Home KRYESORE Bergson, Koha dhe Moderniteti! Nga Suzanne Guerlac

Bergson, Koha dhe Moderniteti! Nga Suzanne Guerlac

Përktheu Elvis Zaimi

“Koha ka kaluar, nëse kalimi i saj nuk ka rëndësi” Paul Valery “La crise de l’esprit”

Problemi i kohës, i lashtë sa vetë njerëzimi dhe historia e qytetërimit, është shndërruar në problemin parësor të periudhës moderne. Walter Benjamin e karakterizoi periudhën moderne në termat e një horizonti të ri kohor; atij tw horizontit të hutimit dhe shpërqëndrimit, si dhe të përvojave traumatike. Paul Valery e diagnostikoi modernitetin me termat e një krize kohore. Pas tyre dhe jo shumw kohw mw parw, Paul Virilio, e ka analizuar botën post-moderne, në termat e një krize të shpejtësisë.

Në fillimet e shekullit të njëzetë, Bergson na bën thirrje ta mendojmë kohën më konkretisht. Ai na fton të marrim në konsideratë vetë aktin real të lëvizjes, të ndodhurit e asaj që ndodh (ce qui se fait), duke na kërkuar ta interpretojmë lëvizjen me termat e ndryshimit cilësor, jo si ndryshim i matur nw mwnyrw sasiore pasi fakti ka ndodhur, dhe mw pas i vendosur në hartën hapësinore.

Nëse e përfytyrojmë kohën si një vijë, ose si një rreth, koha ndalet së lëvizuri. Në këtë mënyrë ne pa dashje e kemi shndërruar kohën në hapësirë.”Logjika jonë e zakonshme-shkruan Bergson-është logjika e retrospeksionit. Ajo e ka të pamundur të na ndihmojë që realitet e së tashmes t’i hedhim pas në të shkuarën, kështu që ajo që është sot…duhet…në sytë e saj, të ketë qenë gjithmonë kështu. Ajo nuk mund të pranojë se me kalimin e kohës kanë celur dhe lulëzuar ndryshime të reja, se gjësendi të reja janë krijuar, dhe se koha është efikase. Ajo sheh në një formë ose cilësi të re vetëm një rirregullim të së vjetrës, dhe absolutisht asgjë të re. Për të qenë i qartë, nuk është çështja që të heqim dorë nga ajo logjikë, ose për t’u revoltuar kundër saj .Por ne duhet ta shtrijmë atë, ta bëjmë më të përkulshme dhe elastike, dhe ta përshtasim atë tek durata, në të cilën evolucioni është krijues”.

Bergsoni e mendon kohën si forcë .Kjo është ajo që ai nënkupton kur përdor frazën “Durata Reale”. Filozofia perëndimore argumenton ai, e ka humbur nga horizonti i vështrimit të saj efikasitetin e kohës, forcën produktive që ajo shfaq nw aftwsinw për të nxjerrë në dukje gjësendira absolutisht të reja. Ashtu siç mund ta kishte shprehur Heidegger, ato janë çfarë ka qenë e harruar, çfarë kishte qenë “e pamenduar”. Mirëpo Bergsoni e thekson këtë edhe më fuqishëm. Ai pohon se koncepti ynë statik për kohën është një “mbrojtje” e jona përballë heterogjenitetit të reales. Ai sugjeron se të menduarit diskursiv është në vetvete një përshtatje biologjike, një mbishtresëzim i reales, duke na e ofruar vizionin mbi botën nw disa mënyra të caktuara për arsye pragmatike. Ai prezanton për ne një vizion të palëvizshëm të botës të cilën duhet ta zotërojmë, duke e projektuar mendimin tonë sipas një rrjete hapësinore, sic shprehet Bergsoni- “e hedhur si një rrjetë”- pwr të mbledhur dhe organizuar realen dinamike dhe heterogjene, kështu që ne të mundim të veprojmë më mirë ndaj saj, dhe të marrim kontrolllin mbi të.

Çfarë ndodh kur ne përpiqemi ta shqyrtojmë intelektualisht lëvizjen reale? Ne zbulojmë se mendimi ynë nuk është i prerë për këtë detyrë. Të mendosh në kohë, shkruan Bergson, është gjithmonë e pabashkëmatshme me gjuhën, e cila e shtyp duratën me srukturën e saj përsëritëse. Ne përsërisim të njëjtën fjalë për të emëruar një larmi gjësendesh që ndodhin në momente të ndryshme, ndërkohë që, në fakticitetin e reales, asgjë nuk përsëritet njëlloj dy herë. Bergsoni është filozofi I intuitës, kur merr përsipër të rrokë atë që mendimi diskursiv dhe simbolet matematike nxjerrin në dukje, forcën produktive të kohës teksa ndodh, dhe kompleksitetin e reales.

Share: