Home KRYESORE Rama: Kriminelët e arrestuar asnjë kontakt me njerëzit, kamera 24 h në...

Rama: Kriminelët e arrestuar asnjë kontakt me njerëzit, kamera 24 h në burgje

Periudha e paraburgimit dhe ajo e vuajtjes së dënimit, nuk do të jetë më një “luks” që deri më sot krijonte mundësinë që të pandehurit të favorizoheshin duke pasur sende të palejuara, siç rëndom ndodhte me celularët, apo kontaktet e shpeshta dhe të pakontrolluara me persona të jashtëm.
Këto kushte të reja sigurie, do të zbatohen ndaj personave të akuzuar dhe të arrestuar për veprën penale të krimit të organizuar.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, në një konferencë për mediat, bëri të ditur se të pandehurit për krime të organizuara do të kenë kontakte të kuzifuara dhe rreptësisht të monitoruara me njerëzit gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit.

“Kemi vendosur të ndërmarrim një ndryshim ligjor për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit. Është një model që mund ta shihni në detaje, duke iu referuar atij aspekti të legjislacionit peniteciar, që italianët e pagëzojnë me emrin “41-bis”, që do të thotë se këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për të gjithë kohën e vuajtjes së dënimit të tyre” , tha shefi i mazhorancës.

Po ashtu, Rama lajmëroi ngritjen e një salle operative monitorimi, 24 orë, me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë, siç është 313-a në Tiranë, edhe nga godina e operacionit “Forca e ligjit”.

“Kemi vendosur ngritjen e një salle operative monitorimi non-stop me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë, duke filluar nga burgu “313” dhe nga godina e operacionit “Forca e Ligjit”. Ndërkohë, në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve do të ngrihet një sallë operative monitorimi non-stop e të gjitha institucioneve peniteciare të Republikës së Shqipërisë. Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon përgjegjësinë e të gjithë atyre që punojnë dhe shërbejnë në shërbimin peniteciar të Republikës së Shqipërisë në një nivel të panjohur më parë dhe kjo e çon monitorimin e të gjithë atyre që vuajnë dënimin në një nivel të panjohur më parë, non-stop, 24 orë, për të gjithë kohën e dënimit. Duke mundësuar reduktimin në nivele krejt minimale, për të mos thënë në zero, të të gjithë atyre aspekteve dhe fenomeneve si “futu e dil dhe fut e nxirr celular” dhe garanton se burgjet janë vende ku vuhet dënimi, jo vende ku komandohet bota e krimit” – tha kryeministri Edi Rama.

360grade.al

Share: