Arkitekti italian që dizenjoi ndërtesën “Shard” në Londër, Reanzo Piano, tha se është mëse i gatshëm të ndihmojë në rindërtimin e urës “Morandi”, e cila u shemb këtë muaj në Xhenova.
“Jam dhe do të isha i lumtur të përfshihesha në rindërtim, sepse ky është misioni im,” tha ai për The Observer. “Gjithashtu jam senator përjetë në parlamentin italian dhe si rrjedhim është detyra ime të reagoj në katastrofa të tilla”, shtoi ai.
I ardhur nga një familje ndërtuesish nga Xhenova, Piano tha se trishtimi mbi jetët e humbura i “qëndronte sipër si një hije”.
Arkitekti tha se negativiteti në sferën politike italiane, që prej tragjedisë, mund të luftohet me bashkëpunim.
I pyetur për arkitekturën e menduar, Piano tha se cilado strukturë të zgjidhet duhet të përcjellë mesazhin e “krenarisë dhe vlerave”.
“Duhet të jetë patjetër e bukur, jo në sensin kozmetik, por në përcjelljen e mesazhit të vërtetës dhe krenarisë,” tha ai. “Duhet të jetë një vend ku njerëzit ta kujtojnë tragjedinë, por edhe të shërbejë si hyrje për qytetin. Gjithë kjo, duhet arritur pa asnjë shenjë retorike – kjo është më e vështira”, përfundoi Reanzo Piano.
s.a/dita