Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka sqaruar në një njoftim të fundit për shtyp arsyet pse vendosi të hapë një hetim të thelluar për katër bankat më të mëdha në vend. Autoriteti rendit një sërë elementësh të konstatuar gjatë hetimit paraprak të cilët bënë që Bordi të vendoste për të parë më në detaj sjelljen e këtyre bankave.
“Autoriteti i Konkurrencës i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në lidhje me hetimin e thelluar në tregun bankar bëri me dije si me poshtë:
Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 592, datë 31.01.2019 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në sektorin bankar për Bankën Raiffeisen, Bankën Kombëtare Tregtare, Bankën Credins dhe Bankën Intesa SanPaolo” vendosi hapjen e procedurës së thelluar në tregjet e: depozitave, kredive dhe transfertave bankare, ndaj ndërmarrjeve: Banka Raiffeisen, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins dhe Banka Intesa San Paolo.
Arsyet e hapjes së hetimit të thelluar ishin gjetjet e hetimit paraprak që AK bëri. Rezultatet e hetimit paraprak ishin këto:
- Ka qëndrueshmëri të pjesëve të tregut lidhur me depozitat dhe kreditë
- Shkallë të lartë përqendrimi në segmente të produkteve
- Norma shumë të ulëta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave
- Norma të larta të interesit të kredive
- Spread disa herë më i lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave
- Komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës (switching cost)
- Komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj
- Norma të larta fitimi
Kjo sjellje e ndërmarrjeve nën hetim mund sjellë kufizim të konkurrencës në tregjet përkatëse në kuptim të nenit 4 dhe 9 të Ligjit Nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.
Objekti i hetimit të thelluar do të jetë vlerësimi i sjelljes së këtyre 4 bankave kryesore sipas klasifikimit të bërë nga Banka e Shqipërisë, në lidhje me komisionet dhe normat e interesave për tregjet objekt hetimi, si dhe ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 01.01.2016 deri në 31.12.2018” mbyllet njoftimi i Konkurrencës/Pro Biznes