Home KRYESORE Policia greke:Konstantinos Katsifas nuk u vra për flamur. Ngjarja në hetim

Policia greke:Konstantinos Katsifas nuk u vra për flamur. Ngjarja në hetim

“Nuk ka të dhëna dhe as dëshmi që të ndërlidhin përleshjen e armatosur në Shqipëri, gjatë së cilës mbeti viktimë Konstantinos Katsifas, (Kostandin Kaçifa) me ngritjen e flamurit grek”.

Kështu bën të ditur agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, duke iu referuar “burimeve kompetente” nga policia greke.

Sipas agjencisë, që në momentin e parë të incidentit pati komunikim të drejtorit të përgjithshëm të policisë greke, gjeneral lejtnant Aristidis Andrikopoulos me homologun e tij shqiptar.

Agjencia bën gjithashtu të ditur se kanë filluar procedurat me qëllim që të marrë pjesë dhe pala greke në hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve.

Sipas të njëjtave burime kanë nisur përmes rrugës diplomatike gjithë veprimet për të marrë pjesë në hetime edhe pala greke, me qëllim që të informohet dhe t’u ofrojë autoriteteve shqiptare çdo ndihmesë që konsiderohet e nevojshme.

Përplasja

Gjithsesi, shkruan agjencia, duke iu referuar burimeve nga policia greke, Konstantinos Katsifas kishte marrë pjesë në dekorimin e fshatit për nder të festës greke, ku u vendosën dhjetra flamuj dhe nuk pati asnjë problem.

Burimet nga policia greke i kanë thënë agjencisë se, “Katsifas, i veshur me rroba ushtarake, ishte i armatosur me një armë kallashnikov. Fillimisht qëlloi në ajër dhe pastaj kundër një makine të policisë që ndodhej në lëvizje, që u godit nga të paktën tre plumba (ekzistojnë dhe fotografi), ndërsa në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja”.

“Në vazhdim u largua. Policia filloi kërkimin e tij dhe në fund u lokalizua në një faqe mali, ku ndodhet edhe shtëpia e tij. Policia shqiptare urdhëroi ndërhyrjen e forcave speciale, të cilat mbërritën në zonë me helikopter. U shënuan të shtëna armësh, me rezultat vdekjen e Konstantino Katsifas”.

“Pranë te vdekurit u gjetën 8 gëzhoja, një çantë me rreth 100 fishekë kallashnikovi, thika dhe mjete ushtarake dhe një lak ushtarak”, përfundon agjencia greke e lajmeve ANA-MPA./Oranews.tv

Share: