Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ja shkaqet përse jemi në këtë gjendje te mjeruar!

Ja shkaqet përse jemi në këtë gjendje te mjeruar!

Nga Enriko Ceko

Unë desha të fokusohem në këtë mbrëmje te ajo se si kemi arritur deri këtu ku jemi sot, si është gjendja aktuale dhe se si mund t’a përmirësojmë gjendjen, ku duam të shkojmë si dhe të vendosim se si duam të ecim. Në pothuajse 30 vite përvojë që kam si në administratën pubike, në sektorin privat dhe në mësidhënie në arsimin e lartë, jam ndeshur shpesh me tre pikpamje të cilat i kam dëgjuar kryesisht nga goja e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar gjatë tërë kësaj periudhe. Këto tre pikëpamje janë:

1. Më mirë ligje të këqija se pa ligje fare.
2. Këta njerëz kemi me këta do punojmë.
3. Le të pasurohen budallenjtë dhe injorantët se ata që janë të zgjuar do ja marrin pasurinë budallenjve dhe injorantëve me kalimin e kohës.

Ajo që më vjen më shumë keq është se këto pikëpamje janë përdorur më së shumti gjatë këtyre pesë viteve të fundit ndoshta jo të thëna në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë por shpesh të thëna në mënyrë të kamufluar.

Pikëpamja e parë – më mirë me ligje të këqija se sa paligje fare – na ka sjellë këtu ku jemi që po qeverisemi me ligje të këqija dhe me ligje speciale, të cilat janë bërë për individë apo për subjekte të caktuara dhe nuk janë ligje për tërë popullin, nuk janë ligje që vendosin në trajtim të barartë dhe të balancuar të gjithë qytetarët. Kjo është një nga arsyet se përse ne kemi shumë konflikte politike, ekonomike, sociale në fushën e sportit, në fushën e kulturës në çështjet e mjedisit, etj në Shqipëri.

Ligjet nëse respektohen atëhere kuptohet nëse janë të mira apo nëse janë të këqija dhe kur del se ligjet janë të këqija atëhere mund të korigjohen, por në Shqipëri nuk ndodh ky proces. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e ligjeve janë ligje speciale të cilat vetë si ligje janë ligje të jashtëligjëshme.

Pikëpamja tjetër – këta njerëz kemi me këta do punojmë – është pikëpamja që e ka bërë administratën publike atë që kemi sot. Një administratë publike që ka karakteristikat më të këqija që një administratë publike mund të ketë.

E korruptuar, e paaftë e pa edukuar, e pa trainuar, e pandërgjegjëshme, e papërgjegjëshme, etj. Edhe jashtë shtetit, në vende të tjera mund të ketë probleme administrata publike, por që t’i ketë të tëra probleme bashkë mund të jetë vetëm ndonjë administratë publike në ndonjë vend në Afrikë dhe administrata publike shqiptare. Kjo pikëpamje nuk lejon që në drejtim të vijnë njerëz me shkollë e me kulturë dhe edukatë, njerëz që e duan vendin, të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm.

Pikëpamja e tretë – le të pasurohen budallenjtë dhe injorantët se njerëit e zgjuar do ja marrin pasurinë – është themeli i teorisë së famshme të privatizimit, që vazhdon edhe në ditët tona, pikëpamje e cila ka bërë që të gjthë pronën publike t’a marrin ata persona që janë të afërt me drejtuesit e lartë të pushtetit, nipa e mbesa të qeveritarëve, kushërinj të tyre dhe njerëz të afërt, që kanë me ta interesa biznesi të mëdha, të hapura, të fshehta dhe korruptive.

Këto janë tre nga pikëpamjet kryesore rezultat i gjendjes në të cilën gjendemi ne sot.

Ne mblidhemi këtu te Teatri Kombëtar por çështja e teatrit kombëtar është vetëm maja e ajsbergut. Problemet me koncesionet, inceneratorët, mbetjet urbane, partneritetin publik privat, privatizimin, prokurimet publike, cënimin e territoreve ujore dhe tokësore në Shqipëri dhe Kosovë, konfliktet veri – jug, fshat – qytet, qytetarë të zakonshëm – intelektualë, mungesa e shtresës së mesme, pasja e një hapsire shumë të madhe midis atyre që janë shumë shumë të varfër dhe që përbëjnë edhe shumicën e popullsisë me një pjesë shumë të vogël të popullsisë që është shumë të pasur dhe që zotëron burimet natyrore, financiare dhe që kontrollon burimet njerëzore në vend, etj.

Gjendur në këtë situatë ne duhet të shikojmë se si mund dhe duhet të ecim e të shikojmë përpara. E vetmja rrugë për të ecur përpara është që kjo qeveri të japë dorëheqjen sepse nuk ka ditur të manaxhojë burimet njerëzore, financiare dhe natyrore. Është kjo qeverisje që nuk ka bërë ligje të mira. Është kjo qeverisje, në të cilën është kreu i ekzekutivit që kontrollon të pesë pushtetet, ekzekutivin po se po, sepse cakton pothuajse 400 drejtorë të përgjithshëm të drejtorive të përgjithëshme më të rëndësishme në vend, që kryesisht janë drejtori teknike e manaxheriale.

Pra, nuk është fjala se kryeministri cakton disa ministra. Jo. Ai emrëon drejtuesit e drejtorive më të rëndësishme teknike e manaxheriale në vend, institucionet përgjegjëse në mënyrë të drejtpërdrejtë për gjendjen aktuale që kalon vendi. Është ky kryeministër që kërkon të zotërojë gjyqësorin, legjislativin, median dhe prokurorinë.

Një dorëheqje e tanishme do hapte mundësinë për një Qeveri Tranzitore e cila do përgatisë vendin për zgjedhje të reja. Kjo është detyra e një qeverie tranzitore në situatën që kalon vendi. Por kjo qeveri tranzitore duhet t’u japë shqiptarëve edhe mundësinë që të hidhen drejt konceptit të përmirësimit të vazhdueshëm. Koncepti i përmirësimit të vazhdueshëm që ne e kemi harruar fare, është ai koncept që i ka çuar Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë, Taiëanin, Singaporin, Korenë e Jugut, Malajzinë, Hong Kongun, etj, atje ku janë sot.

Duke zbatuar këtë koncept ne çdo ditë mund të përmirësojmë nga një gjë të vogël dhe duke përmirësuar çdo ditë një gjë të vogël në fund të vitit do kemi bërë një gjë të madhe. Nëse për këto 28 vite do kishim përmirësuar nga një gjë të vogël çdo ditë, për 28 vite do e kishim kapur Evropën. Por ne sot jemi shumë larg Evropës. Shqipërisë me këto ritme të zhvillimit të ekonomisë do i duhen të paktën rreth 60 vite që të kapë Rumaninë, që është vendi i fundit në Evropë, duke supozuar se Rumania nuk do bëjë as edhe një hap përpara.

Në vitin 1990 ishim pak a shumë aty aty me Rumaninë. Nuk është se kishim ndonjë diferencë të madhe, qoftë në të ardhura dhe qoftë në mentalitet. Në vitin 1991 me Kroacinë dhe Slloveninë një diferencë shumë e vogël na ndante në aspektin e të ardhurave, ndërsa sot një qytetar kroat ka rreth 18.000 dollarë të ardhura neto në vit, ndërsa një shqiptar ka vetëm rreth 4.000 – 4.500 dollarë të ardhura neto në vit.

Përse? Sepse ne harruam dhe nuk zbatuam konceptin e përmirësimit të vazhdueshëm, bëmë ligje të këqija, vumë në krye të paaftët dhe a lamë në dorë pasuritë kombëtare njerëzve të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm. Kështu që unë mendoj se ne si qytetarë kemi si të vetmen mundësi t’i bëjmë presion kësaj qeverie të japë dorëheqjen. Duhet një qeveri tranzitore. Nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Share: