike për një numër të caktuar vitesh.

Koncesionet mund të përfshijnë edhe të drejtën për të përdorur infrastrukturën ekzistuese të nevojshme për të kryer një biznes (për shembull sistemin e furnizimit me ujë në një qytet) dhe / ose thjesht vetëm transferimin e shërbimeve ekskluzive dhe jo ekskluzive (siç mund të jenë minierat).

Brenda Bashkimit Evropian, dhënia e koncesioneve nga organet publike është rregulluar me direktiva të veçanta. Direktiva kryesore ka qenë Direktiva 2004/18 për prokurimin publik të aplikuar për koncesionet e punimeve dhe shërbimeve dhe më tej ka hyrë në funksionim Direktiva 2014/23 / BE për dhënien e kontratave koncesionare, e cila kërkon që vendet anëtare të BE-së, për kontratat më të mëdha se 5,186,000 Euro të kishin edhe legjislacion vendas. Po ashtu edhe në Britaninë e Madhe, pragu për kontrata koncesionare është aktualisht 4,104,394 £.

Në lidhje me marrëveshjet apo kontratat koncesionare (sipas direktivate të BE-së) dallojmë:

Marrëveshjet e koncesionit janë kontrata të negociuara midis qeverisë dhe subjekteve juridike private.

Marrëveshje e koncesionit janë marrëveshje që i japin subjektit juridik privat të drejtën për të ushtruar një biznes specifik brenda juridiksionit të qeverisë,

Marrëveshjet e koncesionit janë marrëveshje të nënshkruara për të operuar në varësi të kushteve të caktuara (specifike).

Në lidhje me pikën 1, që një subjekt privat të emërtohet subjekt juridik duhen disa kushte. Gjithashtu, një ligj i mirë koncesionar përcakton edhe kushtet që duhet të plotësojë një subjekt juridik që të ketë të drejtën të apikojë për një kontratë koncesionare, kushte në të cilat futen periudha e veprimtarisë së subjektit juridik privat, fusha e veprimtarisë në përputhje me koncesionin, përvoja në lidhje me koncesionin, standardet që duhet të plotësojë subjekti juridik privat, garancia financiare për koncesionin, etj. Në këtë pikë duhet theksuar se rasti i Shqipërisë le shumë për të dëshëruar.

Në lidhje me pikën 2, që një subjekt privat të fitojë të drejtën për të ushtruar një biznes specifik, brenda juridiksionit të qeverisë, duhet që në kontratën koncesionare të jenë përcaktuar mjaft qartë të drejtat dhe detyrimet e subjektit juridik privat dhe mbikqyrja, supervizioni, kolaudimi dhe marrja në dorëzim nga ana e qeverisë e punimeve, operimeve, produkteve dhe shërbimeve të realizuara e ofruara nga subjekti juridik privat. Në këtë pikë në rastin e Shqipërisë duket fare qartë se nuk janë të përcaktguara qartë të drejtat dhe detyrimet e subjektit juridik privat dhe mbikqyrja, supervizioni, kolaudimi dhe marrja në dorëzim e punimeve, operimeve, produkteve dhe shërbimeve të realizuara e ofruara nga subjekti juridik privat lenë shumë për të dëshëruar dhe në disa rate mungojnë tërësisht.

Në lidhje me pikën 3, pjesa më e madhe e koncesioneve në Shqipëri nuk i kanë të përcaktuar drejt kushtet specifike të operimit të koncesionarëve.

Sa më lart, kontratat koncesionare në Shqipëri kanë treguar se janë një dështim i radhës i qeverisjes, aq më tepër që behet fjalë për kontrata koncesionare të pakërkuara, të propozuara nga sektori privat dhe që financohen me paratë e taksapaguesve. Në këtë rast kemi të bëjmë me korrupsion, shpërdorim detyre dhe kryerjen e veprimeve të papërgjegjëshme, shtuar këtu edhe dëm ekonomik e financiar me shuma të mëdha në buxhetin e shtetit.

Nëse e shikojmë çështjen nga ana e financave publike, në mënyrë të dukshme buxheti i shtetit po përdoret në drejtim të financimit të disa bizneseve të caktuara pranë qeverisë, në formë të drejtpërdrejtë klienteliste dhe favorizuese e preferenciale.

Nëse e shikojmë çështjen nga ana e konkurrencës, pagesa e një pjese të madhe të koncesioneve me paratë e taksapaguesve nëpërmjet buxhetit të shtetit, dëmton rëndë konkurrencën dhe ecurinë e ekonomisë së tregut dhe të liberalizimit, që po trumbetohet shumë duke u shitur si arritje e demokracisë, por që në fakt nuk është se ka ndonjë lidhje të madhe midis demokracisë dhe liberalizimit.

Nëse e shikojmë nga ana e diversifikimit të veprimtarisë ekonomike, dhënia me koncesion e shumë veprimtarive dëmton rëndë në tërësi sektorin privat dhe bilancin e pagesave, sepse kufizon aftësinë sipërmarrëse dhe nuk lejon inovimin teknologjik nga ana e subjekteve që nuk kanë kontrata koncesionare. Kjo bën që edhe faktorët e tjerë të prodhimit, toka, puna dhe kapitali (së bashku me inovimin teknologjik dhe aftësinë sipërmarrëse) të mos shfrytëzohen.

Si rezultat i kalimit të një shume të rëndësishme financimesh shtetërore në kontrata koncesionare, nuk ka mundësi që nëpërmjet buxhetit të shtetit të financohen sektorët e tjerë që kanë nevojë imediate për financime si bujqësia, shëndetësia, arsimi, kultura, etj. Gjithashtu vihen në rrezik investimet dhe tentohet që të rritet borxhi pubkik dhe deficit buxhetor. Në skenarin më të keq, inflacioni dhe papunësia futen në një spirale tepër të rrezikshme, bizneset futen në vështirësi financiare dhe shteti shkon drejt falimentimit, duke e drejtuar vendin drejt kaosit dhe anarkisë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Itali, Francë, Gjermani,etj, hapsira e dhënë për kontratat koncesionare po kufizohet nga dita në ditë për shkak të cilësisë së ulët të produkteve dhe shërbimeve të ofruara dhe korrupsionit të dukshëm në lidhje me këto kontrata.

Share: