Home KRYESORE Arrestohet “i forti” i Shkodrës te “Xhamllikut”, kërkohej dhe në Belgjikë

Arrestohet “i forti” i Shkodrës te “Xhamllikut”, kërkohej dhe në Belgjikë

I njohur si “i forti” i Shkodrës, Safet Bajri (Rustemi), është arrestuar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë. 34-vjeçari u arrestua në një magazinë afër zonës së “Xhamllikut”.

Sipas të dhënave paraprake, arrestimi i tij është bërë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë, për veprat penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar të posaçëm kriminal.

Lajmi konfirmohet për “tvklan.al” nga burime të Prokurorisë dhe të Policisë.

Sëbashku me Bajrin, në polici është ndaluar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Ndërkohë mësohet se në kërkim janë shpallur edhe 3 persona të tjerë.

Safet Bajri (Rustemi) është në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet belge, ndërsa mediat atje e kanë konsideruar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.

Ai është dënuar më 25 Janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.

Mbi Rustemin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 Shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.

V.L/ Dita

Share: