Home I pakategorizuar Çfarë duhet të përmbante programi i një Partie çame?

Çfarë duhet të përmbante programi i një Partie çame?

Nga Indrit Hamiti *

(ose Partia çame nuk është një apendiks elektoral)

Çështja çame edhe pse është çështje kombëtare, nuk po shihet nga asnjë prej partive shqiptare si prioritet, por si apendiks elektoral. Arsyeja kryesore për këtë është si qasja ndaj kësaj çështjeje, ashtu dhe koherenca ndaj saj. Në dritën e zhvillimeve të sotshme gjeopolitike kur Shqipëria është e përcaktuar qartë drejt BE-së, dhe shoqëria shqiptare po pëson një transformim gradual me model Perëndimin, edhe çështja çame nuk mund të shihet veçse si një çështje e tillë, çështje e një rajoni të Europës me një histori tragjike e probleme ende të pazgjidhura. A mund të jenë zgjedhjet vendore dhe administrimi lokal ndihmesë në procesin e zgjidhjes së çështjes çame? Unë them që po, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Programi politik i zgjedhjeve vendore përshkohet nga elemente që janë brenda spektrit të veprimtarisë të njësive vendore. Futja në program e elementëve që i përkasin pushtetit qendror mund të jetë pjesë plotësuese e programit, por nuk mund të jetë programi vetë. Cilët mund të jenë elementë të lidhur me çështjen çame, që kandidatët vendorë mund t’i integronin në programet e tyre?

Në funksion të ngritjes së një platforme komunikimi e dialogu mes bashkive të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të rajoneve të Greqisë së Veriut (Çamërisë), programi duhet të promovojë:

Marrëdhëniet dypalëshe në trajtën e binjakëzimeve dhe marrëveshjeve të tjera mes bashkive të Shqipërisë dhe ato të zonës së Çamërisë.

Stimulimin e forumeve të të zgjedhurve lokalë të rajonit, si në nivel kryetarë bashkish, kryetarë këshillash, kryetarë rajonesh, grupe këshilltarësh etj.

Përcaktimin e një kalendari vizitash zyrtare me axhende të përcaktuar në zonën e Çamërisë të të zgjedhurve lokalë për secilën bashki të Shqipërisë.

Nga pikëpamja ekonomike

Si një projekt afatmesëm të lançohet Ideja e një Euro-rajoni transkufitar të Çamërisë ose Thesprotisë, rajon i cili do të integronte një zonë që historikisht ka qenë pjesë e një identiteti të përbashkët.

Stimulimin e aplikimeve për fondet europiane për projekte transborder IPA mes bashkive shqiptare, atyre të Çamërisë dhe organizmave joqeveritare, instituteve kërkimore etj; Stimulimin në nivel tarifash vendore e ndërmarrjeve me karakter të përbashkët dhe partnere nga zona e Çamërisë dhe qytetet shqiptare;

Krijimi i Fondit për Çamërinë, në të cilin donatorët mund të kontribuojnë nëpërmjet projekteve konkrete.

Kultura, trashëgimia kulturore e turizmi

Drejtoritë e kulturës në bashki, sidomos ato kufitare, kanë mundësi reale për krijimin e televizioneve dixhitale, të cilat mund të ndikojnë si në informimin dhe edukimin e publikut me prioritetet lokale, ashtu dhe mund të promovojnë seksione të veçanta në gjuhën arvanite (shqipen e vjetër që ruhet sot e kësaj dite në Greqi ), vllehe etj. Promovimi i kërkimit nga ana e grupeve të ndryshme në fushën e etnografisë, arkitekturës tradicionale, arkeologjisë në zonën e Çamërisë. Këto iniciativa mund të lançohen nga këshillat lokalë të kulturës në bashkëpunim me institucione shkencore, universitetet etj. Organizimi i eventeve kulturore e artistike në nivel rajonal me karakter lëvizës që mund të zhvillohen sipas një kalendari të përcaktuar si në bashkitë e Shqipërisë dhe në ato të Çamërisë.

Krijimi një itinerari detar që lidh periodikisht Durrësin me Gumenicën, Pargën e Prevezën. Ky mund të jetë në trajtën e regatave, anijeve të linjës, itinerareve periodike turistike etj.

Pikat në program mund të shtohen pambarimisht dhe secila prej tyre do të kërkonte specifikime, strategji, plane veprimi etj. Programi nuk është teknikë elektorale i ngjashëm me monitorët, flamurët, grupet e numërimit, por është kontratë sociale e manual përdorimi për të zgjedhurit vendorë. Sa më i qartë e realist të jetë ai, aq më të mëdha janë pritshmëritë për realizimin e tij. Uroj që të gjithë të zgjedhurit nga radhët e komunitetit çam dhe dashamirësit e çështjes çame të jenë koshientë për këtë.

cameri-marshimiShënim redaksional: Po e botojme te plote kete artikull publikuar nga gazeta Mapo me 26 maj 2015 duke tentuar te sjellim ne vëmendje te publikut, kryesisht atij cam, te gjitha këto sugjerime modeste te një qytetari cam, sepse besojme se koha per te bere gjera te mira dhe te duhurat nuk kalon kurrë. Ne besojme se një parti qe pretendon te zgjidhe ceshtjen came duhet ti konsideroje këto ne mënyre racionale dhe te bej gjerat e duhura. Nje parti e çameve ka ne themel te programit te saj jo pushtetin, por zgjidhjen e ceshtjes qe e kane amanet nga te paret e tyre. Nga sot deri ne zgjedhjet e ardhshme politike, nëse punohet ne ketë drejtim mund te garantohet mbështetja e munguar e komunitetit shume dinamik te çameve ne Shqipëri. Per te bere gjera te mira nuk është kurrë vone. Koha deri tani ka vrapuar dhe zgjidhja e kësaj ceshtje kombëtare mbetet ne vend numero…!

Share: