Home KRYESORE Luspat e krapit të zi… Nga Norel Zaimi

Luspat e krapit të zi… Nga Norel Zaimi

Sikurse ujqërit vërtiten mjegullës për të rrëmbyer kreatyrën e pafajshme (viktimën desha të them), ata tashmë vijnë rrotull teje në kohë të kthjellët. Pahetueshëm. Tunduar nga lëngu ndërpamës i syve të tu – oaze që ndjellin dëshira të egra.
…Ti jeton, buzëqesh pavetëdijshëm dhe kur mbrëmja rrëzohet me yjet e manushqtë, gulçon shtrati yt, qenia jote – në ankth. Ai shtrat (që sa herë të ka ftuar në ëndrra trallisëse), tani të mpleks nën afshe grash udhëtare me rroba të shqyera dhunshëm: rroba që fërfëllojnë dridhshëm nga të fshehta marramendëse… Cili prej jush, thua, e mërzit njëri-tjetrin?
Është truri ai që prajshëm humbet shpejtësinë, si një shirit i zbërdhylët filmash pa zë; ninëzat e tua prehur dikur nën freskinë e paqtë që zmadhohej si një petale blu, tashmë e bjerrën magjinë dhe njerëzit i shohin shpërfillshëm; i rimbush ato ideja e vakët e mëngjesit që rishmi i jep jetë trupit tënd, gjithnjë të parehatshëm. Nis të ftohet. E para ashpërsohet ndërgjegja: ethe dhimbjesh. Ndofta. Forcës tënde dalëngadalë i mpihet shkëlqimi (sikurse ti atje e di mirë) e shpirti yt shpërderdhet rrugëve bosh. E gjen ti atë. E gjen në agim. Të shkrirë. E mbledh si parafinë, i jep formë me duart që të dridhen. Kështu, ti merr fuqi vampirësh ndër mishra të huaj, ndër cepa të errët ku gjallojnë vetëm pezhishka merimangash dhe akrepë helmues, ndërsa ti, e qeshur dhe pa kokëçarje, zhytesh në ëmbëlsinë e “çajit me qumësht” – zakonit tënd të vjetër (prej qëkuri?). Humbet zemra jote, struket ndonjë qoshku të kraharorit dhe ti i mëshon egër:
– Qëndro, kriminelja ime, ti, vrasëse, duro!
Po kësaj here zemra dhemb. Në atë mënyrë që ti të mos e ndjesh. Ajo të njeh, ta ka frikën. Këmbim rolesh, si i thonë. E ç’mund të bëj unë, si mund ta ndreq dhunën, mosmarrëveshjen mes jush?
Kur të kam njohur, ti kishe brishtësinë e një pikture që merrte frymë. E një pikture në mëndafsh të bardhë kohërash… përanash frynte, përhapej pafajësia jote, si kurmi në ëndrrat mëngjesore, kur agu i butë cek qelqet e dritares me bulat e njomështa. Sot ty të tradhëtojnë sytë – arma që kurrë nuk e ke vlerësuar sa duhej, gjersa buzagazi t’i rrëzonte të gjitha maskat e ngurta.
Dhe ajri… atëherë ajri me luciditetin blu të rrethonte, vibronte qark teje sikur prej flatrave të padukshme të qindra engjëjve, të kullonte me pikëzime drita e përmallshme e adhurimit. Vendet ku ti shkelje, hapësira që mbushej me kumbin e buzëqeshjes tënde, mbushej me shpërthimin e qindra petaleve në ajër… Por…
Mos u trishto (as ti, as vetja jote); futu thellë në gjakun tënd dhe puthe, puthe… do të lëngëzohet gjaku yt, do të rrjedhë i çmendur nëpër vena e, në atë harbim, do ta kuptosh se jeta ka një tjetër shije: të athtën e gjakut, ose të dëborës së parë.
A e di si? Nuk do të mbetesh më ajo që je: thjesht, do ta flakësh atë copë trupi që të prodhon kënaqësi efemere. Ose trupin tënd do t’ia falësh një demi të tërbuar që shkumëzon nëpër arenë, në kërkim të një toreadori-fantazmë, gjithësej të pakapshëm. Po dhe buzëqeshja jote ka për të mbijetuar përherë – bojëgjake. Nuk e kuptoj, pse po e thyen përsëri kristalin që ende vetë në sa e sa netë ëndërrimtare (ëndrrat e gjithë njerëzimit para teje kanë derdhur frymën për ta përsosur strukturën e tij kristaline), pse duhet thyer për marrëzinë e një çasti? Zhytesh për pak kohë në humnerën e një trupi tjetër (a e ke menduar si të zhbën humnera e tjetrit?) dhe qartësitë e tua tashmë marrin fund: rrëkellehen kokëposhtë copëra peisazhesh, fasha resh, kjarime qiejsh, pasqyra ujrash, kama tehmprehta lumejsh, vazhdon, marramendthi gremiset, vithiset një botë e tërë përmbys: ose thënë më përtueshëm – bota jonë. Jo vetëm jotja, jo vetëm imja. Bota. Bota që hapet si një lumë i çmendur e sulet vërtik në humnerë. Dhe thyhet. Si një pasqyrë gjigande kristali. Përposh. Në shkëmbinj të mugët. Përfund territ pa një xixë.
Gënjen veten (copë shtazore e trishtë), ti frymon në një tjetër trup, atje ku fle paqartësia, ku durimi yt është vetëm një copë qiriri që flegrin, djeg dhe vdes në masën e qullët të kurmit të vet. Je veçse një histori e padatuar shkruar në të gjitha kohërat. Je. Edhe unë jam. Mishi ku shkruhet kjo histori. Në të gjitha kohërat.
E ke vënë re se si thahet një gjethe? Një gjethe e verdhë si zbehet… e di, ti, unë, e dimë, e dinë… si shpërfaqen dukshëm dejtë, me tejza, nervurë, ashtu si një dorë e plakur thatime, pa mish, ashtu pra, si trina dorës së një plakusheje gërnjare, kockëthatë, – një gjethe kur plaket, thahet, vyshket, – një gjethe-dorë, skeletike, përplotë pirgje kapilarësh të tharë – ngjet, sidomos i ngjet, një lagjeje të vdekur qyteti, të braktisur, me rrugët e pista, ngrehina të brera që shkrehen nga krrusmat e epidemisë, lebrës, skorbutit, murtajës që hëngri mishin e butë të jetës… një gjetheje të tharë, një dore të plakur, një lagjeje të shuar prej mortit… i ngjan kjo e gjitha një perspektive të parë ç’prej larg, domethënë, jashtë meje… domethënë, jashtë teje…
Ndërsa të shoh kur ti qesh (tashmë realisht), pështjellë mes tymrash të lagësht e të trashë nikotine, më bëhet se ato flirtojnë në mushkri me erëmime parfumesh –njëlloj si shtresat e ozonit në mushkëritë e dendësive blu, atje ku ajri vibron, përkulet i rëndë – brisk… ndjej atëherë gurmazin të më ftohet si një korridor i errët amfiteatri, në të cilin sapo ka ngjarë një vrasje fatale, pa dëshmitarë.
Duar të ftohta prekin trupin tënd kudo dhe ti (bocet plasteline) merr trajta kulmesh, gjithëfarësh, prekur prej mollëza gishtërinjsh (“e para qe Plastelina, plastelina, të cilës i dha trajtë gishti i Kreatorit!”), e ti, epesh sërish e sërish, nën trajta të reja. Ti je krijesa prej plasteline (e thamë), që kreatorë të rëndomtë që i fal rastësia, kreatorë të veckël, amatorë, diletantë, turipisa, të fryjnë, s’di cili zot banal, s’di cila frymë molepsejeje. Një gjë arrij ta marr me mend, pa pritur ta vërtetoj: ti je boceti i përhershëm, plastelina e një arti kolektiv.
Lagur prej shirash që bien paprerë mbi rrugën tënde, një push i imët myku t’i ka shtruar shtigjet: liria jote e pavlerë – mbaja nga të duash. Çdo derë tanimë mbyllet (të tjera hapen njëkohësisht), por si brendësitë që premtojnë ato dyer, si jashtësitë ku na nxjerrin, na largojnë deri në atë pikë, ku distanca do të humbasë çfarëdo kuptimi, çfarëdo përjetimi. Shpinëkthyer, distanca e rrit shpërfilljen… e të mendosh se prapa krahëve të tu ujërat rrjedhin, peisazhet kalojnë në retrospektivë dhe akoma më shumë vlerë zë e merr e panjohura.
…Trishtimi thyen mbi trotuare fshesat. Vazhdojnë ato t’u shkojnë përsipër qortueshëm bulevardit, si luspave të ashpra të një krapi të zi. Fshesat. Herë-herë qortimi pezmatohet. Fshesat. Fshesa. Mëshon edhe më vrazhdët, edhe më hakmarrëse ndonjëra, sa peshkut të gjallë të trotuarit do t’i plasë gjaku përposh luspave e, velëzapërpëlitur, do të turret dikah drejt pusetave. Gjithnjë mbetet diçka që përlahet nga rrebeshe shirash, diçka që bëhet pashmangshëm, pjesë e ujërave të zeza.

Share: