Home KRYESORE Korruptimi i zgjedhjeve që mbajnë peng të gjitha pushtetet

Korruptimi i zgjedhjeve që mbajnë peng të gjitha pushtetet

Nga Dr. Rita Loloçi

 

Gjatë 25 viteve të tranzicionit në Shqiperi janë zhvilluar rreth 13 herë (zgjedhje për pushtetin lokal dhe zgjedhje të përgjithshme parlamentare). Ajo që është vënë re në këto zgjedhje, sipas vërejtjeve të dhëna nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe atyre vendas, ka qenë manipulimi dhe vjedhja e votave nga subjektet zgjedhore ose e thënë ndryshe nga partitë e mëdha duke përdorur forma nga më të ndryshme.

Natyrisht se kjo situatë vjen para së gjithash me gjendjen aktuale të partive shqiptare, të konceptuar kryesisht si shpk, pra si prona të lidershipit, që pak merakosen për demokracinë e brendshme të tyre, zakonisht zgjedhja e forumeve bëhet sa për të kaluar radhën dhe personazhe politikë që hynë në politikë në vitet nëntëdhjetë vijojnë të jenë si statuja të murosura edhe në 2016.

Nje dukuri tjetër e vërejtur ka qenë edhe ndryshimi i shpeshtë i Kodit Zgjedhor, ndryshime këto qe kanë buruar nga interesat e partive të mëdha për të justifikuar manipulimin e tyre.

Ka mbi 12 raporte të OSBE /ODIHR mbi proceset zgjedhore që përmendin të njëjtat vërejtje, vit pas viti, si detyra ndaj subjekteve zgjedhore dhe qeverive në Shqipëri dhe progresi apo përmirësimi është shumë i vogël. Dhe kjo ka ndodhur pasi zgjedhjet dhe korniza ligjore përgatitet dhe zbatohet nga të njëjtit njerëz që e manipulojne dhe deformojnë procesin në forma nga më të ndryshme.

Ka një kontradiksion që gjatë gjithë këtyre viteve në proceset zgjedhore janë bërë vërejtje për manipulime të tyre nga partitë politike, për blerje të votës dhe sipas kësaj logjike si mundet ata që kanë vjedhur të jenë të gatshëm të mos vjedhin më votat? Pra hajdutit i thuhet: Përmirëso vjedhjen ose mos vidh më? Kjo tingëllon pak e çuditshme, kështu që ka ardhur koha për disa ndërhyrje të karakterit administrativ në menaxhimin e zgjedhjeve.

Ajo që është vënë re në raportet dhe që ka ndodhur realisht janë listat zgjedhore. Devijimi zgjedhor fillon që me përgatitjen e tyre (në zgjedhjet e fundit janë bërë çudira me listat e zgjedhësve), pasi ato hartohen dhe supervizohen nga përfaqësuesit e partive të punësuar në institucionet që janë përgjegjëse për hartimin e tyre.
Anëtarët e komisioneve zgjedhore janë përfaqësues të partive, të cilët kanë marrë premtime për vende pune pas zgjedhjeve , kështu që ata duhet t’u binden çdo vendimi dhe urdhëri të dhënë nga partitë e tyre, sido që të jetë ky urdhër, siç ka ndodhur rëndom.

Megjithëse në udhëzimet e KQZ thuhet që ditën e zgjedhjeve duhet të hiqen posterat e kandidatëve në një distance deri në 100 m nga qendra e votimit , ne shohim në çdo qendër votimi nga tre tavolina me përfaqësues të tre partive të mëdha me listat nëpër duar duke numëruar dhe skontuar votuesit , (konkretisht të punësuarit dhe familjarët e tyre, si dhe duke pritur ndonjë gjah për të gjuajtur dhe për t’i gënjyer me forma të ndryshme për të votuar për një nga këto tre parti që zënë dyert e qendrave të votimit ). KQZ në çdo zgjedhje sigurohet që posterat t’i heqin, por këta njerëz me lista në duar nuk i sheh.

Një fenomen tjetër është dhe procesi i numërimi të votave, përsëri nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore, të cilët shpesh herë e kanë shndërruar vendin e numërimit në arenë lufte për vota duke u perpjekur nga të gjitha anët për të treguar besnikëri ndaj partisë mëmë.

Meqenëse kornizat ligjore egzistuese nuk kanë siguruar një bazë të sigurt për zgjedhje të lira dhe demokratike thuhet në raportin e OSBE / ODIHR për zgjedhjet e qershorit 2015 , ka ardhur koha që ndryshimet në kodin zgjedhor të jenë gjithëpërfshirëse duke përfshirë edhe qytetarët pa parti dhe duke marrë propozime të ndryshme që zvogelojnë ndërhyrjen e partive në manipulimin e procesit zgjedhor.

Në këto kushte propozohet një reforme për administrimin zgjedhor ku nëpunësi civil të mos persekutohet, ku të varfërit të mos blihen për 2000 lekë, ku militantët të mos kenë mundësi të kërkojnë vende pune në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në administrimin e zgjedhjeve,

Po kështu shikohet si i rëndësishëm auditimi i financimit të partive në zgjedhje duke u bërë publike dhe duke u supervizuar nga shoqëria civile.

Propozimi për ndryshime ligjore në administrimin e zgjedhjeve me njerëz pa parti, (të tillë si studentë, arketarë të bankave private apo mësues të shkollave të mesme e 9-vjeçare) do të ndikojë në zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë qenë prezente në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri.

Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri administrimi i zgjedhjeve të zhvilloheshin nën administrimin e Ministrisë së Brendshme, të një strukture të veçantë që mund të quhej edhe Institucioni i Administrimit të Zgjedhjeve (IAZ). Nuk ka asnjë dyshim se vetë ky dikaster vijon të mbetet më i anatemuari si nga Partia Socialiste ashtu edhe nga Partia Demokratike (ai vazhdon të kritikohet sot e kësaj dite ashpër edhe për shkak të drejtimit dhe të ndryshimit rrënjësor të strukturave të policisë), megjithatë një ditë duhet bërë kapërcimi i madh që ky të jetë institucioni i vetëm për zgjedhjet.

Rishikimi i Kodit Zgjedhor, ribërja apo rimbajtja e trupës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përfshirja e partive politike në procesin e numërimit dhe të certifikimit të zgjedhjeve nuk do të sjellë gjë tjetër veç ato dukuri që janë vërejtur në zgjedhje të tjera. Pikërisht teksa po diskutohet ligji i ri zgjedhor është koha që ligjvënësit e majtë apo të djathtë të përgatisin një ligj dhe insfrastrukturë për zgjedhje me standard, të lira, të fshehta dhe demokratike.

Share: