Home KRYESORE Monument

Monument

Nga Edison Ypi

Duke ikur për Durrës nga rruga e Kavajës, kur ke lënë pas Ndroqin, Vorrin e Ashikut, Rumanatin, dhe kthesën që të çon te “Katarrugët”, pak më tutje, një tabelë rrugore të fton të hysh më të majtë në një rrugë të asfaltuar për të vajtur tek një katund që quhet Manskuria.
I mrekulluar nga gjithato bukuri të luginës së Ndroqit, s’ka Dreq e Shejton me të ndal të shkosh ta shohësh atë fshat me atë emër e atë tingull; Edhe sikur të jeshë nisur te thesari i Ali Pashës që ndodhet i fshehur në Golem; edhe sikur të ketë rënë llotaria e Kinës dhe paret do t’i japin te Shkëmbi i Kavajës, edhe me ta fal krejt arin e botës.
E lë litarin e zi të asfaltit gjarpërues të më tërheqi drejt Manskurisë nëpër ato kthesa e qafa kodrash që duken herë si harqe femrash e herë si kurrize djajsh.
Pas nja dy kilometrash, në një kthesë, më këmbë anës rrugës pranë një motociklete, një djalosh afër të tridhjetave me sytë nga fusha dhe fshatrat përballë. Asgjë për tu habitur apo trembur. Anës rrugëve ka djalosha dhe motocikleta me qindra.
Duke u ngjitur, pas disa minutash, nga maja e kodrës pashë se djaloshi vazhdonte të qëndronte tek i njëjti vend, i palëvizur. Paksa i çuditshëm ky statizëm djaloshar. Megjithatë vazhdova.
Manskuria është një fshat i vogël.
Si në çdo fshat ku ata që punojnë nuk i sheh dot se nuk ta kanë ngenë, edhe në Manskuri, ai që takon të parin është gjithmonë një dembel që ankohet pafund; Për rrugën që edhe u asfaltua edhe u vodh, për deputetin që kurrë nuk shkon t’i shohi, dhe natyrisht fukarallëkun, që nuk duket asgjëkundi se shtëpitë janë të gjitha të reja, por sipas tij po bën kërrdinë, për atë vilën në mes të kodrave që e ka ndërtuar një doktorreshë nga Durrësi, një e deprimuar që vjen në vilë çdo fundjavë për të mos parë njëri me sy, e të tjera e të tjera, sa mezi shqitem prej llafazanit që mu ngjit si rriqën.
Tek zbres, përsëri djaloshi i palëvizur, përsëri motocikleta, por edhe diçka tjetër. Mbi murin mbajtës të rrugës nja 1 metër i lartë, një videokamera e vogël me dritëzën e kuqe ndezur, pra që po regjistron.
E përshëndes.
Nuk përgjigjet.
I vij rrotull duke e pyetur, si e ke emrin, nga cili katund je, çfarë bën këtu, çfarë regjistron kjo videokamera ?
Lëviz lehtaz trupin, gjymtyrët, sytë. Kuptohet se ka një goxha gjallëri të brendëshme. Por nuk flet, nuk përgjigjet.
Zbres në rrugën kryesore.
E shoh nga larg kthesën. Ka kaluar mbi një orë. Djaloshi vazhdon të qëndrojë në të njëjtin vend.
Të ngjitem edhe një herë, s’kam asnjë shpresë se djaloshi mund të lëvizi, e aq më pak të flasi, por edhe do thonë ata që do më shohin; Ç’do ky i marrë që i vjen rrotull katundit tonë ?!
Nesret po aty.
Drejt e te kthesa, djaloshi, videokamera, motocikleta.
As djalosh që hesht, as videokamera që regjistron, asgjëprejgjëje.
Kthehem.
Pyes një skraparlli që shet fruta anës rrugës; Si është puna e atij atje, te ajo kthesa…?
Skraparlliu nuk di gjë.
Pyes me rradhë disa të tjerë. Askush nuk di gjë.
Tek po ai vend, tek po ajo kthesë pas disa ditësh. As djalosh, as motocikletë, as videokamera.
Gjëndja rëndohet. Duhet me çjerr fytyrën me thonj, ose së paku me i rënë kokës me grushta. Por vuajtja ka një kufi. Zoti nuk bën shakara, dhe Djalli nuk të punon rrengje që të bëjnë të vuash pafundësisht.
Një ditë tjetër, kur shpresa për të kuptuar diçka nga kjo mahi’ më ishte katandisur më pak se uji i Erzenit në gusht, e gjeta më së fundi një vendali që më qartësoi gjithçka.
Rrëfimi i vendaliut;
“Është nga një katund në anën tjetër të Erzenit. Iku para dhjetë viteve emigrant në Gjermani. Pas nja dy a tre vite në emigracion, erdhi mori nuse në katundin e vet dhe u kthye në Gjermani. Vjen rregullisht dy herë në vit nga një ose dy javë. Është i marrosur pas katundit të vet dhe luginës së Ndroqit. S’ka të ngopur me bukuritë e këtyre nahive. Ka të drejtë. Lugina e Ndroqit është më e bukura, më e begata në Ballkan. Njihet qysh në lashtësi për bujqësinë, bagëtinë, tregëtinë, bollëkun. Me qindra vjet, bregu dalmat, Dubrovniku, Triestja, Venecia, prodhimet bujqësore dhe blegtorale të Luginës së Ndroqit i kanë marrë me anije nga Durrsi. Dritë, ujë, fresk, lumë, mal, det, krejt bukuritë e begatitë e dynjasë janë këtu. S’ka vend tjetër në dynja ku Zoti të jetë treguar kaq dorëlëshuar. E djaloshi s’mundet me e pa katundin e vet nga brenda katundit të vet. Duhet me e pa nga një katund tjetër. Për katund tjetër ka zgjedhur Manskurian që duket si emër aziatik, armen, mongol, por është puro shqiptar. Sa herë që vjen nga Gjermania, pasi lëviz si i fandaksur me motocikletë nëpër këtë luginë të madhërishme, shkon e rri pa lëvizur me orë të tëra te ajo kthesa ku e pe prejnga duket gjysma e Botës. Përveç Luginës së Ndroqit që ai vdes për të, edhe deti, Gjiri Lalzit, Ishmi, Durrësi, Shijaku. Foli sa të duash, bërtiti, uluriti. Nuk i kthen xhuvap askujt. Mos e prek. Po e preke të vret. Pasi kryen këtë rit ulet në ndonjë kafene këndej rrotull. Në njërën nga ato kafene bëra një herë muhabet gjatë e gjërë me të. Tha se nuk ngopet kurrë me bukuritë e vendit të vet. Se parja është atje, domethënë në Gjermani, kurse bukuria është këtu, në Shqipëri. Për videokamerën më tha; Regjistroj gjithçka që shoh këtu për t’i parë përsëri në Gjermani. Kur lodhem, mërzitem, kur s’jam në terezi, hap kompjuterin shohë Luginën e Ndroqit, Shijakun, Katarrugët, katundin tim. Me shpejtësi të ndryshme në vartësi të gjëndjes shpirtërore dhe kohës në dispozicion. Kur jam më nge’ shoh me shpejtësi normale. Kur s’kam të ngopur, me shpejtësi të zvogëluar. Kur s’jam në terezi dhe kohë s’kam, me shpejtësi të shtuar. Mund të përdorja një fotokamera. Por fotokamera bën fotografi të ngurta të ngrira, të ftohta, ndërsa videokamera regjistron gjithçka, njerëzit, makinat, luhatjen e degëve nga era, rënien e gjetheve, çvendosjen e reve që duken aq bukur në pamjet e përshpejtuara”.
Djaloshi emigrant mundet me shku për turizëm kahmos. Në ishujt e Paqësorit, në Kinë, Japoni, Australi. Por është i magjepsur me katundin e vet. Kurrë nuk ka vajtur dhe kurrë nuk do vejë asgjëkundi përveçse këtu. Te ajo kthesa ku e pe. Ku në dimër e në behar, në zheg e në acar, duke parë bukuritë e vendit të vet, rri me orë e orë të tëra, si monument.

Share: