Ligjërata e drejtë është forma e ndërtimit sintaksor të ligjërimit, në të cilën ai që flet a shkruan përsërit fjalë për fjalë, pa asnjë ndryshim ato që ka thënë një tjetër ose ato që ka thënë vetë më parë, duke i veçuar si fjali më vete.
Dhe përmes ligjëratës së drejtë do të doja t’i kumtoja një mesazh kujtdo që me një nënqeshje të lehtë në organin në pjesën e poshtme të fytyrës, midis hundës dhe mjekrës, përsërit pambarimisht të njëjtin refren
-E ka ndarë mendjen Ai! Kot lodheni!-
Duke qenë se përsërisni të njëjtin refren, çdo ditë, çdo orë, çdo javë, çdo muaj përulsisht ju kërkoj të jeni më krijues në gjykimin tuaj. Mund të përpiqeni për shembull të ndërroni vendin e gjymtyrëve të fjalisë ose të zhvendosni renditjen e tyre…
-Ai e ka ndarë mendjen! -ose – Kot lodheni! Të ndarë e ka mendjen ai!
Përpiquni të bëni një hap drejt gjykimit ndryshe! Përemrin vetor “Ai” mund ta zëvendësoni edhe me emrin e përgjithshëm “ Kryeministri” . Nuk ju dënon Kushtetuta e vendit për këtë. Ju siguroj…
Megjithatë, duke qenë se ju parapëlqeni ta shprehni kryefjalën përmes përemrit vetor , “ai” do të respektoj protokollin e gjykimit tuaj.
Ai, që ka ndarë mendjen, në optikën time, është një njeri si unë e si ju dhe në cilësinë e njeriut, është autoritet i diskutueshëm. Hendeku që na ndan është se ju e trajtoni si autoritet të padiskutueshëm, ndërsa unë e trajtoj si autoritet të diskutueshëm.
Autoritet i padiskutueshëm është vetëm një fatkeqësi natyrore. Nuk mund të parashikoj dhe të ndaloj një tërmet, një stuhi apo një zjarr, sikundër nuk mund të parashikoj dëmet tyre.
Ai, që ka ndarë mendjen, në optikën time, nuk është i vetëm. Edhe ju e keni ndarë mendjen bashkë me të. Askush nuk mund ta ndajë mendjen i vetëm. Ndaj tregohuni të paktën një herë të ndershëm me veten dhe pranojeni që fjalia e saktë do të ishte:
-Ne e kemi ndarë mendjen!-
Ai, që ka ndarë mendjen, në optikën time, nuk po dëmton vetëm të tashmen historike të Shqipërisë, por edhe të ardhmen e saj. Dhe a e dini pse?!
Sepse duke ndarë mendjen ai sot, kushdo që do të vijë pas tij, do të ngjitet në pushtet me mendje të ndarë..
Dhe ju që e keni ndarë mendjen bashkë me të, a nuk u lodhët duke gjykuar?!
Ndoshta ajo nënqeshje dhe ai gjykim , ju vjen krejt natyrshëm, pasi tek pasqyra e protestës në Sheshin e Teatrit Kombëtar , shihni kthjellët nënshtrimin tuaj.
Në të vërtetë, ajo pasqyrë është e kthjellët.. Rrëfen qartazi dramën tonë….
Post scriptum- Duke qenë se edhe ju e keni ndarë mendjen si ai, përpiquni ta ndani mendjen se gjykimi juaj, nuk mund të ndikojë aspak në vendimin tim, për të krijuar një distancë të shëndetshme nga kjo Marrëzi Kombëtare…