Nga Ilir Levonja
Nga nëntori i vitit që shkoi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, u tha shqiptarëve midis të tjerave se…, ata që nuk e duan reformën, mbushin përditë xhepat me paratë tuaja. Këta janë ministra të korruptuar, deputetë të lidhur me krimin, gjykatës të paaftë, etj.
Dukej si një mllef i plasur shpirtit. Për shkak të këshillimeve të kahershme. Si një mllef që dilte nga sharmi diplomatik. Megjithatë, ai foli shqip. Shqip dhe troç. Ndofta për të shmangur njëhere e përgjithmonë, ato interpretimet sipas oreksit që shpesh selitë e partive u bëjnë deklaratave të diplomatëve.
Edhe atëhere, u paralajmërua për një lloj dështimi. Madje shenja e parë qe shtyrja e reformës në pranverë. Të tjerat rrodhën me festat e fundvitit. Përmbytja dhe të tjera skupe politike. Si pushimet prej milioneri të Kryeministrit në Miami. Vrasjet për larje hesapesh etj. Dhe së fundi, disa lajme …, që burojnë nëpër qoshe webesh. Ku shqiptarë të lumtur deklamojnë, deshtimin e Lu-së. Ku është Lu-ja, pyesin me qejfin më të madh.
E para dhe e fundit. Nuk ka dështuar Lu-ja. Nëse vërtetë zhurma për reformën u mbyll me kaq. Por kemi dështuar ne. Një shoqëri që i mban sytë tek të huajt, nuk mund të bëjë reforma të mirëfillta dhe dobiprurëse për vendin. Ndaj është fatkeqësi që lumturohemi me heshtjen e atij burri. I cili nuk është në Shqipëri për të reformuar vendin tonë. Por për t’i shërbyer së pari vendit të tij. Nëse flet hapur dhe është aktivist. E bën kur shikon se ka njerëz që vërtetë e duan reformimin. Pra për të ndihmuar reformatorët. Që fatkeqësisht aty janë me pakicë. Dhe kjo është karakteristikë e atij soji njeriu, i cili jeton me devizën, zot i fatit tënd.
A janë shqiptarët zotër të fatit të tyre.? Asesi. Diku padashur. Diku me dashje. Janë sot ato krijesa të ndara që grinden për gjithçka.
Deri grupime të verbta.
Përfundimi, kush fitoi nga dështimi i Lu-së dhe Vlahutin-it. Një dhe vetëm një kategori, ata që mbushin xhepat me djersën, gjakun dhe paratë tuaja. Kurse ju si gjithmonë, veç mbushni krahët me ndihma përmbytjesh dhe fatkeqësish.