Home Gjeo-Ekonomia Eksperti gjerman: Situata ekonomike në Shqipëri, katastrofale

Eksperti gjerman: Situata ekonomike në Shqipëri, katastrofale

Martin Henze, një nga zërat më të rëndësishëm të ekonomisë gjermane, situatën ekonomike në Shqipëri, e quajti katastrofale.

Gjatë një diskutimi për ekonominë në selinë e PD-së, Martin Henze, Kryetar i Komisionit për Transportin në Këshillin Ekonomik të CDU-së tha se: “Borxhi ekonomik është shumë i lartë, popullsia po reduktohet dhe pjesa më inteligjente e shqiptarëve po kërkon azil, arratia nga zona rurale është një tjetër problem që po prek Shqipërinë, infrastruktuar është plot mangësi, gjendja me titujt e pronësisë është katastrofale dhe siguria e tyre është jetike për ata që duan të investojnë e të blejnë prona në Shqipëri.”

Henze ngriti si shqetësim nismat favorizuese për Kinën dhe Turqinë, të disa vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë,
“Nisma 16+1 është një marrëveshje jo e mirë për Shqipërinë. Ju duhet të sqaroni ç’do të bëni, do të bëheni pjesë e BE-së apo të ndërmerrni një aleancë strategjike me konkurrentin tonë, Kinën. Nëse e kuptova mirë zotin Basha, të gjithë në Shqipëri thonë se duam të anëtarësohemi në BE. Është si në martesë, s’mund të kesh dy burra apo dy gra. Natyrisht mund të besh biznes edhe me Kinën, por s’mund të negociosh elementët nevralgjikë të ekonomisë, si portet, aeroportet, energjinë, furnizimi me ujë. Ne në Gjermani bëjmë shumë kujdes që këtë infrastrukturë të mos u jepet kompanive aziatike. Edhe ju në Shqipëri duhet të bëni shumë kujdes“, u shpreh Henze, i cili mori si shembull sektorin e naftës.

“Pse rezervat e naftës, për shfrytëzimin e të cilave mund t’ju ndihmojnë shumë firma evropiane, në Shqipëri nuk është treguar një kujdes i tillë. Në Portin e Durrësit ka patur interes nga ana e kinezëve dhe nuk e kuptoj vërtet këtë mungesë të largpamësisë në Shqipëri. Kam patur mundësi të bëj biseda me përfaqësues të ndryshëm në BE që kanë shumë përvojë në infrastrukturën portuale, që do të angazhoheshin me shumë dëshirë në Shqipëri“, theksoi dr. Henze.

Martin Henze vuri në dukje se Shqipëria është paralajmëruar nga partnerët në BE dhe SHBA për të mos ua dhënë portet dhe aeroportet me koncesion apo për shitje kompanive kineze dhe turke. “Tjetër gjë është të bësh biznes, me ata që Bashkimi Europian i konsideron konkurentë Strategjikë, por jo në fushën e insfrastrukturës”, tha ai.

Share: