Nga Aurenc Bebja, Francë
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannovich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti :
“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit ».
Burimi : Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania