Nga Mentor Kikia
Secili është në të drejtën e tij, të votojë ose jo. Ta bëjë votën të vlefshme, duke shënjuar kandidatin, apo ta shkarravisë. Eshtë në të drejtën e tij të besojë PS-në apo PD-në.
Por gjëja më e shëmtuar që po shikoj sot, masivisht, nëpër rrjete sociale është publikimi i fotove duke votuar, i gishtave me bojën e shenjuesit apo gishtave pa bojë(per te treguar se s’ka votuar), fotografimi dhe publikimi i fletëve të votimit, me votën pro apo votën e pavlefshme.
Madje në Shkodër, një televizion lokal transmetonte Live edhe nga dhoma e fshehtë e votimit.
Kjo që po ndodh sot nuk është një gjë normale(pavarësisht përgjegjësisë politike), por demonstrimi publik i votuesve është edhe më i shëmtuar. Më duket një demonstrim i karakterit tonë si popull.
Vota është një gjë private, lidhet me bindjen tënde politike, me besimin tënd ndaj një force politike apo një kandidati, është pushteti yt, që e ushtron në mënyrë të fshehtë një herë në katër vjet.