Nga Thanas Jorgji, Ngjyrat e dashurisë.
“Ngjyrat e dashurisë” i lexova dhe i shijova deri tek fjalia e fundit. Nuk u nxitova ta lexoja shpejt. E shijova nga pak çdo ditë, madje me kursim, ashtu siç pihet një liker i kualitetit të lartë me mendimin se pasi ta kesh mbaruar, nuk do kesh mundësi për ta shijuar përsëri dhe për të ndjerë sërish atë kënaqësi të thellë që të ka dhënë.
Ka libra që lexohen shpejt, falë të shkruarit rrjedhshëm. Ose në rastin e keq, për shkak të cektësisë dhe varfërisë së mendimit. Nga ata që mund të kapërcesh paragrafë të tërë e madje t’i lexosh edhe vertikalisht dhe të mos humbësh gjë. Ka edhe libra që lexohen ngadalë, në rastin fatkeq kur shkronjësi nuk e zotëron artin e të shkruarit dhe gjatë leximit fraza ngec në çdo fjalë. “Ngjyrat e dashurisë” nuk hyjnë as në rastin e parë, as në rastin e dytë. Ato i përkasin asaj letërsie të ngjeshur e me densitet të lartë e cila nuk duhet vetëm lexuar, por duhet nënvizuar. Nëse jo edhe studiuar.
“Ngjyrat e dashurisë” nuk është thjesht një roman erotik, megjithëse erotizmin e përcjell në çdo faqe. Nuk është thjesht një roman krimi, megjithëse rreth një vrasjeje organizohet gjithë fabula e romanit. Nuk është thjesht një ese filozofike, estetike, etike e morale, megjithëse të gjitha këto janë prezentë në të. Janë të gjitha bashkë.
“Ngjyrat e dashurisë” është një ndërthurje e eseistikës, filozofisë, psikanalizës, erotikës, ironisë, vetironisë, sarkazmës dhe… çfarë mbeti tjetër? Është një… le ta quaj me termin e përgjithshëm prozë, (sepse në cilindo zhanër të vendosej, do mbeteshin jashtë disa të tjerat) në të cilën ndërthuren të gjitha ato që thashë më lart. Rrallë më ka qëlluar të lexoj një vepër ku të mblidhen, të shtresohen, të gërshetohen, të shkrihen dhe të bashkëjetojnë kaq zhanre në të njëjtin subjekt. Një kaleidoskop!
Është një prozë me pasuri e larmi gjuhe tek e cila nuk mund të mos bjerë në sy kultura shumë e gjerë e autorit. Pikësëpari si njohës i thellë i “seksit të bukur” i cili është i aftë të dallojë e të depërtojë deri tek vibrimet më të lehta të shpirtit femëror. Dhe t’i interpretojë gjithashtu. Nëse këtë vepër do ta krahasoja me një qilim, indi dhe maja e kësaj proze është Krimi dhe Erotika (në kuptimin e zhanreve letrare). Ndërsa panorama dhe ngjyrat e këtij “qilimi” plotësohen nga zhbirimet filozofike, erotike, etike, morale etj.
Një natë ndodh një vrasje. Heroi i romanit Profesor Leu Trumcaku mbyllet në qelinë e burgut si i dyshuar për vrasjen. I bindur në pafajësinë e tij, ai është krejt i qetë, deri në ftohtësi. Vetmia e qelisë në pritje të dalë para trupit gjykues e nxit të meditojë dhe të ndërtojë puzle pas puzle gjithë çka ndodhur nëpërmjet retrospektivave dhe shpërthimeve poetike që herë-herë arrijnë deri në apoteoza në qendër të të cilave është Liza, bashkëshortja e viktimës dhe e dashura e hershme e Profesorit.
Nis më së fundi procesi gjyqësor i cili na sjell jehonën e gjyqit të Gjergj Dimitrovit (në shkollë kemi mësuar se ai nga i akuzuar u kthye në akuzues, njëlloj si heroi i romanit) e deri të “Procesit” kafkian. Profesori Leu Trumcaku është zëdhënës i Kodit të Kurtit, një kod që varion midis Kanunit të Lekë Dukagjinit shqiptar dhe Kamasutrës aziatike. Një Kod erotiko-etik i vjetër, gati arkaik i hartuar në Male dhe që për breza e shekuj të tërë ka rregulluar jetën seksualo-morale të njerëzve në Male të cilin Trumcaku e praktikon në jetën metropolitane dhe në epokën kibernetike.
Në këtë kuptim Leu Trumcaku jeton i dyzuar: së jashtmi i veshur me kostum e kravatë, shkrimtar i suksesshëm me libra të botuar dhe me pozicion të lakmueshëm intelektual si profesor Universiteti. Së brendshmi tek ai gjallon një tjetër njeri. Një alter ego gati e fosilizuar. Ai është bartës i një Urdhri, që transmetohet nga brezi në brez, nga gjyshi tek nipi, porositë (Gebote-t) e të cilit ai duhet t’i zbatojë në jetën e përditshme, gjë që arrin të ngrihet dhe të marë vlerat e një misioni.
Leu Trumcaku është një misionar.
Ai shkon në shtrat (dhe kjo fjalë është vetëm simbolike, pasi ai kryen marrëdhënie seksuale kudo që t’ia sjellë hera: edhe mbi tavolinën e shkrimit e madje edhe në WC-në publike) me shumë gra. Nuk ka rëndësi nëse ndjen apo jo për to, nëse gratë me të cilat bën seks janë të bukura apo jo. (madje ai ndonjëherë bën seks me to edhe thjesht për mëshirë) Ai sekson me to për të kryer misionin me të cilin e ngarkon Kodi i tij i lashtë. Për t’i ndihmuar gratë e shpërfillura apo të lëna jashtë vëmendjes nga burrat të përjetojnë orgazmën ose për t’ua mundësuar atyre amësinë.
Në këtë kuptim, pasioni erotik i Leu Trumcakut ka mbetur vetëm tek shoqja e tij dhe tek Liza, e dashura e hershme e cila ka mbetur si një aureolë vezulluese që përndrit dhe i vesh me vesk ylberor kujtimet dhe përjetimet e tij. Tek flirtet me gratë e tjera nuk vihet re ky pasion. Me ato ai shkon në shtrat thjesht për të kryer detyrën që i ngarkon Kodi apo Urdhri tek i cili ai është dorëzuar, në kuptimin religjioz të fjalës.
Veçanërisht interesantë në roman janë paragrafët e Kodit të Kurtit. Një unikat të cilin vështirë se e gjejmë në letërsitë e tjera të botës. Në veprimtarinë e Profesor Leu Trumcakut dhe në botëkuptimin e tij etiko-moral ai është rigoroz në zbatimin e çdo neni, pike e germë të Kodit të lashtë i cili zanafillën e ka në mjegullën e Kohës së Kreshnikëve.
Përroi i Ndërgjegjes së heroit të romanit rrjedh në hullitë e Kodit të Kurtit. Herë i qetë e i shtruar, herë i rrëmbyer dhe i furishëm. Në jetën erotike të Leu Trumcakut ka diçka nga Kazanova. Si dhe diçka nga Don Kishoti në kontradiktën e tij me kohën moderne në të cilën jeton dhe në të cilën ai mëton të atashojë dhe përshtatë Kodin e lashtë të Kurtit.
Si i tillë, Leu Trumcaku ngjan me Karontin e mitit të lashtë i cili me varkën e tij vozit herë në botën e të vdekurve, herë në botën e të gjallëve.
Në çdo rresht të romanit bie fort në sy erudicioni i autorit dhe niveli i lartë i prozës së tij. Në çdo paragraf, frazë apo fjali gjen diçka që ia vlen për ta nënvizuar dhe për ta fiksuar në mendje. Mendime të ngjeshur që marrin vlerën e maksimave. Madje edhe feministët mund të gjejnë një bazë teorike për lëvizjen e tyre, deri edhe moton e tyre:
ÇDO GRUA KA TË DREJTË TË KETË NJË ORGAZMË NË JAVË!
“Ngjyrat e dashurisë” është një roman (me të gjitha atributet e tjera që thashë më lart) për të cilin kur e lexon, përveç kënaqësisë së thellë intelektuale dhe letrare që përjeton, nuk mund të mos ndjesh zili dhe të thuash me vete: sikur ta kisha shkruar unë këtë libër!
Thanas Jorgji, 27.1.2019