Home KRYESORE Arsyet pse Merkel i konsideron me rëndësi të madhe kufijtë aktualë Kosovë-Serbi

Arsyet pse Merkel i konsideron me rëndësi të madhe kufijtë aktualë Kosovë-Serbi

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka një rol kyç në politikën e Bashkimit Evropian aktualisht, ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe të presidentit të Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sa i përket situatës aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe debatit për korrigjim eventual të kufijve mes të dyja vendeve. Në media ishte raportuar se Merkel po kundërshton korrigjimin e kufijve.

Në deklaratën që Merkel ka dhënë në një konferencë për media, pas takimit që pati dje me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ajo tha se integriteti aktual territorial mes Kosovës dhe Serbisë ka “rëndësi me dimensione të mëdha”, dhe tregoi arsyet pse.

Merkel, gjatë konferencës iu referua bisedës që ka pasur me presidentin e SHBA-së Donald Trump për situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se përkrahin bisedimet që kanë një qëllim, porse kërkojnë veprime që nuk lë pasoja në vende tjera, transmeton ksp.

“Sa i përket telefonatës [me Trump] ne shkëmbyem qëndrimet edhe sa i përket situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ne përkrahim të gjitha bisedimet që çojnë në qëllime, por ne themi në të njëjtën kohë se integriteti territorial se si është krijuar sot ka një rëndësi të veçantë dhe këtë e kam bërë të qartë këtë edhe gjatë vizitës sime në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe në malin e Zi. Ne duhet ë jemi të kujdesshëm që veprime në një vend na çojnë në veprime në një vend tjetër. Por unë sigurisht shpresojë që bisedimet në mes të palëve do të përmbyllen”, ka thënë Merkel në një konferencë për media para gazetarëve pas takimit me kryeministrin kroat.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve.

Presidenti Thaçi ka thënë sot përmes një postimi në Facebook se përkrah bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si pjesë të territorit të Kosovës, mirëpo është kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Thaçi e Vuçiq do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

360grade.al

Share: