Home KRYESORE Si duhet lexuar një libër? Nga Virxhina Woolf

Si duhet lexuar një libër? Nga Virxhina Woolf

Përktheu nga origjinali anglisht Elvis Zaimi

Në këtë orë të vonë të historisë botërore, librat do t’i gjesh thuajse në çdo dhomë të shtëpisë- në atë të fëmijve, në sallonin e pritjes, në kuzhinë. Por në disa shtëpi shoqëria që vjen prej tyre është e atillë sa na duhet t’I rregullojmë duke përshtatur për to një dhomë të veçantë – një dhomë-leximi, një bibliotekë, një studio. Le të imagjinojmë se gjendemi tashmë brenda një dhome të tillë, të ndriçuar nga rrezet e diellit, me dritaret e hapura për kah një kopsht i ndodhur përballë, aq sa të mundemi të dëgjojmë fëshfërimën e pemëve, bisedën e kopshtarit, pallmën e gomarit, thashethemet e disa plakave pranë pompës së ujit- dhe të gjitha proceset e rëndomta të jetës tek rrjedhin në mënyrën e tyre të shkakësishme dhe të parregullt, me të cilën kanë vijuar të përsëriten për shumë qindravjeçarë. Po aq shkakësisht si to, dhe me të njëjtin ngulmim, librat kanë ardhur duke u shtuar dhe u vendosur përbri njëri-tjetrit, nëpër rafte. Romane, poema, histori, kujtime, fjalorë, harta, libra udhëzues, nga ata të shkruar me gërma të kaligrafisë gotike por adhe ata të shtypur me teknikën më të fundit, libra në frëngjisht, greqisht dhe latinisht, të të gjitha formave, madhësive dhe vlerave, të blerë për qëllime kërkimore, dhe të blerë për t’u argëtuar dhe për nanurisje përgjatë një udhëtimi me tren, të blerë nga një gjindje gjithfarësoj, me temperamente nga më të ndryshmet; seriozë, trillanë apo tyryfylë, njerëz të veprimit apo të letrave.

Tashmë, çdokush fare mirë mund ta pyesë veten, ndërsa bën ecejake brenda një dhome të tillë, si do t’i lexoj unë këto libra? Cila është mënyra më e drejtë për t’i hyrë kësaj pune, si më duhet ta vendos veten qysh në nisje të saj? Ata janë kaq të shumtë dhe të larmishëm, gati të panumërt. Oreksi im për ta bërë këtë është kaq i trazuar, me hope, dhe tekanjoz. Çfarë më duhet të bëj për të nxjerrë kënaqësinë më të madhe të mundshme nga leximi i tyre? Dhe a është kënaqësia që duhet të synoj dhe kërkoj, apo ndonjë dobi dhe sa më shumë përfitim?

Do të parashtroj para jush disa mendime të miat që më kanë ardhur me këtë rast. Sakaq ju duhet ta keni vënë re shenjën e pikëpyetjes në fundin e titullit të kësaj eseje. Çdokush mund të mendojë rreth leximit sa të ketë qejf, dhe mendimet e tij mund të kufizohen vetëm nga dëshirat e tij, por askush nuk ka shanse të vendosë ligje mbi të lexuarin. Këtu, në këtë dhomë, si askund tjetër, shpirti mbushet me frymë

duke thithur ajrin e lirisë. Këtu, në këtë dhomë, këtë përvojë e përjetojnë thuajse të gjithë po njëlloj, si njerëzit e thjeshtë ashtu dhe të dijshmit. Sepse ndonëse leximi duket kaq i thjeshtë,-një çështje për nga rëndësia e barabartë me të diturin e alfabetit-është në të vërtetë kaq i vështirë saqë është e dyshimtë nëse ndokush di ndonjë gjë për të. Parisi është kryeqyteti i Francës, Mbreti Johan nënshkroi Magna Charta-n, këto janë fakte, këto mund të mësohen, por si t’u mësosh njerëzve sesi të lexojnë “Parajsën e Humbur” për të dalluar tej ajo një poemë të madhe, ose “Tesin e Derbervilëve” në mënyrë që të kuptojnë se ai është një roman i mirë? Si na duhet ta mësojmë artin e të lexuarit për vetveten? Pa u përpjekur të parashtroj ligje mbi një subjekt të paligjësuar, do të bëj disa sugjerime, të cilat mund të shërbejnë për t’ju treguar sesi nuk duhet lexuar, apo t’ju nxisin të mendoni për të gjetur metodat tuaja, ndoshta edhe më të mira të të lexuarit.

Dhe e nisim drejtpërsëdrejti duke kërkuar të kuptojmë sesi duhet lexuar një libër, duke mbajtur së pari në konsideratë faktin se librat janë kaq të ndryshëm, dhe se në raftin e tyre gjejmë poema, romane, biografi; secili i ndryshoëm nga tjetri siç ndryshon një tigër nga një breshkë, një breshkë nga një elefant. Prej këtej është e qartë se qëndrimi ynë duhet të jetë gjithë kohën në ndryshim. Nga libra të ndryshëm duhet të presim tipare apo cilësi të ndryshme. Edhe pse kjo tingëllon kaq e thjeshtë, gjindja gjithmonë sillet sikur të gjithë librat t’i përkisnin të njëjtës specie; sikur ata të ishin vetëm breshka ose vetëm tigra. Tërbohen kur gjatë leximit ndeshen me faktin se një romancier e ngjit në fron Viktorian gjashtë muaj përpara datës së saktë historike kur kurorëzimi i saj si mbretëreshë të ketë ndodhur realisht, ndërkohë që lavdërojnë me entuziazëm një poet për shkak se u ka predikuar se vjollca ka katër petale, ndërsa luleshqerra vetëm dhjetë të tilla, numër që mbetet thuajse gjithmonë i pandryshuar te të gjitha luleshqerat. Do t’i kishit kursyer vetes goxha kohë edhe nerva, të cilat mund t’i kishit shpenzuar në mënyrë më të frytshme duke i derdhur për kryerjen e punëve më të mira, sesa të kalitnit vetveten me durimin dhe gjakftohtësinë e nevojshme për të nxjerrë në dritë dhe kuptuar pa e filluar leximin, dallimet që prisni në tiparet e librave që do të lexoni të shkruara nga një romancier, nga ato të shkruara nga një poet, apo një biograf. Breshka është tullace dhe e shkëlqyeshme, tigri i veshur me një pallto të trashë prej gëzofi të verdhë. Kështu ndryshojnë edhe librat, njëri dallohet nga gëzofi i tij I trashë, tjetri sepse është krejt i shogur.

Po, por pavarësisht të gjithçkaje sapo thashë, problemi në një bibliotekë nuk është po aq i thjeshtë sa ai në një Kopsht Zoologjik. Librat kanë mes tyre shumë gjëra të përbashkëta, ata ndërfuten tek njëri-tjetri duke i përmbytur gjithmonë kufijtë që i ndajnë, si dhe mbarështohen duke u shtuar gjithmonë me specie të reja, të sjella në ekzistencë nga çiftëzime të papritura. Është e vështirë të dihet sesi duhet t’u përqasemi atyre, se cilës specie i përket secili libër i gjendur në raftin e bibliotekës. Por nëse na kujtohet, ndërsa i kthehemi raftit të librave në biblotekë, secili prej tyre u shkrua nga një penë, e cila, me vetëdije ose e shtyrë nga një prirje e pandërgjegjshme, u shestua përmes një përpjekje vetanake të brendshme të autorit, dhe e cila mund të gjurmohet si shmangia e diçkaje dhe pranimi I një tjetre, kuturisjes për të rrezikuar si aventurier nëpërmjet diçkaje tjetër. Në këtë mënyrë, nëqoftëse e ndjekim autorin sipas një metode prapavajtëse në eksperimentin e tij, nga fjala e parë deri në fjalën e fundit të librit, pa i imponuar atij hartën e mendimeve që ne kemi modeluar në kokën tonë, mund të kemi shansin e mirë për ta gjetur me saktësi fundin e këtij zinxhiri.

Për ta lexuar mirë një libër, çdokush duhet ta lexojë sikur të kishte qenë ai vetë që e ka shkruar atë. Mos e nis leximin me ndjesinë që të jep ulja në një nga stolat e rezervuar për trupën gjykuese të librit, si një ndër gjykatësit e tjerë, por me atë të krimineliit të pandehur, i ulur në bankon e të akuzuarve. Bëhu anëtar i vëllazërisë së atij që ka punuar për ta shkruar atë libër, bëhu bashkëfajtor me të. Madje, edhe nëse dëshiron thjesht vetëm sa t’i lexosh librat, filloje duke i shkruar ata, sepse sigurisht se kjo duhet të jetë e vërtetë, -askush nuk mund të shkruajë qoftë edhe tregimin më të shkurtër dhe të rëndomtë, as edhe të përpiqet të përshkruajë ngjarjen më të thjeshtë, – le të themi takimin me një lypës në rrugë-pa u ndeshur me të njëjtat vështirësi me të cilat duhet të përballen edhe romancierët më të mëdhenj.Në mënyrë që ne t’i kuptojmë, sado shkurtazi dhe në mënyrë të parafinuar, ndarjet kryesore në të cilat romancierët e grupojnë veten e tyre, le të imagjinojnë sesa ndryshëm Daniel Defoe, Jane Austen dhe Thomas Hardy, do ta kishin përshkruar të njëjtën ndodhi, këtë takimin me një lypës në rrugë.

Defoe është një mjeshtër I rrëfimit. Orvajtja e tij e parë do të ishte ta reduktonte dhe përmblidhte historinë e lypësit me thjeshtësi dhe nën një rend të përkryer. Ai do të shprehej se kjo ndodhi e para, pas kësaj kjo tjetra, dhe kjo gjëja tjetër e treta. Ai nuk do të vendoste asgjë në rrëfim, sado tërheqëse apo ndjellëse, nëse ajo do ta lodhte lexuesin në mënyrë të panevojshme, ose do ta shmangte vëmendjen e tij nga ajo çfarë ai dëshiron që lexuesi të dijë. Ai gjithashtu do të na bëjë të besojmë, qëkurse është një mjeshtër jo i romancës dhe komedisë, por I rrëfimit, se çdo gjë që ai thotë të ketë ndodhur realisht. Ai dëshiron pra të jetë jashtëzakonisht i saktë. Kjo ndodhi, siç ai na e tregon në faqet e para të Robinson Crusoe, në fillim të Shtatorit. Me më shumë finesë të padallueshme dhe më artistikisht, ai do të na hipnotizojë për të na krijuar një gjendje besimi, duke flakur shkakësisht jashtë për t’ia shtuar rrëfimit ndonjë fakt të rëndësisë së vogël dhe i cili duket si i panevojshëm- si për shembull “Im atë më thirri një mëngjes në dhomën e tij, ku e kishte mbyllur të shtrirë përdhesi”. Përdhesi i të atit nuk është i nevojshëm për rrëfimin, por është i nevojshëm për të vërtetën e rrëfimit, sepse kjo është mënyra sesi ndokush që flet për të vërtetën, shton pa u menduar ndonjë detaj të vogël I cili nuk ka të bëjë me të. Më tej, ai do të zgjedhë një tip fjalie e aftë të rrjedhi lirisht, por jo së tepërmi e plotë, e saktë, por jo epigramatike. Qëllimi I tij do të ishte të na e prezantonte çështjen në vetvete, pa lejuar që shëmbëlliimi i çështjes të pësonte deformime nga shtampa që imponon këndvështrimi i tij. Ai do ta gjejë dhe njohë subjektin I patutur, ballë për ballë, duke u shprehur me përpikërinë dhe saktësinë e një katrori, pa e hequr mënjanë veten për asnjë moment për të vënë në dukje se kjo ishte tragjike, ose e bukur, ose se qëllimi i tij u arrit në mënyrë të përkryer.

Por qëllimet vetanake prek krijuesi apo shkrimtari të Defoe-s të mos t’i konfondojmë as edhe për një çast të vetëm me qëllimet e Jane Austen. Nëse ajo do ta kishte takuar gruan që lyp, pa dyshim se do të kishte qenë e interesuar për historinë e lypëses. Por njëherthi ajo do ta kishte spikatur menjëherë tek vetvetja, në ndërgjegjen e saj si shkrimtare, se për qëllimet e saj, e gjithë historia e lypëses, pra e gjithë ndodhia, duhej të pësonte kryekëput transformim. Rrugët, ajri i pastër dhe aventurat nuk do të thonë asgjë artistikisht për të. Në vend të tyre, janë karakteret për të cilat ajo e shfaq interesin e saj artistik. Ajo do ta kishte konvertuar menjëherë lypësin në një moshatar të shtresave shoqërore të mesme apo të larta, që i patrazuar dhe i qetë qëndron i ulur dhe i ngeshëm në ndenjësen pranë zjarrit në vatër. Më pas, në vend se të zhytej në të treguarin me tepër forcë dhe vërtetësi të historisë së lypëses, ajo do të kishte shkruar një hyrje të përshtatshme dhe me shije artistike, prej disa paragrafësh që përmbledhin

saktë rrethanat, dhe skicojnë personazhin e zotërisë që ajo dëshiron të na e bëjë të njohur. ”Jeta martesore, si zanafilla e një ndryshimi, kishte qenë gjithmonë e pakëndshme”, I thotë ajo me një alegori të hollë tek Emma, zotit Ëoodhouse,.Thuajse menjëherë, ajo e mendon se do të ishte mirë, që vërtetësia e fjalëve të saj, të konfirmohet nga vetë zoti Woodhouse.Ne e dëgjojmë atë të thotë: “E shkreta zonjusha Taylor! Do të dëshiroja të ishte këtu përsëri. Sa për të ardhur keq që zotit Weston ndonjëherë duhet t’i ketë shkuar ndër mend për të”. Dhe atëherë kur zoti Woodhouse ka folur mjaftueshëm për ta zbuluar nga brendapërbrenda vetveten, atëherë ajo mendon se është koha ta vështrojmë atë me sytë e të bijës “Ju e gjetët për Hanën atë vend të mirë. Askujt nuk I kishte shkuar ndër mend për Hanën, gjersa ju e përmendët atë”. Kështu ai na e tregon ne Emën duke e lajkatuar dhe bërë humor me të. Më së fundmi, ne kemi personazhin e zotit Woodhouse të parë njeherazi nga tri pikëvështrime të ndryshme; siç e sheh ai vetveten, ashtu si e bija e tij e sheh atë, dhe sesi ai shihet nga syri i mrekullueshëm i asaj zonje të padukshme, vetë Jane Austen. Të tre bashkohen në një, dhe ne mund t’I vijmë rrotull personazheve të saj, të lirë me sa duket nga çdo udhërrëfyes tjetër, përveç vetes tonë.

Le të jetë tani Thomas Hardy ai që zgjedh të njëjtën temë-takimin me një lypës në rrugë-dhe menjëherë do të bëhen të dukshme dy ndryshime të mëdha. Rruga do të transformohet në një shqopishte të gjerë dhe të errët, njeriu do të marrë një lartësi dhe padallueshmëri të ngjashme me atë të një statuete. Më tej, marrëdhëniet e kësaj qënieje njerëzore nuk do të jenë më me njerëz të tjerë, por me shqopishten, me njeriun si subjekti që vendos ligjet e një shoqërie, me ato pushtete që kontrollojnë fatin e një njeriu.Edhe njëherë tjetër, perspektiva jonë do të ndryshojë krejtësisht. Të gjitha cilësitë që ishin të admirueshme tek Robinson Crusoe, të admirueshme tek Emma, do të lihen mënjanë, ose do të mungojnë fare tek Thomas Hardy. Pohimet e drejtpërdrejta dhe të fjalëpërfjalëshme të Daniel Defoe kanë ikur. Nuk ka mbetur asgjë nga mjeshtëria e shkëlqyeshme, e saktë dhe e qartë e Jane Austen. Në të vërtetë, nëse shkojmë tek Hardy pasi kemi kaluar përmes leximit të këtyre dy shkrimtarëve të mëdhenj, do të thërrisnim me zë të lartë se ai është “melodramatik” dhe “jorealist” nëse krahasohet me ta. Por na duhet ta bluajmë pak mendimin përbrenda, me vetveten, se ka të paktën dy anë të shpirtit njerëzor, ana me dritë dhe ana e errët.

Ana me dritë e mendjes shpërfaqet në shoqërinë e të tjerëve, ana e errët, në vetmi.Të dyja janë njëlloj të vërteta, njëlloj të rëndësishme.Por një romancier gjithmonë do të ketë prirjen për ta ekspozuar më shumë njërën sesa tjetrën; dhe Hardy, I cili I përket romancierëve të anës së errët, do ta sajojë rrëfimin artistik në mënyrë të atillë që mbi fytyrat e njerëzve të shpikur prej tij të mos bjerë njëtrajtësisht një dritë e pandryshueshme dhe e qartë, që ata të mos vëzhgohen së afërmi në dhomat e pritjes, si dhe duke e rregulluar përshkrimin ashtu që ata të hyjnë në kontakt me shkurrnaja, delet, qiellin dhe yjet, dhe që në vetminë e tyre të jenë dretpërsëdrejti nën mëshirën e zotave. Nëse personazhet e Jane Austen janë plot vërtetësi në dhomat e pritjes, ata as nuk do të ekzistonin në majë të Stonehenge. Tuhafë dhe të ngathët brenda dhomave të pritjes, njerëzit e Hardy janë gjymtyrëmëdhenj dhe të fuqishëm jashtë, në natyrë. Në arritjen e qëllimit të tij Hardy nuk është as i fjalëpërfjalshëm dhe sa përshkruan sipas modelit të një strukture katrore të Defoe, as edhe i zhdërvjellët dhe i shumë pikëvështrimeve si i Jane Austen.

Ai është I vështirë për t’u depërtuar, me një kuptueshmëri të komplikuar, metaforik. Aty ku Jane Austen përshkruan manierat, ai përshkruan Natyrën. Aty ku ajo e shpërfaq veten si shkrimtare e çështjeve të faktit, ai është romantik dhe poetik. Qëkurse të dy janë artistë të mëdhenj, secili është i kujdesshëm të mbajë nën vëzhgim për të respektuar ligjësitë e perspektivës së vet artistike, duke mos na sjellë në atë gjendje konfuzioni (të cilën na e shkaktojnë shumë shkrimtarë të tjerë më të vegjël), e cila rrjedh nga futtja dhe ndërkallja tek njëri-tjetri të dy llojeve të ndryshme realitetesh, brenda të njëjtit libër,

Share: