Gjatë dy viteve të fundit, një kompani e akuzuar nga PD për ‘lidhje me mafian’, fitoi e vetme gati 73 për qind të vlerës së shërbimeve të lavanderisë të prokuruara nga spitalet rajonale, duke u shpallur fituese në më shumë se gjysmën e tenderave, pasi nga autoritetet kontraktore u skualifikuan shumica e subjekteve të tjera konkurruese.
Një vit më parë në gusht 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri publik rezultatet e auditimit për periudhën 2014 -2017 për Spitalin Psikiatrik Vlorë “Ali Mihali’, ku sipas KLSH-së rezultuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore dhe nënligjore.
Një nga shkeljet kryesore të konstatuara nga grupi i audituesve lidhej me një tender me kohëzgjatje 4 vjeçare për shërbimin e lavanderisë me vlerë 94.2 milionë lekë. Për këtë tender, vetëm dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës shkonte në gati 4 milionë lekë për vitin e parë dhe 11.7 milionë lekë për të tre vitet pasuese.
Sipas KLSH-së, në tenderin e lavandërisë, si kompania fituese A.G.S sh.p.k dhe aq më tepër operatori i skualifikuar Balkan Laundry sh.p.k nuk i përmbushnin kushtet e prokurimit.
Për këto dhe shkelje dhe të tjera që bashkë arrinin një vlerë prej 26.4 milionë lekë, KLSH kallëzoi në prokurori drejtorin e Spitalit Psikiatrik Vlorë, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe i rekomandoi Ministrit të Shëndetësisë largimin e tij nga detyra.
Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN në Agjencinë e Prokurimit Publik, APP, tregojnë se ky nuk është i vetmi tender problematik lavanderie gjatë dy viteve të fundit. Nga 17 tenderë të realizuar me një vlerë prej 1.14 miliardë lekësh, kostoja e prokurimit ishte 97.3 për qind e fondit limit.
Tetë nga këto tenderë me një vlerë prej 863 milionë lekësh janë mbajtur me procedurë të hapur dhe janë fituar nga kompania Devis Sh.p.k – një operator në qendër të akuzave nga opozita për lidhje me krimin e organizuar.
E pyetur nga BIRN mbi akuzat e opozitës, Devis sh.p.k mohoi nëpërmjet një zëdhënësi se kishte lidhje me krimin e organizuar, ndërsa nënvizoi se suksesi i kompanisë në prokurimet publike ishte rezultat i investimeve të saj.
“Po, ne kemi lavanderinë më të madhe dhe më moderne në Shqipëri e mbase dhe në Ballkan dhe është normale që në konkurime të fitojmë,” tha zëdhënësi i kompanisë, Arben Duka.
Privatizim me kosto të fryra
Në dhjetor 2014, ish drejtoi i Spitalit Psikiatrik të Vlorës iu drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për privatizimin e shërbimit të lavanderisë dhe furnizimin me material të butë të spitalit.
Bashkangjitur kësaj kërkese ka qenë dhe një relacion i përgatitur nga një grup pune, sipas të cilit volumi vjetor i punës së lavanderisë së spitalit ishte 138,051 kilogramë, me një kosto për kilogram prej 209.7 lekë dhe një kosto totale vjetore prej 28.9 milionë lekë.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky relacion e ka rritur artificialisht vlerën e kontratës katër vjeçare të shpallur me fond limit 94.2 milionë lekë.
“Përllogaritja e vlerës së kontratës dhe e çmimit për kilogram nga komisioni përkatës, është kryer gabim duke rritur në mënyrë të pajustifikuar volumin e punës me 38,721 kg/vit. Konkretisht, sipas shumës tabelës së përllogaritjes së kësaj sasie, volumi i punës duhet të jetë 99,330 kg dhe jo 138,052 kg,” shprehet KLSH në raportin e saj, duke shtuar se për këtë shkelje mbajnë përgjegjësi anëtarët e grupit të përllogaritjes së kostos.
Jo vetëm që grupi i punës ka fryer kostot, por ajo që e bën dhe më të rëndë shkeljen e drejtuesit të autoritetit kontraktor sipas KLSH, është fakti që Spitali Psikiatrik Vlorë nuk kishte nevojë ta kontraktonte këtë shërbim.
“Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion, nuk konstatohet nevoja e kryerjes së shërbimit, duke qenë se SPV kishte të instaluar vetë pajisjet e reja të lavanderisë, ambientin e funksionimit të saj, fuqinë punëtore,” shkruan KLSH.
Megjithë mungesën e argumenteve dhe të nevojës për ta prokuruar shërbimin, me anë të një shkrese të dërguar me 17 prill 2015, drejtuar drejtorit të SPV, ish- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i miraton kërkesën për privatizimin e shërbimit të lavanderisë dhe furnizimin me material të butë.
Pas marrjes së dritës jeshile nga Ministri i Shëndetësi, drejtori i Spitalit të Vlorës në janar 2016 ka ngritur komisionin e vlerësimit të ofertave dhe nëpërmjet një relacioni pa numër protokolli ka llogaritur vlerën e kontratës për 4 vite, për sasinë 96,228 kilogram në vit, në vlerën 94,2 milionë lekë pa tvsh, ose në vlerën 244.94 lekë/kg.
Në përllogaritjen e fondit limit, Spitali Psikiatrik i ka llogaritur operatorit ekonomik fitues shpenzime për investime që ekzistonin ose amortizim pë makineri që vetë spitali i jepte me qira.
“Si konkluzion, dëmi ekonomik total i shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës, është në vlerën 3,999,199 lekë për vitin e parë të kontratës dhe dëmi i mundshëm për 3 vitet e tjera të kontratës është në vlerën 11,755,860 lekë,” shkruan KLSH.
Tenderi për shërbimin e lavanderisë në Spitalin Psikiatik të Vlorës u hap me 2 shkurt 2016 dhe komisioni i vlerësimit mori dy oferta. Oferta që u skualifikua nga kompania ‘Balkan Laundry’ kishte vlerën 83.5 milionë lekë, ndërsa oferta e kualifikuar dhe e shpallur fituese A.S.G kapte vlerën 93.3 milionë lekë.
Sipas KLSH-së, të dy kompanitë nuk i përmbushnin kushtet për t’u kualifikuar në tender.
“OE Balkan Laundry SHPK, ofertën e dhënë e ka shoqërua me mungesë të theksuar dokumentacioni,” shkruan KLSH.
“A.G.S shpk nuk disponon ambient për kryerjen e shërbimit të lavanderisë, në kundërshtim me shtojcën 7, pikën 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit”,” shton KLSH, duke nënvizuar se për këto veprime mbajnë përgjegjësi anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe titullari i autoritetit kontraktor.
Gjetjet e KLSH-së iu përcollën prokurorisë, bashkë me një kallëzim për shpërdorim detyre në adresë të drejtorit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës. BIRN mësoi se çështja ndaj tij është pushuar nga Prokuroria.
Treg pa konkurrencë
Tenderi i lavanderisë së Spitalit Psikiatrik Vlorë nuk është tenderi i parë i këtij lloji që shoqërohet me akuza për shkelje të barazisë së operatorëve ekonomikë.
Një investigim i BIRN, i publikuar në korrik 2015 zbuloi se një tender i ngjashëm 4 vjeçar me vlerë 1.1 miliardë lekë i mbajtur nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza për shërbimin e lavanderisë, i cili u fitua gjithashtu nga kompania A.G.S sh.p.k, u shoqëruar nga akuza për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender. A.G.S i hodhi poshtë akuzat si të motivuara nga konkurrenca.
Megjithatë, A.G.S nuk është kompania e vetme e ‘suksesshme’ në këtë të treg, për të cilën ka dyshime se merr trajtim preferencial nga autoritetet kontraktuese.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) për tenderat e zhvilluar nga drejtoritë e spitaleve rajonale, rezulton se nga janari 2016 deri në fund të muajit qershor 2018 janë realizuar 20 tenderë për shërbimin e lavanderisë, ku për 17 prej tyre janë shpallur fituesit, një është anuluar dhe për 2 të tjerë është shpallur procedura, por jo fituesit. Fondi limit për 20 tenderët e shpallur ka qenë 1,27 miliardë lekë, ndërkohë që fondi limit për 17 tenderët e fituar arrin në 1,18 miliardë lekë.
Nga këta 17 tenderë, 11 janë zhvilluar me procedurë të hapur, 3 me procedurë me negocim, ndërsa 3 të tjerë kanë qenë shtesë kontrate. Këto prokurime janë realizuar nga 11 drejtori të spitaleve rajonale dhe janë fituar nga 6 subjekte.
Ajo që vihet re është fakti se shumica e tenderëve janë fituar me vlerë shumë të afërt pranë fondit limit, duke pasur parasysh edhe faktin se vetëm në një tender janë kualifikuar dy kompani, pasi në të gjitha rastet e tjera është kualifikuar vetëm fituesi, i cili si për çudi ka ofruar vlerë tejet të afërt me fondin limit.
Konkretisht, për të 17 tenderët që janë shpallur fituesit rezulton se vlera totale, pa përfshirë TVSH-në, është 1,14 miliardë lekë, që përbën 97.3% të fondit limit për këta tenderë. Vetëm dy tenderë rezultojnë se kanë vlerë fituese më të vogël se mesatarja prej 97.3%, pasi në 15 të tjerë, kjo vlerë është më e lartë.
Madje, nga 17 tenderë të zhvilluar, 8 prej tyre janë fituar nga i njëjti subjekt, i cili asnjëherë nuk ka paraqitur ofertë më të vogël se 98% të fondit limit. Konkretisht, subjekti Devis sh.p.k ka fituar 8 tenderë me vlerë totale 861 milionë lekë pa TVSH.
Si volum, tenderët e fituar nga Devis Sh.p.k kapin 73 për qind të vlerës totale të tenderuar në 17 tenderat e mbajtur nga spitalet rajonale me vlerë 1.14 miliardë lekë.
Megjithëse në pjesën dërrmuese të tenderëve të fituar nga Devis sh.p.k operatorët e tjerë janë skualifikuar nga gara, vetëm një kompani është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Ankesa e bërë nga kompania ‘Sanitary Cleaning’ për tenderin e lavanderisë të mbajtur nga Qendra Spitalore “Xhafer Kongoli” Elbasan në mars 2016 është hedhur poshtë KPP.
E pyetuar nga BIRN, kompania ‘Sanitary Cleaning’ u shpreh se e pranonte vendimin e Komisionit.
“Unë si subjekt kam detyrimin ligjor që të bëj ankesë. Më pas vendimi i përket institucionit përkatës, ndaj ne e kemi respektuar vendimin që ka marrë Agjencia e Prokurimit Publik,” tha një zëdhënës i kompanisë në një përgjigje me shkrim.
“Nuk mund të flas për klientelizëm mbi njërën kompani ose tjetrën, ky është një proces i hapur. Kështu funksionon në biznes, ndaj dhe ne jemi të hapur si për humbjen, ashtu edhe për daljen fitues në tenderë,” shtoi ai.
Megjithatë për Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave – një organizatë e shoqërisë civile që monitoron konkurrencën dhe zbatimin e ligjit në fushën e prokurimeve publike, skualifikimi nga gara i operatorëve të shumtë në tenderët e fituar nga Devish Sh.p.k ngre ‘flamuj të kuq.’
“Në sistemin tonë për prokurime transparente Sektori Shëndetësi, ne i shënojmë me një flamur të kuq (redflag) ato tendera ku autoriteti prokurues ka përjashtuar të gjithë operatorët me ofertë më të ulët se oferta e shpallur fituese,” tha Brahaj.
“Ky shënim jep një indicie për të parë më me kujdes procedurën dhe për të monitoruar nëse jemi në një rast të vlerësimit korrekt nga ana e autoritetit prokurues, apo kemi një element të favorizimit për operator të caktuar. Shpesh skualifikimet vijnë për shkak të disa kritereve specifike deri dhe klienteliste të paravendosura në procesin e hartimit të dokumenteve standarde të tenderit,” shtoi ajo.
Po ashtu, Brahaj theksoi se ‘Eficenca Buxhetore në Prokurim’ është një indikator tjetër për cilësinë e garës dhe konkurueshmërinë. Ndërkohë ky tregues është edhe pjesë e vlerësimit si për operatorin fitues edhe për institucionin tenderues.
“Kompanitë me eksperiencë të gjatë në treg do të duhej të ofronin shërbime me kosto edhe më të kënaqshme, më të favorshme për publikun,” tha Brahaj. “Sektori i shëndetësisë nuk e ka në asnjë rast eficencën vjetore më shumë se 7% (diferenca e fondit limit me ofertën fituese), në rastet që ju keni përzgjedhur është vetëm 2%,” përfundoi ajo.
E pyetur të komentonte mbi eficencën buxhetore të tenderëve të lavanderisë, Ministria e Shëndetësisë refuzoi.
“Informacioni i kërkuar i referohet procedurave të tenderave të bëra nga spitalet rajonale, kështu që informacioni mund të jepet nga drejtoria spitalore përkatëse, e cila ka zhvilluar procedurën e tenderit dhe shpallur fitues subjektin,” tha ministria në një përgjigje me shkrim.
Ndërkohë, zëdhënësi i Devis Sh.p.k nënvizoi se ajo nuk ishte fituesja e vetme e tenderëve të lavanderisë në Shqipëri, duke iu referuar tenderit të fituar nga kompania A.G.S në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
“E pamundur që ne të kemi përfituar 98 përqind të fondeve që janë në dispozicion për këtë shërbim, kur tek “Nënë Tereza” lëvrohen dhjetë milionë euro, shumë më tepër se përfitimet tona,” tha ai.
Akuza për lidhje me krimin
Akuzat për klientelizëm nuk janë të vetmet që i janë drejtuar kompanisë Devis Sh.p.k. Ish kryeministri Sali Berisha, në prill 2017 ka publikuar në faqen e tij në Facebook denoncimin e një qytetari, i cili pretendonte se kompania Devis sh.p.k kishte “lidhje me mafien” dhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“I nderuar z Berisha, si çdo gjë dhe pastrimin në Spitalin Psikiatrik në Vlorë e ka marr Devis sh.p.k, kompani me pronësi të Kristinka Lenka, gruaja pa celebrim, por me fëmijë e Lefter Lamajt. Ky është kryetari i një grupi kriminal që merret me drogë vrasje. Vëllai i vet është në burg i arrestuar me vendim të gjykatës italiane, Lefteri ka letrat që i kanë ardh nga Italia po ja zhduku ministria e Drejtësisë. Këta kanë kap me presion e shantazhe gjithë tenderat e pastrimit dhe larjes së rrobave,” shkruhet në postimin e Berishës, të raportuar gjithashtu në shtypin e shkruar.
“Beqen e kanë si ushtarin e tyre se për çdo punë i japin baxhanakut të Beqes 30%. I bëjnë presion për tërheqje nga gara duke përdor kriminel gjithë kompanive, por dhe drejtorëve të spitaleve. Kanë një organizim te mirëfilltë mafioz,” shton postimi i Berishës.
Ndryshe nga pretendon postimi në Facebook-un e ish- kryeministrit Sali Berisha, të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se kompania Devis Sh.p.k nuk ka qenë fituese e tenderit të lavanderisë në Spitalin Psikiatrik Vlorë.
Për akuzat e ish kryeministrit Berisha ka reaguar dhe aksionerja e vetme e kompanisë Devis sh.p.k, Kristinka Leka, e cila e ka akuzuar Berishën si shpifës.
“Dëgjo këtu ti more plak qesharak. Unë jam Kristinka Leka dhe jo Lenka. Ti nuk mund të merresh seriozish por dy fjalë për të demaskuar shpifjet e tua do t’i shkruaj. Kam 20 vjet që investoj në lavanderi dhe sot kam lavanderinë më moderne në Shqipëri dhe kredi të mëdha për të shlyer,” shkruan Leka sipas gazetës Panorama.
“Ti thua që jemi mafia dhe paguajmë 30 për qind të shumës së çdo tenderi. Ku ke dëgjuar ti që mafia paguan,” shtoi ajo.
Kompania Devis sh.p.k është themeluar në vitin 2004 me ortak të vetëm Lefter Lamaj dhe në vitin 2008 i është shitur znj. Kristinka Leka për 8.2 milionë lekë. Në nëntor 2017 në Tiranë, polica e arrestoi themeluesin e kompanisë, Lefter Lamaj, 49 vjeç, pasi kërkohej nga shteti italian për arsye ekstradimi për veprat penale ‘pjesëmarrje në organizatë kriminale’ dhe ‘shfrytëzim prostitucioni.’
Zëdhënësi i kompanisë Devis Sh.p.k, Arben Duka, mohoi se pronarja e kompanisë Kristinka Leka të kishte lidhje me krimin e organizuar.
“Devis nuk ka pronar, por pronare të vetme znj.Kristinka Leka,” tha Duka.
“Të njëjtat gjëra ka shkruar dhe Berisha tek qytetari dixhital para disa kohësh. E detyruam të na kërkonte falje,” përfundoi ai.
E pyetur nga BIRN mbi lidhjen e saj me Lamaj, administratorja e kompanisë Devis Sh.p.k Kristina Leka u shpreh se ajo nuk do të fliste për jetën e saj private.
“Nëse keni pyetje rreth kompanisë, unë jam e hapur për çdo pyetje të jap përgjigje, por nëse do të pyesësh për jeten time private, kjo do të thotë që nuk interesohesh për punën e kompanisë,” tha Leka.
“Unë kam zgjedhur të mos jem person publik, kështu që nuk është e drejta juaj të dini me kë fle unë,” përfundoi ajo./BIRN